MENU
klinika

Çfarë fshihnin ata?!

Pse burrat malësorë, e mbanin natën cigaren ndezur?

19.11.2018 - 18:18

Në shoqërinë shqiptare të së kaluarës dhe të ditëve tona drita e cigares së ndezur ka rrezatuar simbolikisht mesazhe të shumëllojshme.

Kur burrat rrugëtonin natën mbanin ndezur duhanin dhe kjo tregonte se nuk ishin të përfshirë në veprimtari kriminale ose siç thuhej “nuk i binin askujt në qafë”, “nuk shkonin në shtigje të liga”.

Madje në mendësinë e shqiptarëve “shkalla” e fortësisë së duhanit shprehte “shkallën” e burrërisë së burrave. Ata që pinin duhan të fortë konsideroheshin më të qëndrueshëm në mbajtjen e fjalës si dhe burra më për të qënë në krahasim me ata që pinin duhan më të butë.

Por, sipas mendësive mbisunduese në shoqërinë tradicionale shqiptare ndezja e duhanit në rrethana të caktuara mund edhe ta ekspozonte burrin përballë keqbërësve, të cilët mund ta sulmonin për ta grabitur ose për ta vrarë, të nxitur nga motive të dobëta. 

Për të ilustruar këtë ide mjafton t’i referohemi një kënge popullore, e cila me pak vargje i udhëzonte me zgjuarsi burrat, sidomos djemtë e rinj, të bënin kujdes me ndezjen e duhanit, sepse drita e tij mund t’i viktimizonte.

Mos ban dritë djal me cigare,
Kam ba be me t’ba batare!
Mos kërko djalë nëpër banë,
Kan ba be t’duen me t’xanë!

Në shoqërinë tradicionale shqiptare gjendja emocionale shprehej edhe në mënyrat e komunikimit me cigaren. Cigarja krijonte korrelacione të caktuara me modele sjelljesh, me gjeste dhe sidomos me ndryshime të mimikës së fytyrës.


Një cigare e fikur në buzët e një fytyre të ngrysur shprehte një gjendje hidhërimi të skajshëm. Për njerëz të tillë thuhej se “duan të kalojnë helmin e hidhërimit me helmin e duhanit, por nuk munden”. Gjithashtu cigarja në buzë shprehte simbolikisht shuarjen e shpresave për realizimin e një qëllimi të rëndësishëm.

Në shoqërinë tradicionale shqiptare kur martohej një vajzë, përgjithësisht të afërmit e saj, veçanërisht vëllai, paraqiteshin të brengosur në mjedise publike. Ndërkohë, të afërmit e dhëndrit, veçanërisht vëllai, e shprehnin hapur gëzimin në mjedise publike të gjera.

Ndërkohë drita e cigares bashkë me dritën e buzëqeshjes, me dritën e një fytyre të çelur shprehte gëzim dhe lumturi.

Mesazhe të tilla simbolike përcillen qartë edhe në vargjet e kësaj kënge popullore përmetare:

U nisçë e vajta për ujë,
Gjeçë të vëllain e nuses,
Me cigare të shuarë,
Me buzë lëshuarë,
Rrinte zemëruarë.
U nisç e vajta për ujë,
Gjeta të vëllain e dhëndërrit,
Me cigare të ndezur,
Me buzë të qeshur.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Luna Park”, me Adriana Matoshi dhe Nik Xhelilaj

Drama shqiptare, në Festivalin e Filmit në Selanik

“Ç’janë këto veshje, këto bizhuteri, këto këngë?!”

Refleksionet e shkrimtarit të njohur, për festivalin e 11-të

Mundësi për të aplikuar në Guinness

Për Darkën e Lamës përgatitet flija 2-metërshe