MENU
klinika

Mero Baze

E vetmja garë reale është kush bashkon opozitën, jo kush bashkon PD

13.04.2022 - 20:21

Nga Mero Baze

Në mungesë të perspektive të qartë për tu bashkuar për shkak të Sali Berishës, shumë zëra të pavendosur brenda Partisë Demokratike po bëjnë propozime “pleqnije” për të gjetur një mënyrë se si të bashkëjetojnë me Sali Berishën.
Kjo në fakt nuk është përpjekje për bashkim, por përpjekje për të mbuluar ndarjen reale që tanimë po konsolidohet brenda PD për shkak të Sali Berishës.
Ky debat duhet injoruar.
E vërteta është se çdo kush që nuk është me Sali Berishën nuk është më në atë godinë. Gjithë fluksi antiberishë, I Partisë Demokratike nga viti 1991, ka dal nga ajo derë dhe nuk kthehet më aty për shkak të Sali Berishës.
Ndryshimi me ndarjen e fundit në PD ishte se PD nxori jashtë Sali Berishën dhe jo Sali Berisha rivalët e tij.
Ky realitet tani po përpiqet të përmbyset me dhunë, me zaptim dhe me përdorim të gjyqësorit të korruptuar nga Sali Berisha.
Ndaj Partia Demokratike duhet ta injoroj këtë debat.
E vetmja gjë me të cilën duhet të merret PD është të testoj bashkimin rreth Partisë Demokratike të fluksit antiberishë që ka dal nga ajo seli për shkak të tij.
Nga 9 Shtatori e deri më sot, Sali Berisha ka bërë çfarë ka pasur në dorë të thërras për aleatë ata që ka zbuar vet nga PD dhe ata që kanë ikur në heshtje për shkak të mos mbështetjes prej tij. I ka joshur, I ka lavdëruar, gati ka bërë dhe autokritikë por askush prej tyre nuk ju bashkua.
Prej 9 Shtatorit Sali Berisha ka me vete vetëm besnikët e tij vulgarë të tipit Flamur Noka Edi Paloka dhe llumi tjetër I PD, që në fakt bashkë me Sali Berishën është dhe arsyeja pse PD ka dal në opozitë prej vitit 2013 dhe do ta ketë të gjatë rrugën e rikthimit.
Kundërshtarët e Sali Berishës në PD duhet të tentojnë bashkimin me faktorët politikë jashtë selisë. Ata që janë brenda selisë nuk janë figura politike, janë thjesht numra. Ata që kanë pas një ide politike, qoftë dhe me mbështetje të vogël në publik, kanë ikur nga ajo seli.
Për këtë arsye Enkelejd Alibej duhet të kthej kokën për të bashkuar rreth PD ata që kanë ikur andej prej Sali Berishës. Ky është trualli I vetëm elektoral ku ka hapësirë për bashkim në PD.
Retorika përçarëse e Sali Berishës, dhuna që ai po ushtron me zaptimin e zyrave dhe përdorimin e gjyqësorit të korruptuar, beteja me SHBA, heshtja e tij ndaj qëndrimeve kritike amerikane ndaj qeverisë apo figurave të ndëshkuara të ngjashme me të, e bëjnë Sali Berishën një opozitar peng, të pafuqishëm për tu sjell si politikan I lirë dhe akoma më të papërshtatshëm për të qenë figurë bashkuese. Sali Berisha është motivues për një shpurë militantësh pa tru që nuk I duhen askujt, por jo më për të mobilizuar elektoratin për fitore. E vetmja fitore që ai mund të arrij është zaptimi i zyrave dhe përjashtimi I kundërshtarëve. Ai nuk guxon as të hedh në votë në Grup parlamentar Enkelejd Alibej, pasi e di që institucionalizon ndarjen de facto të PD.
Për këtë arsye e vetmja gjë që duhet parë se kush krijon fluks më të madh opozitar është sinjali se kush nga jashtë PD është gati të bëj aleancë me Alibej që është ushtrues detyre në PD apo me Berishën që është zaptues karrigesh në PD.
Kjo është e vetmja garë që provon se kush është politikisht me perspektivë në emër të PD. Nëse Alibej arrin të bëhet poli i një opozite të re, nëse ai arin të tërheq aleatët e PD në betejën e tij, dhe nëse e lë Sali Berishën me ata që i mbajnë bastunin në shkallë, apo oturakun në banjë, ai do filloj të krijoj frymën reale të bashkimit të opozitës. Bashkimi i opozitës është e vetmja fjali që ka kuptim. Bashkimi I PD ka vdekur, përderisa figura kyçe ndarëse e saj Sali Berisha ka pushtuar me dhunë zyrat e saj.
Nëse Alibej do të arrij të thërras në një aleancë politike, ish parti të vogla të dala nga PD apo qoftë dhe individë të shquar të saj që janë larg PD për shkak të Berishës, ai do të jetë në gjendje të dëshmojë se kë beson shoqëria. Dhe kjo ka shumë herë më tepër rëndësi, se kë beson roja e selisë së PD.