MENU
klinika

Analiza e Project Syndicate

Çfarë do të thotë zgjerimi verior i NATO-s për Evropën?

23.04.2022 - 09:25

Teksa rezultati i mundshëm i luftës së Vladimir Putin kundër Ukrainës mbetet i paqartë, agresioni rus tashmë ka ndryshuar rendin evropian të sigurisë në mënyra të rëndësishme.

Krahasimi i vetëm historik modern evropian është pushtimi i Hitlerit në Poloni në shtator 1939. Të dy rastet përfshinin sulme të paprovokuara në shkallë të gjerë ndaj një vendi fqinj me synimin për ta eliminuar atë.

Hitleri refuzoi të pranonte ekzistencën e një Polonie të pavarur; Putin refuzon të pranojë realitetin e një Ukrainë të pavarur.

Pushtimi i Putinit erdhi si një tronditje për qeveritë evropiane. Shumica e liderëve evropianë kishin injoruar paralajmërimet e SHBA-së për një sulm të afërt, duke arsyetuar se megjithëse Putini mund të jetë i paparashikueshëm, ai nuk kishte gjasa të bënte ndonjë gjë kaq të paarsyeshme.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, u trajtua shumë keq në vizitën e tij të parë në Moskë në fillim të vitit 2021; por shumica e qeverive evropiane ende besonin se diplomacia mund të nxiste një marrëdhënie më të qëndrueshme.

Ky iluzion u shkatërrua më 24 shkurt, i cili u bë 11 shtatori i Evropës: një alarm global dhe gjeopolitik me dy pasoja kryesore.

Së pari, shpenzimet ushtarake do të rriten në të gjithë Evropën. Pas vitesh zvarritjeje, pothuajse të gjithë anëtarët evropianë të NATO-s po tregojnë përpjekje për të arritur synimin për të shpenzuar të paktën 2% të PBB-së për mbrojtjen. Ekonomia më e madhe e Evropës, Gjermania, do të shtojë ekuivalentin e 0.5% të PBB-së në shpenzimet e saj të mbrojtjes në vetëm një vit.

Së dyti, NATO do të forcohet në disa mënyra.

Përveç rritjes së pranisë së saj ushtarake në shtetet anëtare ngjitur me Rusinë, aleanca është gati të pranojë Finlandën dhe Suedinë. Të dy shtetet kanë zhvilluar marrëdhëniet e tyre me NATO-n që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe inkursionet në Ukrainën lindore, por tani ata do të ndërmarrin hapin kritik për të aplikuar për anëtarësim formal.

24 shkurti krijoi një situatë krejtësisht të re sigurie për Finlandën dhe Suedinë, sepse tregoi brenda natës se Rusia është në duart e një regjimi që do të përdorë forcën ushtarake për të imponuar planet e saj perandorake në Evropë. Meqenëse Finlanda luftoi me Bashkimin Sovjetik në vitet 1939-40 dhe kishte qenë pjesë e Perandorisë Ruse për një shekull para vitit 1917, pushtimi i Ukrainës i bindi menjëherë liderët e saj që të kërkonin anëtarësimin në NATO.

Marrëveshja e brishtë e Finlandës me Bashkimin Sovjetik, dhe më vonë me Rusinë, ishte një nga arsyet kryesore pse edhe Suedia qëndroi jashtë NATO-s.

Pas pranimit të Norvegjisë dhe Danimarkës në aleancë në fund të viteve 1940, Suedia ndoqi një politikë neutraliteti të Luftës së Ftohtë të mbështetur nga forca të forta mbrojtëse.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Finlanda dhe Suedia u bashkuan me Bashkimin Evropian në 1995 dhe gradualisht thelluan bashkëpunimin e tyre të mbrojtjes me NATO-n, dhe në këtë mënyrë me Shtetet e Bashkuara. Anëtarësimi i plotë në NATO u konsiderua si një opsion i mundshëm për një datë të mëvonshme. Por shumica e qytetarëve ishin ende skeptike ose kundër.

Por 24 shkurti e ndryshoi këtë. Ka ende procese politike të brendshme për t’u kryer, tani është praktikisht e sigurt që të dy vendet do të dorëzojnë aplikime për anëtarësim shumë përpara samitit të NATO-s në Madrid në fund të qershorit.

Opinioni publik ka ndryshuar në mënyrë dramatike javët e fundit. Në Suedi, të gjitha partitë kryesore politike, përveç ish-partisë komuniste dhe Partisë së Gjelbër, tani favorizojnë anëtarësimin; në Finlandë, të gjitha partitë politike nga e djathta në të majtë kanë treguar mbështetjen e tyre.

Ne jemi dëshmitarë të një ndryshimi politik, e gjitha kjo për shkak të delirit perandorak të Putinit.

Pranimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do të ndryshojë arkitekturën evropiane të sigurisë në dy mënyra të rëndësishme.

Së pari, Evropa Veriore do të fitojë kapacitetin për të koordinuar forcat e konsiderueshme të mbrojtjes në mbarë rajonin. Suedia dhe Finlanda do të pajisin NATO-n me aftësi të reja të rëndësishme, siç është demonstruar tashmë nga stërvitjet e rregullta të trajnimit të forcave ajrore që ata zhvillojnë me Norvegjinë. Për më tepër, NATO do të ketë një kapacitet më të madh për të kontrolluar Detin Baltik dhe në këtë mënyrë për të siguruar mbrojtjen e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.

Së dyti, anëtarësimi suedez dhe finlandez do të përforcojë shtyllën evropiane brenda NATO-s. Të dy vendet janë përkrahës të zhvillimit të dimensionit të mbrojtjes dhe sigurisë së BE-së, dhe të forcimit të lidhjeve transatlantike, duke përfshirë marrëdhëniet e rëndësishme të sigurisë me Mbretërinë e Bashkuar.

NATO do të mbetet garantuesi kryesor i mbrojtjes territoriale, ndërsa BE-ja – me arsenalin e saj të politikave – do të bëhet një aleancë gjithnjë e më e rëndësishme sigurie dhe koordinimi mes të dyjave do të shtohet.

Një zhvillim i rëndësishëm për t’u parë do të jetë referendumi i 1 qershorit i Danimarkës për të hequr kufizimet për pjesëmarrjen e vendit në politikat e sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së.

Të gjitha së bashku, këto hapa do të forcojnë ndjeshëm potencialin e mbrojtjes të të gjithë rajonit nordiko-baltik.

Një mbrojtje më e fortë do të mbetet vendimtare për sa kohë që Kremlini mbetet në drejtimim e tij aktual. Por evropianët veriorë gjithashtu duhet të kujdesen që të mos provokojnë Rusinë, e cila ka burime të rëndësishme dhe qendra ekonomike afër Suedisë dhe Finlandës. Shën Petersburgu është qyteti i dytë më i madh i Rusisë dhe një zonë e madhe industriale; dhe Gadishulli Kola është vendi i bazave ruse të nëndetëseve dhe objekteve të tjera.

Udhëheqësit rusë e përshkruajnë projektin e tyre perandorak si një “luftë për jetë a vdekje”. Duke e marrë seriozisht këtë, Finlanda dhe Suedia nuk e shohin më anëtarësimin në NATO si një zgjedhje strategjike. Që nga 24 shkurti është kthyer në një imperativ ekzistencial.

Carl Bildt ishte ministër i jashtëm i Suedisë nga viti 2006 në 2014 dhe kryeministër nga 1991 deri në 1994, kur ai negocioi pranimin e Suedisë në BE. Një diplomat i njohur ndërkombëtar, ai shërbeu si i dërguar i posaçëm i BE-së në ish-Jugosllavi, Përfaqësues i Lartë për Bosnje dhe Hercegovinën, i dërguar i posaçëm i OKB-së në Ballkan dhe bashkë-kryetar i Konferencës së Paqes të Dejtonit. Ai është bashkëkryetar i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Burimi: Project Syndicate

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Lëvizja që mund të zemërojë Moskën

Dy shtetet që shumë shpejt mund t’i bashkohen NATO-s