MENU
klinika

Në listën e Perëndimit...

Oligarku rus sulmon Putinin: Luftë e çmendur!

20.04.2022 - 19:53

         Vjen reagimi me qëndrimin e rreptë, nga miliarderi rus, për agresionin e Moskës dhe luftën e Presidentit Putin në Ukrainë.

Teksa ka shkruar në “Instagram”, Oleg Tinkov tha se pushtimi rus i Ukrainës dhe “lufta e çmendur” që ka pasuar, nuk ka asnjë përfitim. Këto janë deklarata të rralla nga miliardët e Rusisë, të cilët, janë pasuruar gjatë sundimit të Putinit dhe kryesisht, kanë qenë të heshtur qyshse Moska nisi atë që e quan “operacion të posaçëm ushtarak”, të 24 shkurtit.

“Nuk shoh asnjë përfitues të kësaj lufte të çmendur! Po vriten njerëz të pafajshëm dhe ushtarë” – shkroi ai në postimin e 19 prillit, që tashmë ka mbledhur mbi 120,000 përkrahje (pëlqime) në rrjet.

Komentet e Tinkovit vijnë teksa forcat ruse kanë përqendruar operacionet në lindje dhe në jug të Ukrainës, kryesisht në vijën bregdetare të Detit të Zi.

Forcat ruse janë akuzuar nga “Human Rights Watch”për krime lufte dhe mizori, në rajonet e Çernihivit, Harkivit dhe Kievit. Si pasojë e pushtimit, mbi 5 milionë ukrainas janë larguar nga vendi.

Tinkov, që sipas Indeksit të Miliarderëve të “Bloomberg”, ka pasuri prej 3.5 miliardë dollarësh, është një prej pak oligarkëve, që kanë shprehur shqetësim lidhur me pushtimin rus të Ukrainës. Ai po ashtu, është në mesin e oligarkëve nën sanksionet nga Perëndimi – masat si presion ndaj Kremlinit dhe personave përreth Putinit.

Muajin e kaluar, miliarderi Oleg Deipaska, që njihet për lidhjet e ngushta me Putinin, shkroi në “Twitter”, se lufta në Ukrainë duhet të ndalet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Por, kritikat e Tinkovit, janë më të thella.

“Gjeneralët po zgjohen me dhimbje koke dhe po e kuptojnë se kanë një ushtri të katranosur”, – shkroi Tinkov, duke shtuar se, me nepotizmin e shfrenuar që ka “katranosur gjithçka tjetër në shtet”, gjendja në të cilën ushtria ruse paraqitet, nuk duhet të jetë befasi.

“Zyrtarët e Kremlinit janë të shokuar që, jo vetëm ata, por as fëmijët e tyre, nuk do të mund të shkojnë në Mesdhe, gjatë verës. Biznesmenët po tentojnë të shpëtojnë pronat e mbetura”, – shtoi ai.

Tinkov, po ashtu sulmoi “budallenjtë” që po përdorin simbolin “Z” – simbol të është përdorur nga forcat ruse, për makinat ushtarake – teksa tha se kjo pjesë e shoqërisë, përfaqëson vetëm 10 për qind të shtetit pasi, sipas tij, 90 për qind e rusëve “janë kundër kësaj lufte”.

“I dashur Perëndim, ju lutem gjejini rrugëdale zotit Putin, që të shpëtojë veten dhe ta ndalë këtë masakër” – ishin fjalët therëse të miliarderit rus.