Për mijëravjeçarë, artizanati mbizotëroi shoqëritë.
Mungesa e makinerive kompensohej nga mjetet, dora dhe mendja e njeriut. Mjeshtëria është baza e artit, pra evolucioni i tij suprem. Në atë periudhë, kishte shtresa aristokrate që kishin vetëvlerësim dhe donin të dekoronin shtëpitë, madje edhe tempujt e shenjtë, e kam fjalën për aristokracitë priftërore që synonin t’i linin si kujtim për më pas. Shoqëruesi besnik i artit është pavdekësia. Aristokracia priftërore dhe aristokracia luftëtare kishin një marrëdhënie të domosdoshme me aristokracinë e artistëve dhe kjo marrëdhënie zgjati për mijëvjeçarë. Paratë në vetvete konsideroheshin të neveritshme./Konica.al
Filozofia greke, filozofët grekë, individin që bënte para e konsideronin të pandershëm, madje edhe format legjendare flisnin për njerëz që shndërronin gjithçka që ekzistonte në para (“çdo gjë që prek i bëhet para”), duke demonstruar se paraja është vdekje nëse nuk shndërrohet në jetë, domethënë në art. Një modifikim rrënjësor i këtyre kushteve ndodhi në shekullin e tetëmbëdhjetë, kur u shpikën makinat. Makinat prodhonin pa hesap, shpejt dhe mbi të gjitha nuk kishin nevojë për mjeshtëri, përkundrazi, puna ishte e përsëritur, gati e çmendur dhe nuk kërkonte dorën e njeriut. Në të njëjtën kohë, pati një rezultat madhështor, prodhimi kërkonte punësim, punësimi shkaktonte paga, pagat gjeneronin konsum, konsumi favorizonte prodhimin, pra punësimin, pastaj pagat, pastaj konsumin.
Është risia mahnitëse e kapitalizmit, që në këtë trajektore pandehte se kishte gjetur zgjidhjen për të mirën shoqërore, më saktë të mirëqenies sociale, sepse midis së mirës dhe mirëqenies është në lojë moderniteti. Artistët, të cilët janë artizanë, e kuptuan me furi gravitetin e makinës dhe produktit të prodhuar në masë dhe se si, duke rritur konsumin, masat do të plotësoheshin dhe produkti më i shitur do të zëvendësonte produktin cilësor. Në përgjithësi, thuajse të gjithë intelektualët, filozofët, shkrimtarët, artistët i refuzuan makinacionet deri në arritjen e estetizmave, domethënë një shoqëri që refuzonte shoqërinë (Dekadentizmi), progresi i ri.
Kur proletariati u shfaq në histori, disa mendimtarëve iu duk se roli tjetërsues i makinerive dhe kulti i mallit do të zbehej, më saktë do të kapërcehej dialektikisht nga kjo klasë, proletariati, që do të rivendoste vlerën e krijimit artistik, duke parashikuar arritje hiperbolike, shpirtërore, pas përfundimit të ndarjes së punës dhe kohën e lirë. Puna do lihej në dorën e makinerive, kurse njeriu do t’i përkushtohej artit dhe kulturës. Proletariati, në vend që të krijonte këtë qytetërim të ri, iu drejtua konsumit, po borgjezohej, edhe pse si mikroborgjez. Në vitet ’30-të, por edhe para shekullit XX, kërkohej një alternativë si për borgjezinë, ashtu edhe për proletariatin, sipas linjës së Fridrih Niçes, i cili, kishte krijuar nevojën për një burim tjetër shoqëror. Mirëpo, rezultatet qenë katastrofike./Konica.al
Nazizmi e konsideronte aristokracinë ariane, si një alternativë ndaj borgjezisë dhe proletariatit, duke prishur dinjitetin njerëzor. Fashizmi nuk kishte fuqi të provokonte një alternativë, nostalgjia për perandorinë romake dhe pushtimet ushtarake zgjati një natë. Komunizmi qe më i organizuar dhe tentoi nj art proletar, por, kur u shemb, ai u zëvendësua menjëherë nga ortodoksia që ishte dhe është thelbi i Rusisë. Intelektualë të tjerë kërkuan një alternativë në fe, në traditë, madje edhe në islam, ca të tjerë në aristokracinë e shpirtit, me aspekte ezoterikë. Pas asgjësimit të fashizmit, të nazizmit, të komunizmit sovjetik, borgjezia, proletariati dhe mbetjet substanciale të shoqërisë konsumatore mbeten, si mentalitet, mbi të gjitha mbetet teknologjia. Është një situatë që mund t’i bëjë shoqëritë tona të dorëzohen. Teknologjia, si synim i zhvillimit historik të Perëndimit, do të çojë në luftë, sepse teknologjia priret drejt pushtetit dhe mbi të gjitha drejt eksperimentimit të pushtetit. Kështu, nëse gjenetika mund ta modifikojë njeriun, atëherë do ta bëjë. Dhe nëse në armatim kemi një pajisje që shkatërron pa u shkatërruar, do të përdoret.
Shtetet e Bashkuara e kanë përdorur bombën atomike, i vetmi vend, sepse ishte superiore në shkatërrim. Shpikësit e mëdhenj paralajmëruan vazhdimisht se njeriu i përdor shpikjet, edhe nëse ato janë të tmerrshme. Ose ngaqë janë të tmerrshme.
Prandaj rruga e teknologjisë, është rruga e vdekjes. Qëllimet e njeriut duhet t’i “shpërqendrojmë” dhe t’i kthejmë në atë që na mban gjallë, zgjon jetën, e pasuron jetën, i jep bukuri jetës, pra arti, kultura. Nëse nuk ka një klasë intelektuale, që orvatet me çdo përpjekje ta tërheqë shoqërinë drejt këtyre qëllimeve, klasa teknologjike do të fitojë, nuk ka shpresë. Aktualisht gjithçka që po ndodh është pothuajse një dëshirë për të eksperimentuar fuqinë e teknologjisë, si në fushën mjekësore, ashtu edhe në atë ushtarake.
Duhet të reflektojmë, të ndalemi, të mendojmë se ku na çon e gjithë kjo, në avantazhet e mëdha që i afrohen rreziqeve fatale. Arti dhe kultura ka disavantazhin e vetëm, se nuk është në gjendje t’i përkushtohet përgjithmonë adhurimit të tyre dhe që duhet t’i japim fund jetës, pa vazhduar të admirojmë atë që njerëzit kanë bërë dhe mund të bëjnë. Sigurisht, ka edhe ekonomi, natyrisht, shkencë, por përderisa ka qëllime të gëzimit të jetës, qëllime emocionuese, qëllime kolektive, ka arritje. Arti është shoqërizim, natyra është shoqërizim, këto janë aspekte që favorizojnë dashurinë për jetën, punën e siguruar, fenë për ata që besojnë apo forma sociale të një lloji tjetër. Kush e do vetminë qëndron në vetmi, nevojiten limite sa i përket jetës, ekspozimi i eksperimentimit teknologjik të kapacitetit shkatërrues mbi njeriun rezulton në çuarjen e planetit drejt varrit. Jemi drejt nihilizmit, gjithëpërfshirës. Të paktën skepticizmi grek e shpëtoi cilësinë intelektuale. Të ruajmë cilësinë intelektuale, ta bëjmë të pëlqyeshme cilësinë intelektuale.
Një epokë që është çkulturuar, madje e vrarë nga lufta, shkon përtej shkatërrimit. Mefistofeli do të lumturohej. Por jo, le të shoqërojmë Faustin, në dashurinë për Elenën dhe në ndërtimin e qytetit të hareshëm dhe pjellor. Arti dhe puna siguruan ëndrrat. Mirë pra, e po atëherë: shtazëri dhe shkatërrim, a duhet të jetë ky realitet për të qenë realist? Këto janë fundet (fundi) i njerëzimit!?/Konica.al