MENU
klinika

Pritet publikimi i emrave fitues

Përfundon numërimi i votave për anëtarët e Këshillit Kombëtar

01.05.2022 - 14:00

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Komisioni i Rithemelimit ka përfunduar procesin e numërimit për 150 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar. Emrat, Rithemelimi pritet t’i publikojë brenda së dielës, ndërsa pjesë e këshillit bëhen në mënyrë ex-officio deputetët dhe krerët e degëve të sapozgjedhur. Menjëherë sapo të konstituohet, Këshilli i PD, duhet të zgjedhë kryetarin e Këshillit, mes dy kandidaturash që do të propozohen nga Rithemelimi. Po ashtu para 22 majit, Këshilli duhet të zgjedhë edhe kryesinë e re të PD.

Një ditë më parë, Sali Berisha i la detyrë që Këshilli Kombëtar të zgjedhë edhe zëvendësuesin e Enkelejd Alibeajt, të cilin e shkarkoi nga posti i kreut të grupit, pavarësisht se ky i fundit dhe grupi i tij nuk njohin asnjë vendim të Sali Berishës.

Mes emrave për kandidatë për anëtarë të institucionit të dytë më të rëndësishëm të PD vihen re besnikë të ish-kryeministrit Sali Berisha, ku nuk kanë munguar edhe ish-funksionarë të lartë në kohën e qeverisjes së PD-së. Kanidatë për anëtarë janë edhe ish-ministri Spiro Ksera, i dënuar nga gjykata e Tiranës me 8 muaj burg, për vjedhje dhe shpërdorim të detyrës. Po ashtu janë edhe emra të njohur si aktori, Bujar Kapexhiu dhe epidemiologu Ilir Alimehmeti, të cilët ishin së fundnmi në tryezën e përbashkët që Berisha bëri për arsimin, moderadorja Fjoralba Dizdari, aktori Julian Deda, këngëtari Renis Gjoka si edhe aktorja Rajmonda Bulku.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN