Sali Berisha nuk do të ndalet derisa të shkatërrojë Partinë Demokratike. Kështu pohon për Report Tv analisti Frrok Çupi, i cili thekson se Berisha tashmë nuk ka asnjë rol politik, por thjesht sillet si shefi i partisë. Në ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, analisti thotë se Berisha kishte mundësi të mos ikte nga jeta aq i turpëruar sa po bën tani.
“Që kur ka ndodhur ‘non grata’ e Berishës së ai në rrugën e tij për në ferr do marrë edhe PD me vete. Berisha nuk i ndahet PD derisa ta shuajë, ta shkatërrojë plotësisht, nuk ka më asnjë rol, nuk është as faktor, bën sikur është shefi i partisë, diktatori i përjetshëm, njeriu që vendos pavarësisht se nuk ka asgjë për të vendosur, mendoni pak sa e shëmtuar është t’i thuhet kreut të grupit parlamentar, ta mallkojë pse e ke dërguar partinë në gjyq, ndërkohë jemi në kohë moderne kur një akt gjyqësor mund të kthehet për këdo, për një parti, për presidentin. PD është drejt dekompozimit total, Berisha kishte mundësi të mos ikte aq i turpëruar sa po ikën. Unë e përfytyroj Berishën, ose e bën këtë gjë se i ka ikur truri dhe njerëzit do ta ndjekin me shkopinj pas, ose për të mbledhur edhe ato cika forcash dhe njerëz që i kanë mbetur që ti angazhojë në vijën e tij të tensionit dhe anti-amerikane”, tha Çupi në Report TV.
Gjashtë shqiptarë janë shpallur ‘non grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit, sipas Çupit tregon vëmendjen e shtuar të SHBA-së për të luftuar korrupsionin në vendin tonë. Sipas tij, organet e drejtësisë së re në vendin tonë janë shumë të vonuar, pasi ende nuk është hapur asnjë dosje hetimi për këta 6 persona të shpallur ‘non grata’. Çupi ngre dy pyetje, mos vallë SPAK është e papaftë, apo është ejapur nga njerëzit e Ilir Metës dhe Sali Berishës. Sipas tij, këto dy pyetje duhet të marrin përgjigje ose ndryshe besimi në reformën e drejtësisë do dobësohet.
“Për Shqipërinë do të thotë shumë gjëra, një vëmendje e përqendruar i SHBA mbi fatet e vendit tonë. E dyta është një garanci për ne se Amerika është duke transferuar problematikat dhe hallet e këtij populli që nuk i ka zgjidhur me institucionet e veta. Në vendin tonë nuk ka funksionuar ligji, maxhoranca dh e ligji nuk kanë qenë të zotë të dërgojnë para drejtësisë njerëz të korruptuar. Pas 30 vjetësh kur Shqipëria ndodhet para një intoksikimi total të Shqipërisë thuajse është helmuar nga korrupsioni i 30 vjetëve. SPAK e vonuar, tani ka ardhur koha për të vënë pikëpyetje para SPAK, nëse vallë është i paaftë, mos vallë është i kapur dhe pjesa më e madhe drejtësisë është kapur prej njerëzve të Berishës dhe Metës. Këto pikëpyetje duhet të marrin rrugë në ditët e ardhshme, nëse nuk ndodh fillon të dobësohet besimi ndaj reformës në drejtësi”, shprehet Çupi.
Një ditë më parë (11 prill) ish-deputeti i Elbasanit Aqif Rakipi dhe pronari i mediave Ylli Ndroqi u shpallën ‘non grata’ nga DASH, (Departamenti Amerikan i Shtetit), ndërsa u janë bllokuar të gjitha pronat e tyre në SHBA. Pjesë e listës së zezë ku e kanë të ndaluar të hyjnë në SHBA dhe bllokimit të pasurisë janë edhe pjesëtarët e familjes së tyre të ngushtë.
Aqif Rakipi dhe Ylli Ndroqi akuzohen nga SHBA si persona të cilët kërcënojnë stabilitetin e Shqipërisë përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese të vendit. Për DASH dhe Departamentin e Thesarit sjellje të tilla korruptive minon sundimin e ligjit dhe rritjen ekonomike, si dhe iu mohon njerëzve në këto vende mundësi dhe stabilitet.
6 ish zyrtarë në Shqipëri janë pjesë e listës së zezë të SHBA nën akuzën e korrupsionit dhe minimit të demokracisë. Më herët pjesë e listës ‘non grata’ janë edhe ish kryeministri Sali Berisha, Tom Doshi, Vangjush Dako, ish kryeprokurori Adriatik Llalla.