Pandemia duket se është drejt fundit. Situata epidemiologjike është përmirësuar ndjeshëm gjatë dy muajve të fundit. Kjo ka sjellë që shume shtete në Evropë kanë lehtësuar masat kufizuese të pandemisë që ishin në fuqi thuajse dy vite. Një ndër masat e para që u mor ishte e heqja e karantinës, e cila u pasua me më shumë liri levizjeje dhe ulje të kujdesit sa i përket mbajtjes së maskës, vizitave nëpër muze, teatro, kinema, etj.
Pak javë më parë, Gjermania, që gjatë pandemisë aplikoi rregullat më strikte, njoftoi heqjen e plotë të kufizimeve.
Detyrimi për mbajtjen e maskave është vetëm në vende të tilla si spitale, shtëpitë e kujdesit dhe të moshuarve, në automjetet e transportit publik, në trena dhe avionë. Në vendet përveç këtyre përdorimi i maskës është hequr.
Pas dy vitesh bashkëjetesë me pandeminë, Franca hoqi pjesën më të madhe të kufizimeve, përfshirë Green Pass dhe mbajtjen e maskave në ambiente të jashtme. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe shtete të tjera si Britania, vendet skandinave, Holanda, Italia fqinje, etj.
Po ashtu edhe vendet e rajonit kanë njoftuar lehtësimin e kufizimeve. Kosova prej javësh ka hequr orën policore gjatë natës, ndërsa Maqedonia e Veriut hoqi përdorimin e maskave në ambiente të hapura.
Ndërkohë që ndodh kjo në Europë dhe vendet më të përparuara janë hapur, Shqipëria po ecën në krah të kundërt. Komiteti teknik i ekspertëve në mars njoftoi heqjen e disa kufizimeve si ora policore dhe maska në ambiente të hapura, por kjo nuk mjafton.
Ndërkohë, për të gjithë qytetarët që hyjnë në Shqipëri, kërkohet paraqitja e pasaportës së vaksinimit ose e testit PCR negativ. Kjo masë është ende në fuqi, ndërkohë që kanë mbetur vetëm pak dita nga hapja zyrtare e sezonit turistik, ku pritet vërshimi i vizitorëve, tashmë sipas rregullave të Komitetit të Ekspertëve duhet të vallëzojnë darkave nëpër pub-e pa muzikë, pas orës 23:00.
Gjithçka ndodh në një kohë kur në vend nuk numërohen më shumë se 30-40 të prekur në ditë, ndërsa për fat të mirë ka kohë që nuk raportohet për të shtruar në spitale apo fatalitete.