Tashmë është zyrtare, Champions League, nga 32 ekipe, kalon në 36 dhe do të ketë tetë ndeshje në 10 javë, në vend të gjashtë që janë aktualisht.
Dy nga katër vendet që do shtohen do t’u jepen skuadrave që kanë arritur rezultatet më të mira në kupat e Europës në sezonin e kaluar. Ky ndryshim u arrit përmes një kompromisi me klubet dhe për t’u larguar sa më shumë nga formati i Superligës Europiane.
Mësohet se dy nga katër skuadrat shtesë që do të marrin pjesën në Champions League e re do të zgjidhen sipas meritokracisë. Do të përdoret një formulë për të llogaritur se cili vend ka marrë rezultatet më të mira në kompeticionet evropiane, pikët pjesëtuar me numrin e ekipeve në garat evropiane.
Një sistem koeficientësh që lidhet vetëm me paraqitjet dhe jo me historinë, me renditjen e UEFA-s të pesë viteve të fundit. Ky kriter nëse do të zbatohej këtë sezon, do t’i jepte një vend shtesë Premier League-s dhe Eredivsie-s, ndërsa sezonin e kaluar po Premier League dhe La Liga.
Sa i përket dy vendeve të tjera shtesë, UEFA duhet t’i caktojë ato një Francës ose Portugalisë dhe një kampionit të kampionateve më të mirë që nuk kualifikohen automatikisht.
Duke folur për këto ndryshime, kreu i UEFA-s, Aleksander Ceferin theksoi se formati i ri do ta përmirësojë këtë kampionat: “UEFA ka treguar qartë sot se ne jemi plotësisht të përkushtuar për të respektuar vlerat themelore të sportit dhe për të mbrojtur parimin kyç të garave të hapura, me kualifikim të bazuar në meritat sportive, plotësisht në përputhje me vlerat dhe modelin sportiv evropian të bazuar në solidaritet.
Ne jemi të bindur se formati i zgjedhur arrin ekuilibrin e duhur dhe se ai do të përmirësojë ekuilibrin konkurrues dhe do të gjenerojë të ardhura që mund të shpërndahen në klube, liga dhe në futbollin bazë në të gjithë kontinentin tonë, duke rritur popullaritetin e garave tona.”-deklaroi ai.