Detaje të reja janë publikuar nga grabitja e filialit të BKT-së ditën e djeshme në Koplik.
Sipas News24, autorët e maskuar vodhën një shumë prej 400 mijë lekësh, 1 mijë dollarë dhe 1 mijë euro.
Ngjarja ndodhi ditën e djeshme rreth orës 14:00. Disa persona të paidentifikuar, u futën në filialin e BKT-së të maskuar.
Nën kërcënimin e armës, ata vodhën shumën e parave e më pas u larguan me një makinë tip “Volksëagen”.
Policia e Malësisë së Madhe njoftoi se autorët më pas e dogjën automjetin në dalje të qytetit. E si të mos mjaftonte kjo, ata kanë terrorizuar dhe një qytetar, të cilit i kanë vjedhur makinën Benz me të cilën janë larguar.
Malësi e Madhe/Informacion i policisë
Rreth orës 14:10, jemi njoftuar se disa persona të paidentifikuar kanë vjedhur, nën kërcënimin e armës, një shumë parash në filialin e një banke të nivelit të dytë, në Koplik, Malësi e Madhe, dhe më pas janë larguar me një mjet tip “Volkswagen”, të cilin e kanë djegur në dalje të qytetit.
Personat, ende të paidentifikuar, pasi kanë djegur automjetin e tyre, kanë vjedhur nën kërcënimin e armës, një automjet tjetër tip “Benz” të një qytetari të rastit dhe janë larguar.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe grupe të FNSH Shkodër.
Gjithashtu janë ngritur pika kontrolli, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe sqarimin e plotë të rrethanave të saj.