I riu Ilvi Meta u gjet pa shenja jetë në ambientet e komisariatit të policisë së Kavajës. Dyshimet e para janë se ai ka varur veten, pasi ishte ndaluar sot nga policia për vjedhje, por familjarët akuzojnë policinë se ka ushtruar dhunë ndaj djalit të tyre.
Agim Meta, babai Ilvi Metës thotë se djalin ia morën duke e akuzuar për vjedhjen e një dere alumini. Ai tregon edhe si e ka marrë vesh lajmin e trishtë, pasi ishte duke pirë kafe në lokal dhe i kanë thënë shko në shtëpi se diçka ka ndodhur.
“Polici qensh, polici qensh janë, e morën paradite bënë kontroll në shtëpi, edhe thanë do ta sjellim, s’ka gjë s’ka gjë edhe ikën. E akuzuan për vjedhjen e një dere alumini. Nuk e di, unë isha në një lokal duke pirë kafe me një shok, vetëm kur më thanë Agim ik tek shtëpia se ka ndodh diçka. Kur shkova në shtëpi gjeta gruan, vajzën duke qarë. Nuk më kanë thënë asgjë, qoftë policia, kryeministri Edi Rama që mos e bëfshin pikën e hajrit. Nuk e di s’më ka ardhur asnjë informacion. S’më kanë thënë asgjë, do ta zbardh këtë gjë”, tha babai për TCH.
Reagim i Policisë së Shtetit për ngjarjen
Lidhur me ngjarjen e ndodhur sot, në Komisariatin e Policisë Kavajë, ku në dhomat e sigurisë u gjet pa shenja jete, shtetasi I. M., i dyshuar si i vetëvarur, i cili ishte ndaluar mesditën e sotme, informojmë se:
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka dërguar menjëherë në Komisariatin e Policisë Kavajë, një grup inspektimi, të përbërë nga specialistë të Departamentit të Sigurisë Publike dhe të Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar nëse janë zbatuar ose jo procedurat standarde për sigurinë e personave të shoqëruar, të arrestuar dhe të ndaluar nga ana e Komisariatit të Policisë Kavajë.
Veprimet hetimore po kryhen nga një grup i posaçëm hetimor i Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë.
Policia e Shtetit nuk është pjesë e këtij hetimi.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar dhe e interesuar për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.