Omer Kaleshi, piktori i njohur me origjinë shqiptare, u nda nga jeta në moshën 90-vjeçare, raportojnë mediet mbarëshqiptare dhe jo vetëm
“Artisti Omer Kaleshi, piktori i kokave, të cilat na bëjnë të mendojmë për veten dhe për të tjerët si një, nga sot nuk është më në mesin tonë. Ishte piktor kërçovas, por i takonte gjithë botës”, thuhet në njoftim.“E ngërthyer që moti në qelizën e artit modern shqiptar, krijimtaria e tij do të mbetet gurthemel për gjeneratat e ardhshme ku do të ndeshin modernen shqipe, por edhe tradicionalen më të gjerë mbarëballkanike”, thuhet më tej në njoftimin e MKRS-së me rastin e vdekjes së piktorit Kaleshi. Omer Kaleshi ka lindur më 1932 në Sërbicë të Kërçovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan në “Facebook”: Për kujtim të Omer Kaleshit (1932 – 2022)
Një kokë piktoreske e bardhë, me flokë dhe mustaqe të thinjura, do të mbetet imazh simbol i portretit të piktorit të kokave, piktorit të madh shqiptar Omer Kaleshi. Një ekspozitë në Hamamin e Daut Pashës në Shkup, ku ai pa disa gravura të artistit anglez Henry Moore, me njerëz të strehuar në metro nga bombardimet gjatë Luftës së Dytë Botërore, e shtyen Omerin e ri të hiqte dorë nga profesioni i elektricistit për tu bërë piktor. “Rrënjët e artit tim u zunë në Shkup, trungu iu rrit në Stamboll, kurse frutet e tij u poqën në Paris” – thoshte shkurt Omer Kaleshi, kur përshkruante rrugëtimin e tij jetësor prej artisti. Ai nisi duke kopjuar një vepër të Paul Cezanit, për të krijuar gjithë veprën e tij artistike atje ku pikturoi edhe vetë Cezani, në Paris.
I lindur në Kërçovë më 1932, pas gjashtë vitesh studime në Akademinë e Arteve në Stamboll, Omer Kaleshi u vendos në Paris, ku jetoi derisa u nda nga ne, dje më 16 prill 2022, në moshën 90-vjeçare. Ai ekspozoi veprat e tij në mbi 150 ekspozita personale dhe kolektive në kryeqendrat europiane, duke tërhequr vëmendjen e shumë kritikëve të artit, që shkruajtën me vlerësime aq të larta për pikturat e tij.
Koka dervishësh, koka çobanësh, koka me plisa, koka me shamie, koka nga Anadolli dhe koka nga Ballkani, të gjitha të pikturuara pa model. Shumë koka, koka pa trup, vetëm koka, por edhe pse pa trup, kokat e Kaleshit nuk kanë gjak meqë ato nuk janë koka të prera, sepse janë koka të gjalla, siç shpjegonte vetë ai. Koka me sy, por koka shpesh pa vesh, koka të mbështjellura, të dala nga imagjinata e kokës së Kaleshit dhe të pikturuara mjeshtërisht prej tij. Ai pikturonte i vetëm në atele, pa u parë nga askush, ngase duke qenë i vetëm ai besonte se ishte i plotë. Në historinë e artit, piktori i kokave Omer Kaleshi, do të regjistrohet edhe si piktori unik që hapësirat e bardha brenda pikturave të tij, i linte në vetë të bardhën e pëlhurës. Në mbamendjen e shqiptarëve, Omer Kaleshi mbetet piktori model që frymën e tij shqiptare, e përktheu në artin e tij me vlera të përbotshme.
Më herët, Revista Ora Shqiptare i është përkushtuar suksesit, famës dhe origjinës së artistit:
Lindur në vitin 1932 në fshatin Kastriot të Kërçovës. Mësimet fillestare i morri në vendlindje kurse shkollën e mesme e kreu në Shkup. Në vitin 1956 emigroi në Turqi me gjithë familje, përveç vëllait të tij Hasanit. Në vitin 1959 regjistroi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Stamboll, dega e pikturës. Në vitin 1963 hap ekspozitën personale në galerinë “Robert College” në Stamboll, kurse në vitin 1965 përfundon studimet dhe njëkohësisht hap disa ekspozita në Ankara, Beograd, Shkup dhe po këtë vit Omer Kaleshi vendoset në Parisë. Gjithkund i pranishëm me ekspozita personale dhe kolektive. Në vitin 1967-1977 ka ekspozuar punimet e tij, ndër të tjera edhe në: Hagë-“Salloni i piktorëve të pavarur”, “Salloni internacional i pikturës”, në Paris-Salloni i realiteteve të reja, “Qendra kulturore 17”, në Leçe të Italisë në “Salloni i Majit” etj.
Në vitin 1979-1989, Omer Kaleshi është i pranishëm në Paris, në Amerikë, në Kanada, në Stamboll, në Londër, në Ankara e pastaj edhe në Egjipt, Spanjë e Zvicër, Moskë, Izmir e gjetiu. Ka hap ekspozitë në Galerinë e arteve në Tiranë dhe galerinë e Arteve të Kosovës në Prishtinë. Punon dhe jeton në Francë.
Kokat e Omerit përfaqësojnë atdheun e artit, që është më i madh se çdo atdhe kokash!
Në Kolonin e artit ndërkombëtar që organizohet për të 17-në herë me radhë në Shtëpinë e arteve në Kërçovë kësaj radhe ishte pjesëmarrës edhe piktori i madh Omer Kaleshi. Omeri u lind në fshatin Sërbicë të Kërçovës, nga babai Ahmedi shqiptar dhe nëna myslimane Hajrie. Ai kreu shkollën teknike në Shkup. Në vitin 1955 ai zbuloi veprën e Henry Moore e cila e inspiroi së tepërmi dhe iu bë si udhërrëfim për të hyrë në botën e artit që konsiderohet se ka lindur rastësisht. Asaj kohe Henry Moore kishte ekspozuar në Shkup para hamamit të Daut Pashës. “Gravurat e tij paraqisnin fshehjen e njerëzve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Londër, kishin një botë tejet të madhe, kishte një përkushtim, shqetësim jetësh, dhe jetës sime i dhanë një kuptim tjetër” thotë; Omeri. Arti siç thotë piktori është një botë e madhe dhe pa kufij, ku çdo njëri mund ta gjejë veten. Në vitin 1956 ai u shpërngul bashkë me familje në Stamboll ky hyri në Akademinë e Arteve të Bukura në atelierin e piktorit Bedri Rahmi Eyuboglu.
Meqë arti ka lind rastësish Omeri nuk u regjistrua rastësisht në këtë Akademi, por ai kishte zbuluar dëshirën thellë shpirtit të tij se i përket asaj bote të pakufishme. Pas përfundimit të Akademisë në vitin 1965 mbërriti në Paris, ku fillimisht u morr me punë të ndryshme. Sot çdo njëri që do e takonte piktorin, do krijonte përshtypjen se është shqiptar, turk, francez, maqedonas etj.., por ai nuk i përket asnjë nacionaliteti, ai është një artist, ai i përket pikturës…, atdheu i ti është shumë më i madh se Ballkani. U rrit në Kërçovë, studioj në Stamboll, punon në Paris jeton nga fitimi që ia sjellin galeritë e Turqisë.
Modestia e tij është një botë e madhe që matet me madhështinë e universit. Omer Kaleshi ka udhëtuar në gjithë botën, piktura e tij edhe më shumë. Ka marrë pjesë dhe ka hapur ekspozita personale në shumë vende e galeri. Në më shumë se 145 herë piktura e tij është prezantuar nëpër botë duke frymëzuar shkrimtar, poet e artist të ndryshëm prej ku rrjedhin edhe botime dhe filma kushtuar jetës dhe veprës së tij. Kokat e tij kanë bërë që herë pas here të ballafaqohen poeti me piktorin duke rrugëtuar bashkë poezia me pikturën, me botën e çuditshme të piktorit. Ai është vendosur në çatinë e një ndërtese të vjetër në bulevardin Arago të Parisit.
Piktori gjatë studimeve në Stamboll, si mjeshtër ka zgjedh Frençesko Goya, piktorin e madh spanjoll. E veçanta e studimit të piktorit është se ai nuk ka krijuar asnjë pikturë gjatë studimeve. Cila do jetë arsyeja askush deri më sot nuk e ka thënë, por siç shprehet ai vetë thotë se: “unë asnjëherë nuk mund të bëjë diçka në prani të tjerëve” dhe vazhdon që të rrëfejë: “Me një rast profesori im më thotë se çka ke bërë?
Unë i them se kam punuar në shtëpi. Atëherë m’i sill t’i shoh se çka ke bërë. Punimet e mija u vlerësuan mirë dhe unë vazhdova në këtë mënyrë. Edhe tani kur marr pjesë nëpër Koloni të ndryshme unë punojë në dhomën time aty ku edhe flejë, kjo është e gjitha sa i përket punës sime” shprehet Omeri. Dhe po ta pyesësh se përse gjithë këto koka ai do thotë: “Koka është njeriu dhe kjo që bëj unë është një detaj. Për mua koka është më kryesore te njeriu dhe çdo pikturë është një imazh, edhe këmba ka një rëndësi të veçantë, por unë sikur më me dëshirë bëjë kokat”. Kokat e Omerit vinë nëpër kohë të ndryshme me ngjyra që vetëm ai din t’i krijojë, me sy mbyllur që meditojnë drejtë qiellit dhe të lidhura shpesh me tokën ku dominon ngjyra e kuqe. Vetë piktori thotë se ka arrit të krijojë 280 ngjyra të kuqe me një elokuencë jashtëzakonisht dramatike, ku brenda pikturës kemi njeriun me imazhe ballkanike. Omer Kaleshi si piktor i përmasave botërore padyshim që është bërë edhe interesi i shkrimtarëve, poetëve, studiuesve të ndryshëm por edhe i artit filmik.
Për Omerin kanë shkruar pena të njohura si Jacques Lacarriere, Alain Bosquet, Kaya Ozsezgin, Nedim Gursel, Luan Starova, Jordan Plevnesh, Luan Rama, Klara Buda, Ozdemir Ince, Gil Jouanard etj. Nga të lartpërmendurit deri më sot janë botuar gjashtë libra duke filluar nga viti 1993 ku është botuar libri i parë në turqisht dhe frëngjisht dhe deri tek i fundit ku janë përfshirë poet të ndryshëm që janë inspiruar nga piktura e Omerit. Libri i fundit që përmbledh poezi, ese dhe kritikë artistike të shumë shkrimtarëve duke nis nga Jacques Lacarriere dhe deri tek eseisti Gil Jouanard është përgatitur nga Luan Rama.
Piktura e Omerit i ka mahnit personalitetet e artit dhe për këtë vepër që për atdhe ka artin me një rast Ismail Kadare do shkruajë: “Nga vijnë këto koka, ç’kërkojnë… të largët, si të pjella nga një kujtesë tejhistorike, shtillen njëra pas tjetrës, me atë ndriçim që e kanë thithur përbrenda.Duket sikur duan të japin një kumt e nuk e japin dot. Është një kohë e ashpër, gati barbare që i ka pjellë, për të cilën ndoshta kanë nostalgji, ose e kundërta, me të cilën duan të ndahen. Janë aty, me atë moskuptim të pafund në sy, me një pritje tragjike ndoshta, pritjen për të bërë një kapërcim…” Omeri në pikturat e tij përdor ngjyrën e kuqe. Luan Rama në librin e fundit “Fjala e Omerikëve” do shprehet: “Piktori nuk ka nevojë për modelim, se jeta e tij është vetë piktura, se filozofia e tij i kapërcen ndasitë e feve dhe kufijve mes popujve, se edhe pse sytë e kokave të tij përgjithësisht janë të mbyllura, ato përsëri shohin… Të gjithë e din se mjeshtërit e tij të hershëm janë Goya dhe Rembrandt dhe se ngjyra e përzgjedhur e tij është e kuqja… Ai marsh kokash që na shfaqen pareshtur, në sfonde të zeza apo të bardha, nga zgavra trungjesh apo shportash, si dhe “koka të nderuara mbi litar”, janë imazhe të një jete që mbart fragmente të historisë së dhimbshme ballkanike”.
Vetë Omeri sa i përket ngjyrës së kuqe, shprehet: “Si fëmijë e mbaj mend kur në fshatin tim të lindjes u dogjën disa kasolle. Unë e përgjoja flakën që dilte dhe së fundi kur e gjithë u bë shkrumb me një shkop e prekja hirin që nxjerrke shpuzë dhe xixa, ishte një ngjyrë që në atë kohë krijojë dhimbje dhe varfëri”. Omer Kaleshi jo vetëm si piktor por edhe si njeri i është përkushtuar krijimit të njeriut human e të gjithanshëm, me kulturë dhe modestin e tij të lartë ai është shembull i njeriut pa atdhe, se kokat e tij kanë një atdhe shumë më të madh se atdheu i ëndërruar i çdo koke që preferon ngjyen e kuqe. Vepra e tij bëhet urë lidhëse duke kapërcyer ndasitë në mes racave, feve dhe gjithë moskuptimet. Ozdemir Ince do shkruaj: “unë e njoh metodën e tij: ai e rreh gjithçka me mullirin e tij (me ujë apo me erë). Kështu, me miellin e bluar, ai bënë bukë të cilën ua shpërndan me bujari të tjerëve. Bukë të bekuar! Veç kësaj në një alambik të veçantë, ai distilon dhunat, urrejtjet, tërbimet, gjakun, fëlliqësitë e Ballkanit e të botës. Thuhet se Omeri është piktor, por gabohen. Ai është një alkimist i paqes. Betohem se ai mund ta kalojë Bosforin më këmbë”.
Kur flasim për veprën e Omerit patjetër që të prekim jetën e tij, e kur flasim për jetën e tij ne thellohemi në vepër. Tek asnjë personalitet i artit sado i fuqishëm që të jetë nuk i gjen jetën dhe veprën aq të lidhura ngushtë, të pandara. Shpesh kemi dëgjuar të thuhet se: “Omeri është kurorëzuar me artin”. Por të bisedosh me Omerin padyshim që do e ndërrosh ketë mendim, do e ndërrosh kur do bindesh se vepra dhe jeta e tij janë një dhe e pandarë. “Ai thotë se nuk përdor gjatë punës, asnjë model”, siç bëjnë shumica e piktorëve. Pikturon gjithmonë vetëm dhe me një rast thotë se; “Unë ende nuk e kam pikturuar kokën e babait dhe nuk mundem ta bëj atë, e pse ta bëjë hundën ashtu si e ka pasur ai, unë kur pikturoj dua të jem plotësisht i lirë, piktura të shpreh imazhin lirshëm, për mua është obligim i madh të pikturoj në bazë të modelit. Unë s’mund të bëjë diçka që është e bërë. Thjeshtë dua të jem i lirë, plotësisht i lirë në atë që bëj”, kjo që thotë piktori ka një domethënie shumë të madhe. Mu ky mendim e bënë të bashkuar dhe të pandarë jetën dhe veprën e piktorit. Ai kërkon të jetojë plotësisht i lirë, i lirë pa asnjë obligim mu për këtë Omeri ka bërë që atelieja e tij në bulevardin Arago të Parisit të jetë edhe banesa e tij. Ai aty ku punon edhe jeton, aty pret miqtë e dashamirësit, aty nën erën e ngjyrave të tij vizitorët pinë kafe e ia shtrojnë bisedës, aty poeti e shkrimtari marrin inspirimin nga vepra dhe tymi nga llulla e Omer Kaleshit. Arti i Omerit ka depërtuar në të gjitha galeritë e botës. Ai vetë nuk dëshiron të flas për pikturën e cila është vetëm një imazh. Është një detaj i një pjese të jetës së një njeriu. Dhe një mori poetësh janë prekur dhe gati cdo pikture i kanë kushtuar vargje që e përcjellin veprën e poetit. Çdo pikturë e tij tani më është edhe një poezi. Por pse të gjithë këto koka. Babi i Omerit ishte shumë fetar dhe me një rast ai i thotë djalit: “Çka janë gjithë këto bir, a e din që në botën tjetër të gjithë kanë me të kërkuar shpirt” ngase ai kështu e kuptonte dhe mendonte.
Kur këto fjalë Omeri ia tregoi shkrimtarit të madh Ismail Kadare, ai shkroi veprën “Arti si mëkat”. Ajo çka vjen si komunikim e njerëzve të mëdhenj është edhe shoqërimi i tij me veprën e piktorit të madh spanjoll Goya. Vetë Omeri piktorin e kishte zgjedh si mjeshtër, dhe një kohë kishte udhëtuar deri në Spanjë për të vizituar galerinë ku ekspozohen veprat e tij. Goya kishte ndërruar jetë në Bordo të Francës. Spanja kishte kërkuar që eshtrat e tij të barten në atdhe dhe kjo kishte ndodhur shumë kohë më vonë kur Omeri ishte me kokat e tij ishte bërë shumë i njohur në botën e artit. “Kur spanjollët e i morën eshtrat e piktorit Goya atij i mungonte koka. Dikush për ndonjë qëllim ia ka marr kokën. “Dhe mua një regjisor i njohur që tani nuk dua t’ia them emrin, se ka një projekt në kokën e tij më thotë se do vij që tek kokat tua të gjej kokën e Goyas. Kjo është krejt e rastësishme, mjeshtërit tim i mungon koka, gjë të cilën unë nuk e kam ditë dhe unë pikturoj koka” thotë Omeri. Përveç gjashtë librave me autor të ndryshëm për Omerin deri më tani janë xhiruar tre filma dokumentarë. Filmi i parë është bërë në vitin 1995 me titull: “Artistët turq në Paris”. Filmi është realizuar nga Televizioni turk, dhe është shoqëruar me intervista të shkrimtarëve si Ismail Kadare, Jacques Lacarriere, Nedim Gursel etj. Filmi i dytë me titull “Një njeri në Ballkan” është realizuar në vitin 2002 nga Ljube Cvetanoski me skenar të Jordan Plevnesh dhe flet mbi botën pikturave të Omerit. Filmi përmban imazhe të xhiruara në Maqedoni, Turqi dhe Shqipëri është shfaqur në vitin 2002. Filmi i tretë dokumentar është realizuar nga Esat Musliu dhe Esat Ibro me skenar nga Luan Rama në vitin 2005. Premiera e filmit u organizua në Tiranë më 17 maj 2005, në sallonet e Galerisë Kombëtare të Arteve. Filmi u xhirua në Shqipëri, në Maqedoni dhe në vendlindjen e piktorit në Kërçovë. Ai vazhdon që të jetojë në Paris. Pa dyshim që është një piktor i madh dhe siç shprehet vetë, një njeri “ballkanik”. “Unë së pari preferoj të jem njeri dhe të komunikoj me të gjithë njëjtë dhe pa urrejtje. Dua që të dhuroj nga vetja ime, të gjithë atë që t’u shërbej njerëzve” thotë ai. Dashuria e tij për njeriun është e pakufishme ashtu si liria e tij për të krijuar.