MENU
klinika

Nga DW

Europa ime: Kthesa e Serbisë ka filluar

07.05.2022 - 10:10

Kur Rusia nisi luftën e saj sulmuese ndaj Ukrainës, unë pyeta veten, se si do ta kishte festuar presidenti i Jugosllavisë që ndërroi jetë më 1980, sivjet ditën e çlirimit nëse do të jetonte ende. Teksa mbërritën tek ne në Serbi imazhet e para nga qytetet ukrainase të përfshira nga luftimet, unë e krahasova këtë me gjendjen këtu pas bombardimeve të NATO-s gjatë luftës së Kosovës më 1999.

Disa gjëra vërtetë janë të krahasueshme: njerëzit vdesin, spitale dhe stacione televizionesh, ura dhe rafineri nafte shkatërrohen prej avionëve luftarakë dhe raketa. Por në fund të fundit kjo që po ndodh që nga 24 shkurti 2022 në Ukrainë më kujton mua qytetet e shkatërruara gjermane në vitin 1945. Asokohe unë isha në Halberstadt, Magdeburg, Hamburg, Frankfurt, jam ngjitur në kambanoren e katedrales së Këlnit dhe kam fiksuar imazhin e gjendjes së tmerrshme të qytetit.

Edhe arratia e miliona ukrainaseve dhe ukrainasve më kujton refugjatët dhe të dëbuarit në fund të Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu, ju lutem mos harroni Sirinë, ku prej njëmbëdhjetë vjetësh mbizotërojnë rrethana si këto në Ukrainë prej njëmbëdhjetë javësh. Mos harroni as njerëzit, që marrin arratinë prej andej e mbyten në Detin Mesdhe, në vend që të gjejnë një strehë të sigurtë në Europë. Të mos  harrojmë as miliona e shumë miliona fëmijë, që lindin për të vuajtur muaj të tërë, e pastaj vdesin nga uria…

Krahasuar me të gjtiha këto ne në Serbi kemi vetëm shqetësimin, se sa do të kushtojnë në të ardhmen qumështi dhe vaji i lulediellit. Nëse do të mund të ngrohim shtëpitë dimrin e ardhshëm. Serbia merr gazin nga Rusia – e ndërkohë me një çmim të ulët, që nuk është as sa një e pesta e çmimit të tregut, por marrëveshja e furnizimit përfundon më 31 maj 2022. Pas kësaj duhet negociuar sërish me koncernin shtetëror rus Gazprom. Këtij koncerni i përket me shumicë edhe rafineria e vetme e naftës në Serbi, po ashtu si edhe fabrika të ndryshme kimike.

Një nevojë e vjetër për mbështetje

Marrëdhëniet miqësore mes Serbisë dhe Rusisë -ose thënë më mirë: Nevoja e Serbisë për mbështetje tek Rusia – ekzistojnë për shekujsh. Vetëm kaq nuk do të qe problem, nëse qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiq nuk do të kishte ndjekur prej dekadash kultin e presidentit rus Vladimir Putin, gjë që tani bën që qytetaret dhe qytetarët e Serbisë të vazhdojnë të jenë tifozë të burrit të fortë në Moskë dhe ta konsiderojnë të drejtë sulmin ndaj Ukrianës.

Plot 19 herë e ka takuar Vuçiq Putinin gjatë viteve të shkuara. Por paratë e shumë dëshiruara vijnë në fakt nga Perëndimi, kryesisht nga Bashkimi Europian. Deri tani Vuçiq ia ka dalë që të luajë lojën „si me ashtu edhe me” pra mes Brukselit dhe Moskës. Por tani Serbia duhet të riorientohet – dhe madje ka nisur ta bëjë këtë.

Kthesa e Vuçiqit

Mediet e nënshtruara ndaj Vuçiqit kanë filluar, të përgatisin kthesën në politikën e jashtme të presidentit: Pasi Putini e krahasoi shpalljen e pavarësisë të „Republikave popullore”  Luhanks dhe Donjeck me njohjen e Kosovës si shtet sovran nga vendet perëndimore – por që Serbia e konsideron si provincë të saj – mediet serbe e akuzuan atë se po mbështet shkëputjen e „djepit të Serbisë” nga trungu i saj.

Unë mendoj, që Serbia do të bashkohet me sanksionet ndaj Rusisë. Por kjo pas viteve të propagandës pro-ruse do t’i shiten popullsisë serbe se kjo po ndodh prej kthesës në politikën e jashtme nën presion dhe me dhimbje të madhe – sepse Putini e ka tradhëtuar Serbinë. Në rast se Serbia bashkohet me sanksionet kundër Rusisë, ruset dhe rusët nuk do ta ndiejnë aspak, por bujqve serbë do t’u mbeten të korrat në dorë, që zakonisht i shesin në Rusi.

Presion për çështjen e Kosovës

Edhe qendrimi i Perëndimit ndaj Serbisë dhe kryesisht i BE-së, ku Serbia është kandidate për antarësim, nuk do të ndryshojë në favor të Vuçiqit. Një sinjal presidenti i Serbisë e mori gjatë vizitës në Berlin më 4 maj 2022, ku kryeministri i Kosovës u prit njëkohësisht me të njëjtat nderime, si dhe ai. Një mesazh i qartë ky: në sytë e Republikës Federale të Gjermanisë Kosova dhe Serbia janë shtete të barazvlefshme.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Kurti dhe Vuçiq, që në fakt nuk donin ta takonin njeri-tjetrin u detyruan të marrin pjesë në një darkë jo zyrtare me të ngarkuarin e BE-së për Ballkanin. Ata u ulën në një tryezë të rrumbullakët të shtruar bukur duke vështruar miqësisht përpara kamerave. Asgjë nuk doli nga ky takim. Të ngarkuarit e Beogradit dhe të Prishtinës do të vazhdojnë bisedimet më 13 maj në Bruksel. Por ky gjest do t’u ngulitet në kujtesë të dy politikanëve.

Të hiqet dorë nga separatizmi i serbëve të Bosnjes

Kancelari, Olaf Scholz kërkesat e tij ndaj Kosovës dhe Serbisë në Berlin i formuloi me fjalë kortezie: Nga njëra anë duhet që të dyja shtetet lidhur me çështjen e Ukrainës t’i dërgojnë të njëjtin mesazh Rusisë. Gjithashtu kreu i qeverisë gjermane pret nga Serbia që të jetë e prerë kundër separatizmit të serbëve të Bosnjes nën Milorad Dodikun, si dhe të respektojë shtetin ligjor dhe lirinë e shtypit në Serbi.

Por para së gjithash Beogradi duhet të njohë zyrtarisht Kosovën si të pavarur dhe të mos pengojë antarësimin e shtetit të ri të Europës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Me këtë Europa do t’i afrohej së paku një hap të vogël bashkimit të saj paqësor – një sinjal i rëndësishëm ky në një moment historik, në të cilin 77 vjet pas Luftës së Dytë Botërore po gjëmon sërish një luftë e re në kontinetin e vjetër.

E çfarë do të kishte bërë Tito në këtë situatë në përvjetorin e sivjetshëm të çlirimit nga pushtimi nazist? Unë jam i sigurtë: Invazionin e Rusisë në Ukrainë ai do ta dënonte, ashtu si edhe dënoi më 1956 invazionin sovjetik në Hungari dhe më 1968 atë në Çekosllovaki. E ai do të vendoste sanksione ndaj regjimit në Moskë.

Ivan Ivanji, lindur më 1929, është shkrimtar, përkthyes dhe gazetar. Më 1944 për shkak të prejardhjes hebreje ai u deportua në kampin famëkeq të përqendrimit në Auzhvic dhe më pas në Buchenëald. Pas Luftës së Dytë Botërore ai studioi arkitekturë dhe gjermanistikë. Ai ka punuar si mësues, drejtor teatri dhe ka qenë diplomat e përkthyes i presidentit jugosllav Tito.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sipas liderit çeçen Kadyrov

“Rusia nuk po e pushton Ukrainën”

Vuçiç: Situata në Serbi ka ndryshuar për keq

“Deklaratat e Putinit për Kosovën rrisin presionin mbi Beogradin”


Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë