Po pinte kafen e mëngjesit ashtu si çdo ditë në lokalin e lagjes në qytetin e Shkodrës, kur papritur një automjet u afrua dhe qëlloi me automatik kallashnikov duke e lënë të vdekur në vend.
Vrasja e 55-vjeçarit Nazim Bandula ndodhi në orën 8:15 të mëngjesit në lagjen “Rus” raporton Policia vendore e Shkodrës.
NGJARJA
Viktima ndodhej bashkë me një person tjetër, kur një mjet tip “Benz E-clas”, ngjyrë gri, me xhama të zinj para dhe mbrapa, është afruar dhe autorët nga brenda makinës kanë qëlluar me breshëri plumbash duke i marrë jetën Nazim Bandulës.
Viktima, sipas burimeve, ka tentuar që të futet brenda lokalit kur është qëlluar, por e ka pasur të pamundur që të lëvizë.
Menjëherë pas ngjarjes, autorët janë larguar në drejtim të paditur me makinë. Në lokalin ku ndodhi vrasja, mbërritën forca të shumta Policie duke rrethuar zonën dhe duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë të ndodhur mëngjesin e djeshëm në Shkodër.
ASNJË GËZHOJË
Grupi hetimor deri më tani nuk ka arritur që të identifikojë autorët e vrasjes së shtetasit Nazim Bandula, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e tyre. Personat që qëlluan janë treguar të kujdesshëm, duke mos lënë as gëzhojat e plumbave në vendngjarje.
Dyshohet se arma me të cilën kanë qëlluar ka qenë brenda në qese. Grupi hetimor nuk ka gjetur asnjë gëzhojë duke mos pasur kështu prova materiale.
Efektivët e Shkodrës kanë arritur që të marrin pamjet e sigurisë së disa subjekteve aty në momentit të vrasjes, por edhe lëvizjes së mjetit në unazën perëndimore të Shkodrës, nga ku u larguan autorët. Sipas burimeve policore, në vendngjarje mendohet se është qëlluar 13 herë dhe 6 plumba kanë kapur në trup 55- vjeçarin, i cili gjeti vdekjen në mënyrë të menjëhershme.
SI U ORGANIZUA ATENTATI
Autorët kanë ardhur nga rotonda e Rusit dhe janë futur në drejtim të unazës perëndimore. Sapo janë afruar te lokali i cili ndodhet buzë rrugës, kanë qëlluar ndaj Nazim Bandulës. Tavolinat e lokalit ndodheshin shumë afër rrugës kryesore, ndaj autorët nuk e kanë pasur të vështirë të qëllojnë me saktësi, sepse objektivi i tyre ndodhej vetëm pak metra larg. Personi tjetër që ndodhej me viktimën është larguar menjëherë për t’u shpëtuar plumbave dhe nuk është lënduar nga të shtënat.
Menjëherë pas ngjarjes, persona të rastësishëm që kanë qenë në vendin e krimit janë shoqëruar nga Policia për t’u marrë në pyetje, por ata kanë deklaruar se nuk kanë arritur që t’i shohin autorët, pasi ndodheshin brenda automjetit dhe se makina është larguar me shpejtësi në drejtim të unazës perëndimore.
Përveç kamerave të sigurisë, në vendin e ngjarjes Policia ka sekuestruar edhe kamerat e tjera përgjatë unazës, për të arritur që të identifikohet lëvizja e automjetit të autorëve. Megjithatë, Policia ende nuk ka rënë në gjurmët e makinës dhe autorëve që qëlluan ndaj 55-vjeçarit Nazim Bandula. Ndërkohë, grupi hetimor po mundohet që të identifikojë edhe targën e automjetit, me të cilën u krye ky krim i rëndë. Deri më tani janë identifikuar disa prej numrave të targës, por jo plotësisht.
Policia ka dyshime se targat e këtij mjeti janë të vjedhura, por kjo mbetet për t’u verifikuar plotësisht në momentin që efektivët do të kenë të dhënat e plota për targën, me numrat dhe shkronjat përkatëse. Deri më tani, nga pamjet e kamerave të sigurisë, është e paqartë targa e kësaj makine, teksa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë.
Në Polici janë marrë dëshmitë e të gjithë familjes Bandula, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë pasur ndonjë konflikt, kërcënime apo presione, ose të paktën nuk kanë pasur dijeni për kërcënime të tilla. Familjarët janë shprehur se nuk ia kanë idenë se kush mund ta ketë qëlluar 55-vjeçarin.
Në 2020 iu vu tritol, kush është Nazim Bandula
Në vitin 2020, shtetasit Nazim Bandula i është vënë tritol në automjetin e tij, por asokohe ka pasur vetëm dëme materiale, sepse makina ndodhej e parkuar në oborrin e shtëpisë dhe nuk ishte askush brenda saj.
“Sapo isha futur në banesë dhe pak minuta më përpara kam qenë brenda oborrit. Jam ngjitur në shtëpi dhe më pas kam dëgjuar shpërthimin e fuqishëm dhe nuk po e kuptoja se çfarë ndodhi fillimisht. Nuk ia kam idenë se kush mund ta ketë vendosur. Fouristrada ime ka qenë e parkuar në oborrin e shtëpisë që në orët e paradites. Kam dalë në mëngjes, kam ngrënë diçka dhe më pas jam rikthyer në shtëpi dhe e kam lënë makinën aty brenda oborrit. Nga ai moment nuk e kam lëvizur më, ndaj nuk ia kam idenë se si mund të ketë ndodhur vendosja e tritolit”, deklaroi asokohe në Polici.
Nazim Bandula. Ngjarja e tritolit ndodhi më 26 dhjetor 2020 në qytetin e Shkodrës. Një sasi lënde eksplozive e dyshuar si tritol shpërtheu në automjetin që ishte në pronësi të shtetasit Nazim Bandula. Nga ky shpërthim me tritol, nuk pati të dëmtuar në njerëz, por vetëm dëme materiale.
Policia e Shkodrës njoftoi se ngjarja ndodhi rreth orës 20:25 të 26 dhjetorit 2020. Në mjetin tip fouristradë “X5” të parkuar ka shpërthyer sasia e tritolit, por nuk ka pasur asnjë person brenda saj.
Mjeti ku shpërtheu sasia e eksplozivit ishte i parkuar brenda murit rrethues të banesës së shtetasit Nazim Bandula. Menjëherë, në vendngjarje mbërritën forca të shumta Policie, duke bërë fillimisht rrethimin e zonës ku ndodhi shpërthimi dhe më pas kanë nisur veprimet e para hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, por që nga ajo kohë ende nuk është arritur që të zbardhet.
Sipas burimeve nga vendngjarja, familjarët ndodheshin brenda në shtëpi në momentin kur ka shpërthyer sasia e dyshuar si tritol. Ndërkohë, dyshohet se mund të kenë qenë të paktën rreth 300 gramë lëndë eksplozive e vendosur te mjeti që shpërtheu.
Ai shpërthim ka qenë i telekomanduar dhe autorët dyshohet se e kanë ruajtur deri në momentin kur shtetasi Nazmi Bandula është futur në oborr dhe më pas e kanë shpërthyer nga distanca përmes celularit.
Po ashtu, në vitin 2012 viktima është arrestuar pas një konflikti me të vëllanë e tij për çështje pronësie, por është liruar. Po ashtu, hetuesit nuk e përjashtojnë edhe pistën e hakmarrjes, pasi në vitet 2000 Nazim Bandula, bashkë me të vëllanë, Albanin, janë përfshirë në një vrasje për një vajzë pranë kinemasë në Shkodër.
Tri vite pas kësaj ngjarjeje, Nazim Bandulës i është bërë atentat në aftësi të Bushatit. Bandula jetonte mes Shkodrës dhe Elbasanit, por edhe pse ishte i njohur për konflikte të së shkuarës, nuk ruhej asnjëherë dhe lëvizte lirshëm.
Viktima është i dyshuar edhe si i përfshirë në trafik narkotikësh, trafik prostitucioni dhe trafik armësh vite më parë. Pistat e hetimit janë të shumta për shkak të së kaluarës së 55- vjeçarit në aktivitete kriminale.