MENU
klinika

Vrasja për gjakmarrje në Lezhë

Prokuroria mbyll hetimet për 17-vjeçarin që mori hak për babain

09.05.2022 - 11:33

Prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen penale në ngarkim të 17- vjeçarit Florian Përvathi, i cili në muajin janar të këtij viti vrau për gjakmarrje bashkëfshatarin e tij Lek Lekgjonaj.

Ndaj adoleshentit janë ngritur akuzat për “Vrasje për gjakmarrje” dhe “Mbajtja pa leje e armeve dhe municioneve luftarake”. Organi i akuzës ka arritur të provojë se i riu e ka kryer krimin me paramendim për gjakmarrje, pasi vëllai i viktimës i kishte vrarë babanë vite më parë, kur adoleshenti ishte vetëm 4 vjeç.

Disa javës pas ngjarjes, ai deklaroi para hetuesve edhe se kur e kishte siguruar armën për kryerjen e krimit. Dosja penale është hedhur në short dhe brenda pak ditësh do të zhvillohet seanca paraprake gjyqësore në Gjykatën e Lezhës. Ndërkaq, 17-vjeçari vijon të jetë me masën e sigurisë “Arrest në burg” dhe po qëndron në institucionin e vajtjes së dënimit për të mitur në Kavajë dhe në vazhdimësi trajtohet me psikolog.

NGJARJA

Ngjarja e rëndë u regjistrua mesditën e 24 janarit, kur adoleshenti mori hak për babanë e vrarë, duke i marrë jetën me 6 plumba pistolete 65-vjeçarit Lek Lekgjonaj, vëllai i të cilit e kishte lënë jetim atë dhe, pas kryerjes së burgut, ishte larguar jashtë vendit.

Referuar raportit të Policisë, rezulton se 17-vjeçari Përvathi, menjëherë pas ngjarjes në fshatin Manati ku edhe jetonte me vëllezërit dhe motrat pas vdekjes së prindërve, ka shkuar vetë në Policinë e Lezhës, ku ka rrëfyer ngjarjen.

Sipas raportit të ekspertizës mjekoligjore, 65-vjeçari ishte qëlluar me 6 plumba dhe njëri prej tyre ka qenë në kokë. “Në kufomën e shtetasit Lek Lekgjonaj vërehen 6 vrima hyrjeje dhe 3 dalje. Është kryer autopsia dhe në pjesën e kafkës është gjendur një predhë e deformuar në dukje armë për të cilën është përpiluar vendimi i ekspertit balistik”, thuhet në raportin mjekoligjor.

4 vite burg për një vrasje

Për vrasjen e fqinjit të tij me armë zjarri, me 21 nëntor të vitit 2009, Ndue Lekgjonaj bëri vetëm 4 vite burg dhe prej vitesh jeton në emigrim. Në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lezhës, dhënë më 26 korrik 2010, Lekgjonaj gjendet fajtor për akuzën e vrasjes me dashje dhe armëmbajtjes pa leje.

Në vendim thuhet se Lekgjonaj akuzohet për dy vepra penale, ndërsa prokurori i shkarkuar tanimë nga vetingu, Agim Dalipi, ka kërkuar dënimin me vetëm 12 vite burg. Pavarësisht dënimit minimal, trupa gjykuese i “fali” edhe rreth dy vite të tjera, duke e dënuar përfundimisht me 10 vite e 6 muaj burg.

Në të njëjtën kohë, autori i vrasjes së Gjon Përvathit dhe plagosjes me makinë të djalit të tij, vetëm 14 vjeç në atë kohë, përfitoi edhe gjykim të shkurtuar, duke iu zbritur dënimi me 7 vite. Ndërsa ende nuk dihet se si përfitoi ulje të dënimit, ajo që dihet tanimë është se autori i vrasjes së babait të katër fëmijëve kreu vetëm 4 vite burg dhe më pas fitoi lirinë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vrau bashkëfshatarin për të marrë gjakun e babait

Gjykata e Lezhës jep vendimin për 17-vjeçarin