MENU
klinika

Scriptorium

“Dimensionet e mundit”

08.05.2022 - 11:12

/Irene Vallejo

Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve sa vjen e zmadhohet.

Kur ishe fëmijë të përsërisnin me mijëra herë: ¨Kur të rritesh do ta kuptosh¨, megjithatë mosha nuk t´i ka lehtësuar mundimet. Si ka mundësi që ka aq shumë njerëz në botë që përpiqen fort, punojnë, zgjohen herët nga gjumi, bëjnë punë të rëndomta, por kjo nuk mjafton. Ti e di shumë mirë, madje e ke përjetuar në lëkurë atë mbytjen profesionale: orë të pafundme të kaluara në punë për të marrë një rrogë të ulët. E njohe turpin, frikën, fajin që ta vinin të tjerët dhe kur ti nuk e kishe. Por kur në familjen tënde u shfaq ndonjë sëmundje, të shpëtoi familja jote, të shpëtuan personat e tu të dashur, shërbimi shëndetësor publik, komuniteti, ndoshta dhe fati. Nuk ke mundur ta harrosh ankthin sepse ke jetuar gjithmonë në teh, një furtunë mund të të kishte çuar në humnerë.

Etimologjia e fjalës ¨precario¨ ka të njëjtën rrënjë si fjala ¨plegaria¨, që këtu vihet re se duhet të kërkosh ndere për t´u mbajtur në këmbë. Kjo lidhje mes dy fjalëve latine ndez shumë diskutime të tipit: a duhet t’i konsiderojmë problemet si mundësi? Joshja prej eufemizmave i ka shndërruar njerëzit e pasigurt në ndërrmarrës  të vërtetë. Tani një pjesë e madhe e popullsisë endet në mundësi të pafundme, mitologjia jonë përmend pareshtur Steve Jobs i cili krijoi një kompani multimiliardere dhe e nisi në garazhin e shtëpisë së tij. Por siç rrëfeu Steve Wozniak, ai garazh nuk ekzistoi ndonjëherë, ai garazh i përket legjendës që është shpikur nga të ligjtë: përralla e të pasuruarit përmes iniciativës dhe vendosmërisë.

Seriali Breaking Bad portretizon të vërtetën e hidhur dhe jo përrallën e bukur të Steve Jobs. Walter White, profesor kimie në një gjimnaz në Shtetet e Bashkuara, i duhet të punojë edhe në një lavazh makinash sepse nuk ia del dot të mbajë familjen. E diagnostikojnë me kancer dhe ai gjen vetëm një mënyrë që familja e tij të mos fundosej: të merret me gjëra të paligjshme. Në një furgon të vjetër, ndërton një laborator për të fabrikuar metanfetaminë, një nga drogërat më të rrezikshme dhe adiktive. Fabula perverse e shpie imagjinatën në suksesin që arrihet vetëm në xhunglën ku ligjet nuk funksionojnë, në atdheun e braktisjes, aty ku po të zuri kanceri, e vetmja mënyrë për t´ia dalë është të thyesh ligjin.

Letërsia antike rrëfen peripecitë e atyre që janë në prag të skamjes, duke kërkuar borxh, të prirur të shkatërrohen. Dramaturgu Aristofan shkruan një komedi rreth një fshatari që pavarësisht stermundimeve të tij mezi jeton dhe indinjohet: ¨ndërsa vështron se si njerëzit pasurohen padrejtësisht, ndërkohë që të tjerë që janë njerëz të mirë mezi ushqehen dhe janë shumë të varfër¨. Ai nuk është i sigurt si ta edukojë fëmijën e tij sepse shikon që njerëzit pasurohen dhe jetojnë shumë mirë pa pikë përpjekje. Ta edukojë djalin sipas mënyrës së drejtë, pa mashtrime, por druhet se kështu po ja damkos jetën me vulën e varfërisë kronike. Ka vetëm një shpjegim: zoti i varfërisë nuk sheh mirë dhe nuk i dallon njerëzit e ndershëm. E vetmja shpresë që ngelet është deliri se një ditë zoti i varfërisë do të shërohet nga verbëria.

Në shekullin e VI para Krishtit, Simonidhit nuk i pëlqente fakti që njerëzit rreth tij ndiqnin vetëm triumfin, pa bërë dallimin mes fatit dhe meritës. ¨Nëse dikujt i shkojnë mirë gjërat është njeri i mirë, nëse gjërat nuk i shkojnë mirë, është njeri i keq. Më i miri është ai që është fatlum¨. Poeti grek besonte se dështimi nuk e bën njeri më të keq dikë; ai vlerësonte më shumë përpjekjen dhe mundin: ¨Nuk më pëlqejnë qortimet dhe lajkat ndërsa vlerësoj ata që nuk i dëmtojnë të tjerët për të arritur gjërat që duan¨.

Së fundmi kemi dëgjuar herë pas here “Nuk mundem më”. Hendeku mes të varfërve e të pasurve bëhet më i madh dhe e kupton që nuk ekziston odise më e madhe sesa ajo e të jetuarit në fije të perit. Duhet të mbështesim dhe duartrokasim ata të cilët vrapojnë maratonën e mbijetesës, jo atë të suksesit. Ajo i përket të ardhmes pa dogma, pa stigma, pa fuqi, pa prepotencë.

*Precario në spanjisht është gjendje e paqëndrueshme shëndetësore kryesisht kur ke nevojë për shërbim shëndetësor dhe autorja e lidh me fjalën plegaria që është lutje, përgjërim.

Irene Vallejo, shkrimtare e mirënjohur spanjolle, në vitin 2020 fitoi çmimin Premio Nacional de Ensayo për librin e saj ¨El infinito de un junco¨, e pesta grua që ka fituar këtë çmim dhe e para filozofe që fitoi çmimin ¨Celia Amorós¨ në vitin 2006.

Artikulli u përkthye në shqip nga Albana Murra.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Blogu i Albana Murrës/ Scriptorium

“Vjeshta jote ndriçon”