Armando Broja ka pranuar se ka idhull Cristiano Ronaldon, por në të ardhmen mund të bëhet partneri i sulmit të futbollistit portugez. Kjo është një nga hipotezat e bujshme që ka qarkulluar në shtypin britanik së fundmi sa i përket të ardhmes së sulmuesit shqiptar.
Sulmuesi shqiptar ka hyrë në radarët e Manchester United. Që kur “Djajtë e kuq” emëruan Erik Ten Hag në pankinën e tyre për sezonin e ardhshëm, ka nisur gara për të mësuar emrat e atyre që do të jenë përforcimet për edicioni e ri.
E vetmja gjë që është arritur të mësohet është që klubi ka nisur negociata me “një sulmues të ri të Premier League”. Gazeta “Daily Express” ka analizuar situatën dhe sheh vetëm 5 opsione të mundshme që përmbushin disi këto kushte dhe ai që i afrohet më shumë është Armando Broja.
“Duke parë se Broja është vetëm 20 vjeç, duket sikur ai është emri në diskutim këtu. Shqiptari është përshtatur me futbollin profesionist në Premier League si një rosak në ujë dhe është e lehtë ta kuptosh pse United mund të jetë i interesuar për të.
Broja ka shënuar 6 gola në 30 ndeshje deri më sot në këtë sezon ku është në huazim te Southampton. Por ishte një javë ku ai bezdisi si United, ashtu edhe Tottenham, ajo që në të vërtetë tregoi cilësitë e tij.
Nëse Chelsea do të ishte i gatshëm të shesë Brojën, për më tepër te një rival, kjo mbetet për t’u parë”, shkruan gazeta britanike, e cila sheh si kandidatë të tjerë për Manchester United sulmuesit Richarlison, Toney dhe Nketiah.