MENU
klinika

Për sa miliarda dollarë bëhet fjalë?

Ukraina apel BB dhe FMN për të financuar rindërtimin

22.04.2022 - 12:14

Presidenti Volodymyr Zelenskiy u tha pjesëmarrësve në takimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar se, Ukrainës i duhen 7 miliardë dollarë në muaj për të kompensuar humbjet ekonomike të shkaktuara nga pushtimi rus. Ai theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të përjashtojë Rusinë menjëherë nga institucionet financiare, përfshirë Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar etj.

Zelenskiy në një lidhje video, u bëri thirrje vendeve që kanë vendosur sanksione dhe ngrirje mbi asetet ruse që t’i përdorin ato para’ për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës pas luftës dhe për të paguar për humbjet e pësuar nga vendet e tjera.

Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, tha se dëmet fizike në ndërtesat dhe infrastrukturën e Ukrainës nga pushtimi rus kanë arritur afërsisht 60 miliardë dollarë dhe do të rriten më tej ndërsa lufta vazhdon.

Konferenca në kuadër të takimeve pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore përfshiu zyrtarë financash nga një numër vendesh, si dhe Sekretaren e Thesarit të SHBA-së, Janet Yellen, e cila më herët tha se Shtetet e Bashkuara do të dyfishonin angazhimin e drejtpërdrejtë për ndihmën joushtarake në 1 miliard dollarë.

Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal, i cili mori pjesë në konferencë, tha se PBB-ja e Ukrainës mund të bjerë me 30% deri në 50%, me humbje direkte dhe indirekte që arrijnë në 560 miliardë dollarë deri më tani. Ky total është mbi tre herë më i madh se ekonomia e Ukrainës, në 155.5 miliardë dollarë në vitin 2020, sipas të dhënave të Bankës Botërore.

“Nëse nuk e ndalojmë këtë luftë së bashku, humbjet do të rriten në mënyrë dramatike,” tha Shmyhal, duke shtuar se Ukrainës do t’i duhej një plan rindërtimi i ngjashëm me Planin Marshall të pas Luftës së Dytë Botërore që ndihmoi në rindërtimin e Europës së shkatërruar nga lufta.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut

Kovaçevski: Lufta në Ukrainë, pasoja për ekonominë