Lufta brënda llojit, mes sheikëve dhe bosëve në Partinë Demokratike, ka marrë ngjyrime të reja. As që bëhet fjalë, për rikthim në të shkuarën. Grupimi i “Rithemelimit” dhe celula e Bashës, i kanë shpallur luftë pa kompromis njeri-tjetrit. Pushtimi dhe ripushtimi i selisë, shkatërrimi dhe “ribashkimi” (sipas Saliut) i asaj partie, mbeten vetëm maja e “Ajsbergut”, që po shoqëron debatin destruktiv prej disa javësh.
Qëllimi ishte dhe mbetet tjetër gjë. Rimarrja e zyrës, selisë, ndryshimi i “bravave”, simboleve, bojës së brëndshme dhe orendive, janë pergatitjet e para të një qëndrimi të gjatë të Sali Berishës dhe grupit “Zjarri” në atë parti.Ku po shkon në fakt Partia Demokratike, sa shanse ka ajo të ribëhet, të ribashkohet, të ridimensionohet në një opozitë reale konstruktive ? Dhe fakti është se deri tani, ka ZERO shanse. Në rrethe, Berisha ka nisur “komisarët” e tij, të cilët duke mos pyetur fare zërin dhe mendimin e bazës, po nxjerrin emra kandidatësh (që nuk janë votuar kurrë nga anëtarësia) si pretendentë për kryetarë degësh.
E njëjta gjë po ndodh edhe me strukturat e tjera, FRPD, LGD, etj. Njerëzit e Bashës, madje edhe ata që po përbetohen se “nuk e kemi dashur kurrë Lulin”, po largohen, dhe po zëvëndësohen me besnikë të grupit të “Zjarrit”. Ditët e fundit, mes dy grupimeve, ka nisur edhe beteja e milionave. Berisha po ndërsen brënda dhe jashtë njerëz të akuzojnë dhe damkosin Bashën, kryetarin e grupit parlamentar, kurse nga ana e tij ish-kryetari i dorëhequr, po kërkon “hetim për çdo “non-grata”, ku nuk ka përtuar të kërkojë “hetim edhe për pasurinë e padrejtë të tyre”. Natyrisht fjala ishte padyshim për Berishën. Natyrisht lufta nuk ndalet këtu. Veç “parave ruse”, mësohet se Sali Berisha do ti hapë Lulit, edhe dosjen e rrugës së Kombit dhe dosje të tjera qysh nga koha kur ishte ministër dhe kryetar bashkie.
Por edhe Basha, ka vendosur të “nxjerrë artilerinë e rëndë”, pasi është njeriu i vetëm që di shumë, lidhur me aferat e ish-liderit, duke mos u kursyer më. Por sërish ata që mbeten idealistë në atë parti, nuk ngurrojnë të pyesin “ku po shkon kjo PD” ? Si ka mundësi që një grup milionerësh nga dy kahet e dyluftimit mes tyre, të marrin peng të ardhmen e asaj partie, të lënë vendin pa opozitë, sepse duhet domosdo të mbrojnë Sali Berishën, pensionistin e politikës destruktive, njeriun që prej kohësh drejtësia duhej ta kishte ulur në karrigen e të akuzuarit. Por ai po e gëzon siç ka qejf “pensionin”, duke u marrë aktivisht me politikë, duke mos e lënë të qetë Shqipërinë dhe partinë, dhe së fundit duke u rikthyer si “lider” i saj, pas afro 9 vitesh tërheqje.
Duket sikur fati i Partisë Demokratike, u parashkrua qysh në 1992, kur në krye të saj erdhi Berisha, ish-komunisti i devotshëm, që “hop” u konvertua brënda 24 orësh në “demokrat” nga udhëheqësi tij shpirtëror Ramiz Alia. Ai nuk ka ndërmend të ikën, dhe as që mendohet se ai do të largohet ndonjëherë prej saj, deri në sekondat e fundit të jetës. Vendi do të mbetet pa opozitë ? As nuk i kërcet fare atij njeriu, që ka vendosur të “ballcamoset” në zyrën e kryetarit të asaj partie,vetëm të jetë pengesa e vetme e ardhmërisë së shqiptarëve drejt demokratizimit, zhvillimit, integrimit, dhe anëtarësimit në BE. Ndoshta ka ardhur koha dhe momenti, që vendi të ketë një opozitë të re, larg dogmave, eksperiencave dhe makabriteteve që kemi parë prej 30 vitesh, nga një parti klanore, krahinore, dhe pa asnjë qasje drejt lirisë dhe demokracisë brëndshme të saj. Kjo është emergjencë kombëtare, pasi ndryshe demokracia në këtë vend nuk mund të funksionojë……..