MENU
klinika

Nga Eduard Zaloshnja

Të paktën 40% në vathën ramiste; 60% andej-këndej…

22.04.2022 - 10:08

Rama, historikisht, në sondazhet kombëtare që janë publikuar (apo privatë që kam zhvilluar ose kam parë), nuk ka pasur kurrë më pak simpatizantë se 40% e banorëve të rritur të Shqipërisë (kuotat e tij në sondazhe ishin më të larta edhe se të Fatos Nanos, kur ky i fundit ishte kryeministër).

Nga një sondazh që publikova dje, rezulton se kuotat e Ramës vazhdojnë mbi 40% — ndër tre politikanët kryesorë, ai preferohet sot nga 42.1% e banorëve të rritur (shihni Garafikun 1). Ndërkohë, rivalin e tij të drejtpërdrejtë, Berishën, e preferojnë vetëm 23.6% e banorëve të rritur. Ndërsa 30.1% e banorëve të rritur janë aktualisht në sinorin e abstenimit…

Të paktën 40% në vathën ramiste; 60% andej-këndej…
Qëndrushmëria e kuotave personale të Ramës është përkthyer edhe në qëndrushmëri elektorale të koalicionit që ai ka udhëhequr pas largimit të Nanos nga politika. Qysh kur Rama arriti të shtjerë në dorë drejtimin e Partisë Socialiste (me ndihmën e Gramoz Ruçit etj.), partitë e koalicionit të udhëhequr prej tij (PS+PSD+PDS+Etj.) kanë pasur një stabilitet të jashtëzakonshëm elektoral në zgjedhjet parlamentare (si kur ishin në opozitë, edhe kur erdhën në pushtet). Turbulencat elektorale të kohës së skizmës Meta-Nano u harruan pas humbjes së këtij të fundit më 2005.

Duke filluar nga zgjedhjet e 2009-ës e deri më 2021, PS+PSD+PDS+Etj. kanë marrë votat e 40%-41% të banorëve të rritur të Shqipërisë, ndërsa 59%-60% e banorëve të rritur janë endur sa tek PD+satelite, sa tek LSI, apo thjesht tek bojkotimi i votimit (shihni Garafikun 2).

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN