MENU
klinika

I rritur me Canën dhe Ibrën si shembuj

Rrugëtimi i Indrit Tucit, nga moshat te Lokomotiva Zagreb

07.05.2022 - 13:17

Pasioni për futbollin është mjaft i madh në familjen e tyre. I pari që tentoi të bëhej futbollist ishte Igli, vëllai i tij, pjesë e Laçit deri me skuadrën e të rinjve.

Gjithsesi ëndrrën e tij e ka realizuar vëllai i tij, Indrit Tuci. Sulmuesi, i cili në shtator ka bërë 21 vjeç, ka spikatur në Kroaci me Lokomotiv Zagreb dhe ia doli të fitonte një vend edhe te Shqipëria U21.

Trajneri Alban Bushi e njihte mirë, pasi e kishte stërvitur tek Akademia e Futbollit, nga edhe u zbulua nga kroatët. Tuci ka folur në rubrikën “Talenti shqiptar” në “fshf.org” dhe tregon si nisi rrugëtimi i tij në futboll, ëndrrën e madhe që ka, idhujt, ndjenjën që ka një lojtar kur luan në zhurmat e merkatos, sikurse edhe shumë gjëra të tjera.

– Indrit, si ka nisur dashuria juaj për futbollin? Sa vjeç ishit kur topi u bë i pandashëm për ju dhe kush ju shtyu më shumë drejt këtij sporti?

– Dashuria për futbollin ka lindur në moshën 6-vjeçare, duke luajtur në lagjen time me shokët e fëmijërisë. Babai më pa dhe vendosi të më dërgojë tek ekipet e moshave të Laçit.

– Na tregoni pak rrugëtimin tuaj, si shkuat deri te Lokomotiv Zagreb?

– Drejtuesit e Lokomotiv Zagreb kishin dërguar “scout” në Shqipëri. Ata kishin ardhur për të parë disa lojtarë dhe më zgjodhën mua dhe dy të tjerë për një provë një-mujore në Kroaci. Atje u paraqita mjaft mirë dhe vendosën të më mbanin tek ekipi i 19-vjeçarëve dhe për të kaluar me ekipin e parë pas 6 muajsh.

– Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?

– Gjithmonë ka qenë babai im ai që më këshillon pas ndeshjeve, që në fëmijëri. Ai i mban mend rastet dhe aksionet më mirë se unë dhe gjithmonë pas ndeshjeve më thotë çfarë bëra gabim dhe mirë.

– Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U-21? Çfarë kujtoni nga grumbullimi dhe ndeshja e parë?

– Ftesa e parë është gjithmonë më e bukura. Trajnerin Alban Bushi e kam pasur trajner tek U17 me Akademinë e Futbollit. Kur më futi në lojë me tha “luaj dhe argëtohu siç ke bërë me U17”.

– Çfarë mund të veçoni deri më tani nga jeta juaj futbollistike? Ka një arritje për të cilën jeni krenar?

– Mbarimi i sezonit 2019/2020 në Kroaci. Dolëm në vendin e dytë dhe finalistë të Kupës. Ishte sezon për t’u mbajtur mend gjithë karrierën. Është ndër momentet më të bukura deri tani.

– Si sulmues që jeni, ka ndonjë gol që ju ka mbetur më shumë ne mendje dhe nuk e harroni?

– Goli me Shqipërinë U-21 kundër Austrisë U-21 në fitoren 5-1 në Austri. Është ndër golat më të bukur që kam shënuar. Të realizosh me fanellën e kombëtares është ndjenjë tjetër me atë të klubit.

– Si ka qenë për ju të kaloni nga një akademi e vendit tonë në Kroaci? Ishte e vështirë për ju të përshtateshit në Kroaci? 

– Në fillim ishte e vështirë, për shkak të gjuhës, jetesës dhe ritmit të futbollit, që ndryshon me atë të Shqipërisë. Gjithsesi u ambientova shpejt.

– Si është për një të ri, në hapat e parë të karrierës, të luajë nën zhurmën e zërave të merkatos?

– Nuk është e lehtë. Kisha një moment mjaft të mirë në sezonin 19/20 dhe kishte shumë zëra që mund të lëvizja. Është e vështirë të fokusohesh në fushë, por klubi beson tek unë që mund të bëj dhe më mirë dhe nuk kisha dëshirë të largohesha pas kaq pak kohësh.

– Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull? Po lojtari i huaj?

-Lorik Cana ka bërë karrierë të madhe dhe gjithmonë ka qene kryesori në kombëtaren tonë. Jam rritur duke e parë. Lojtari i huaj është Zlatan Ibrahimovic. Gjithmonë e shikoj dhe mundohem t’i mësoj çdo lëvizje që ai bën.

– Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll? Ka një futbollist në gjurmët e të cilit do të donit të ecnit?

– Synimi im është të luaj në Seria A. Besoj që është kampionati më i bukur dhe më i përshtatshmi. Jam rritur duke e shikuar që i vogël dhe ajo është ëndrra ime më e madhe.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN