Superliga në basketboll për meshkuj ka ulur siparin e ndeshjeve të sezonit të rregullt me takimin e prapambetur Vllaznia-Teuta, luajtur në Shkodër dhe fituar nga vendasit 77-70.
Për durrsakët një ndeshje që ishte për statistikë, pasi e kishin siguruar kreun, ndaj për ta humbja nuk ndikoi në renditje. Shkodranët e dominuan ndeshjen dhe merituan fitoren, sfidë ku u dallua amerikani Butler me 21 pikë.
Ndërsa për durrsakët më i miri ishte Core me 19 pikë. Teuta e mbylli sezonin e rregullt në vendin e parë, ndërsa Vllaznia, falë këtij suksesi, parakalon Kamza Basket dhe renditet e treta. Më 4 maj do të nisin gjysmëfinalet play off, mes 4 skuadrave më të mira.
Përballjet gjysmëfinale janë Teuta-Kamza Basket dhe Tirana-Vllaznia. Durrsakët dhe bardheblutë do të kenë faktorin fushë në favorin e tyre, në finale kualifikohet skuadra që fiton dy nga tri sfidat gjysmëfinale.