MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Nëse Kosova do të ketë ndonjëherë ndonjë kryeministër serb!

01.05.2022 - 19:12

Ka një ngazëllim në Tiranë e ngado në treva shqiptarësh për fitoren e politikanit shqiptar Dritan Abazoviç, duke e konsideruar gati si një fitore të shqiptarizmës në Ballkan. Përkundrejt të gjithë vlerësimeve dhe perceptimeve, zgjedhja e Abazoviç është një cak i mirë…për Malin e Zi. Sesa do të ndryshojë ai gjendjen dhe realitetet e shqiptarëve, kjo ha shumë vend për diskutim. Megjithatë, ky realitet ka sjellë një perceptim tjetër interesant dhe kjo lidhet me faktin e një standardi që Mali i Zi po i tregon Ballkanit: Mëndjehapja e komshinjve tanë veriorë stonon shumë me politikën e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe kuptohet Serbisë. E para, si vendi ku politika ruse ka pasur afeksionet më të mëdha historike dhe qëndrimin që ka mbajtur qeveria e Podgoricës duke i treguar vendin; e dyta me realitetet ndaj grushtit të shtetit; e treta ndaj përballjes së ndikimit serb, ku kulmi arriti me konfliktin e Kishës në Cetinjë. Tek kjo e fundit, duket se roli i Abazoviçit ishte disi i diskutueshëm, porse mbase ky nuk është argument yni.

Shqetësim është se paralelet që po hiqen nga Rusia me Kosovën po na bëjnë që të mendojmë se për Prishtinën, ditë edhe më të vështira janë përpara saj. Edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës po sigurojnë vazhdimisht sigurinë e Kosovës dhe garancinë, përmendja e herëpashershme e presidentit Putin për çdo justifikim të shkeljeve të tij në Ukrainë e ngado, na bën të gjykojmë se zgjedhjet e dy superfuqive të ofrojnë surpriza. Që do të thotë se insistimi i vazhdueshëm nga Brukseli por edhe i palës amerikane për Asosacionin e Komunave serbe, si edhe dialogun e ka një qëllim përtej asaj që po gjykojmë dhe që duam ne, shqiptarët. E nëse pala serbe ka fituar kohë, ka shmangur presione që e detyronin para pak muajsh deri për njohjen e Kosovës, tashmë i duhet të përballë një situatë të re, ku nuk është më aq inferiore sa dikur. Kjo shihet nga përkëdhelja e Brukselit sa i përgjigjet sanksioneve ndaj Moskës zyrtare, mbyllja e syve për marrëdhënien e saj me Rusinë por edhe retorikën gjithnjë me tonalitete më të larta të presidentit Vuçiç. Krejt ndryshe nga Mali i Zi, serbët e Kosovës që nuk i shkojnë pas avazit Listës Serbe, përballen me problematika mbijetese dhe identiteti, që nuk mohohen, që vinë jo vetëm që nga indiferenca e Kosovës por edhe fokusi i largët i Beogradit. Janë pikërisht ata, që ia thoshin në sy të gjitha këto ish-presidentit kosovar Thaçi dhe ky i fundit u premtonte ndihmë. Që kuptohet nuk është se ndryshoi shumë edhe paskëtaj, aman i tregoi se janë pjesë e Kosovës dhe madje me kërkesa të larta për jetën e tyre në shtetin e tyre të përbashkët me shqiptarët.

Megjithatë, larg kësaj, superfuqitë kanë axhendat e tyre ndërsa në retorikat e tyre të gjithë ne të vegjlit përdoremi. Krastev dhe Holms në librin e tyre “Drita që u shua” përmendin faktin e një artikulli të shkruar një dekadë më parë në Neë York Times nga Putin për perceptimet e sotme të superfuqive. “Është diçka jashtëzakonisht e rrezikshme t’i shtysh njerëzit të mendojnë për veten se janë eksepcionalë, cilidoqoftë motivimi. Ka ende të mëdhenj dhe ka vende të vegjël, të pasur e të varfër, të tillë me një traditë të gjatë demokratike dhe të tjerë që ende rreken të gjejnë rrugën drejt demokracisë. Politikat e tyre ndryshojnë, gjithashtu, Ne jemi që të gjithë të ndryshëm, por kur i kërkojmë Zotit të na jap bekimin, nuk duhet kurrsesi të harrojmë se Perëndia na krijoi të barabartë”. Pak cinike por realisht domethënëse për të treguar balancat dhe cakun ku shkoi bota. Pak orë më parë, kjo iu referua në sy shefit të OKB-së në Moskë, duke e përdorur Kosovën.

A është thjesht kompleksi rus ndaj ndikimit të ekzagjeruar të SHBA-së apo ajo që ish-presidenti Trump u përpoq të bënte?! Për fat të keq dhe këtu po citojmë dy artikullshkruesit e mësipërm, nu është habi të përballemi me surpriza, duke pasur parasysh mënyrën sesi Trump ose politika pro tij mbijeton në SHBA.

Koha na mëson se mësimet e Woodrow Wilson, njeriut që ndihu dhe pavarësinë tonë, po tejkalohen. A do të jenë gjithnjë fjalët: “Ju jeni amerikanë dhe e keni për detyrë të mbartni lirinë, drejtësinë dhe parimet e humanizmit kudo që shkelni”, garanci? Ukraina na mësoi se garancia nuk ekziston në këtë kohë dhe as premtimet.

Koha po tregon gjëra të ndryshme, ndërsa Ballkani duket se ka nevojë për emancipim të gjerë politik dhe rasti i Malit të Zi të jep të kuptosh se nuk mund të jetë habi që në të ardhmen edhe në Kosovë mund të ketë kryeministër serb, por jo si konjukturë por si vetëdije e zhvillimeve normale, që për fat të keq serbët ende janë larg të bërit palë. Mbi të gjitha, Kosova duhet të përgatitet për sfida, që janë krejt të panjohura në këtë botë, ku vendet e vogla janë të pafuqishme që agresorëve si Putini t’ua mbyllin gojën.