MENU
klinika

Arsyet

Pse pasiguria e energjisë do të vazhdojë?

16.04.2022 - 09:59

Gjeopolitika dhe energjia. Lufta do të përshpejtojë kalimin nga petro-shtetet në elektro-shtete të reja

Energjia dhe mallrat qëndrojnë në zemër të regjimit të errët të Vladimir Putinit dhe kërcënimit që ai paraqet për botën. Katër trilionë dollarë në eksporte nafte dhe gazi gjatë dy dekadave të sundimit të tij, kanë paguar për tanket, armët dhe raketat, që tani po vrasin ukrainasit, shkruan The Economist.

Të ardhurat nga burimet natyrore kanë ngritur një elitë, e cila ka krijuar pasuri jashtë vendit me jahte, klube nate dhe kompani të ndryshme, duke penguar politikën përfaqësuese në vend dhe duke kënaqur fantazitë megalomaniake të Putinit.

Ndërsa Rusia furnizon 10-25% të eksporteve botërore të naftës, gazit dhe qymyrit, shumë vende, veçanërisht në Europë, janë tepër të varura prej saj.

Për ta, lufta në Ukrainë ka qenë një tronditje e madhe për një sistem energjetik tashmë të tendosur, duke e bërë edhe më urgjent përdorimin e energjisë së erës, energjisë diellore dhe asaj bërthamore, me qëllimin për t’u shkëputur nga varësia e naftës. Megjithatë, mos mendoni se kjo epokë e re do t’i japë fund mallkimit të krizave energjetike dhe autokratëve.

Javët e kaosit në tregjet e energjisë, kanë filluar të dëmtojnë konsumatorët. Çmimet e benzinës në Los Anxhelos kanë arritur, për herë të parë, mbi 6 dollarë për gallon. Ndërsa sanksionet ndaj Rusisë po ndihen, tregtarët parashikojnë se Europa do të vuajë nga mungesa e naftës.

Gjermania po përgatitet të racionojë gazin natyror dimrin e ardhshëm, në rast se Rusia ndërpret furnizimet. Në Azi, importuesit e naftës po përgatiten për një goditje në bilancin e pagesave. Në një treg të tendosur, goditjet janë të vështira për t’u përballuar.

Çmimi i naftës u rrit në 122 dollarë për fuçi këtë javë, pasi një tubacion nga Azia Qendrore në Detin e Zi, pësoi dëmtime nga stuhia dhe rebelët Houthi të mbështetur nga Irani, sulmuan fabrikat energjetike saudite.

Reagimi

Reagimi i menjëhershëm i qeverive kudo, ka qenë përpjekja për të gjetur më shumë lëndë djegëse fosile, sado ndotëse për mjedisin. Me nxitjen e Perëndimit, Saudi Aramco, firma më e madhe e naftës në botë, po rrit investimet në 40-50 miliardë dollarë në vit.

Administrata e Biden madje u përpoq të përmirësonte marrëdhëniet me Nicolás Maduron, diktatorin e Venezuelës, ndoshta për të marrë më shumë naftë nga një shtet që në vitin 2005, furnizonte 4% të naftës së papërpunuar në botë.

Pyetja afatgjatë që shtrohet është: sa shpejt mund të braktisen plotësisht lëndët djegëse fosile? Strategjia e energjisë e shpallur këtë muaj nga BE-ja, parashikon pavarësinë nga Rusia deri në vitin 2030, pjesërisht duke gjetur burime të reja të gazit, por edhe duke dyfishuar burimet e rinovueshme.

Diçka është bërë e qartë: fuqia bërthamore është rikthyer në modë. Franca planifikon të ndërtojë gjashtë termocentrale të reja dhe po synon “pavarësinë totale në energji”. Më 21 mars, Britania tha se do të ndërtonte një gjeneratë të re reaktorësh bërthamorë me “shpejtësi të jashtëzakonshme”.

Një sistem i ri energjie që përdor më pak karbon, gjithashtu ka rritur shpresat për të eliminuar varësinë energjetike nga despotët.

Rreziqet

Megjithatë, pavarësisht se gjeopolitika do të përshpejtojë tranzicionin e energjisë, kjo do të ketë rreziqet e veta. Tranzicioni do të dëmtojë disa ekonomi dhe do të shkaktojë varësi të re nga disa të tjera.

Për ta vlerësuar këtë ndikim, ne kemi parashikuar shpenzimet për dhjetë burime natyrore, duke përfshirë naftën dhe qymyrin, dhe metalet e përdorura në prodhimin e energjisë dhe elektrifikimin e industrisë dhe transportit. Ndërsa bota po dekarbonizohet, këto shpenzime do të bien nga 5.8% e PBB-së, në 3.4%, deri në vitin 2040.

Megjithatë, sipas parashikimit tonë, më shumë se gjysma e shpenzimeve do të shkojnë sërish tek autokracitë, duke përfshirë elektro-shtete të reja që ofrojnë metale ekologjike, si bakri dhe litiumi. Dhjetë vendet me prodhimin më të lartë, do të kenë një pjesë tregu mbi 75% në të gjitha mineralet, çka do të thotë se prodhimi do të jetë tepër i përqendruar.

Dallohen dy probleme kryesore. Së pari, gjeopolitika e tkurrjes së industrisë së naftës është e tensionuar. Ndërsa firmat perëndimore tërhiqen për arsye mjedisore dhe në përgjigje të kostove të larta, pjesa e tregut të vendeve anëtare të OPEC dhe Rusisë, do të rritet nga 45% në 57%, deri në vitin 2040, duke u dhënë atyre më shumë ndikim. Prodhuesit me kosto më të lartë si Angola dhe Azerbajxhani, përballen me një tronditje. Harta e botës do të mbushet me ish-petro-shtete të dëshpëruara.

Së dyti, elektro-shtetet në zhvillim përballen me betejën e burimeve. Shpenzimet për metalet ekologjike mund të kapin vlerën mbi 1 trilion dollarë në vit, deri në vitin 2040. Disa shtete, si Australia, janë të pajisur mirë për t’u përballur me këtë situatë, por jo shtete më të brishta, si Kongo, Guineja dhe Mongolia.

Minierat ishin një burim mosmarrëveshjesh në zgjedhjet e fundit në Kili dhe Peru. Firmat globale të minierave janë të shqetësuara se do të hiqen të drejtat e tyre pronësore. Mungesa e investimeve që ka rezultuar, ka rritur çmimin e metaleve ekologjike me 64% vitin e kaluar. E gjithë kjo situatë ndërlikohet nga Kina, e cila kërkon të njëjtat burime, por është më tolerante ndaj qeverive të korruptuara.

Ashtu si me të gjitha mallrat, rritja e çmimeve do të shkaktojë përfundimisht reagimin e tregut. Furnizimi i ngushtë u jep firmave një nxitje të madhe për të rritur riciklimin dhe për inovacion. Po shfaqen lloje të reja të reaktorëve bërthamorë, në shkallë të vogël.

Tesla, e cila përdor minerale për të prodhuar makina elektrike, po zhvillon modele të reja baterish. Ajo ka arritur gjithashtu një marrëveshje furnizimi me Kaledoninë e Re, një territor në Paqësor me 277,000 banorë, i cili mbart një të dhjetën e rezervave të nikelit në botë. Këtë muaj, firma kanadeze Barrick, ra dakord që të ndërtonte një minierë bakri me vlerë 10 miliardë dollarë në Pakistan.

Tension i lartë

Megjithatë, edhe kur tregjet përgjigjen, qeveritë duhet të dyfishojnë përpjekjet. Për shkak se vetëmjaftueshmëria rrallëherë është një opsion, qëllimi duhet të jetë diversifikimi. Kjo nënkupton partneritete të reja. Më 20 mars, Gjermania nisi bisedimet me Katarin për gaz.

Forcimi i industrisë bërthamore në vendet e zhvilluara, është me rëndësi kyçe, mbi të gjitha sepse i çliron vendet nga varësia kineze dhe ruse. Qeveritë duhet të katalizojnë investimet e tyre në miniera. Firmat nuk duhet të lejohen të hedhin në erë shpellat e mbrojtura me trashëgimi kulturore, ose të rrezikojnë punëtorët, por tranzicioni kërkon më shumë projekte minerare në vendet me rrezik të lartë, me një kosto për ekologjinë lokale.

Rregullat e qeverisjes në vendet e pasura duhet të pranojnë kompromisin. Së fundmi, qeveritë e vendeve të pasura duhet të ndihmojnë elektro-shtetet që të përgatiten, për shembull, duke ndihmuar në hartimin e modeleve të kontratave për një ndarje të drejtë të të ardhurave.

Ndërtimi i një sistemi energjie më të pastër dhe më të sigurt, është një detyrë e madhe, e rrezikshme dhe e frikshme. Por, sa herë që shihni vështirësi, pyesni veten: a do të ishte më mirë po të vareshit nga Rusia e zotit Putin? /Monitor

Deri në mars janë regjistruar 716 mijë autovetura

1 në 4 persona ka një makinë në Shqipëri!

Nga “taksa” e tërmetit tek energjia

Banka Botërore gati kredi tjetër 80 mln USD

Biznesi do investime, qytetarët shtëpi

Më shumë borxhe! Në 3 muaj bankat dhanë 814 mln €!

Shembujt dhe burimi i konfuzionit për shpenzimet

Sa është fatura e tatimit për profesionistët e lirë?

Do të krijohet skemë e re për profesionistët

Ndryshimi drastik që do të ndodhë me pensionet