MENU
klinika

Shpëton i biri

Makina bie në liqenin e Fierzës, humb jetën 60-vjeçari

17.04.2022 - 12:30

Një aksident me vdekje ka ndodhur këtë të diel në Kukës. Një makinë ka dalë nga rruga dhe ka rënë në ujërat e liqenit të Fierzës. Për pasojë ka humbur jetën një 60-vjeçar dhe ka shpëtuar mrekullisht i biri.

Sipas informacioneve mësohet se ngjarja ka ndodhur në këmbët e urës së Drinit të Zi në hyrje të Kukësit, ku automjeti ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në greminën pranë liqenit dhe si pasojë ka humbur jetën 60-vjeçari.

Ndërkohë në vendin e ngjarjes ndodhet policia e cila po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti të rëndë.

Kukës/Informacion paraprak

Rreth orës 11:00, në hyrje të urës së Drinit të Zi, Kukës, shtetasi A. D., banues në fshatin Mamëz, i cili udhëtonte së bashku me babain shtetasin S. D, duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”, ka humbur kontrollin e drejtimit të automjetit dhe ka rënë në liqen, ku për pasojë pasagjeri në këtë automjet, shtetasi S. D. ka humbur jetën.

Nga shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses, është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë të pasagjerit, shtetasit S. D., 60 vjeç, banues në fshatin Mamëz, ndërsa drejtuesi i mjetit shtetasi A. D., ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.