Nga sondazhi im i fundit rezultotnte se pothuaj 60% e të anketuarve që kishin votuar vjet për Partinë Demokratike – Aleanca për Ndryshim (PD-AN) duan sot që Berisha të jetë kryetar i PD-së. Ky rezultat tregon se fushata 9-mujore e Berishës anekënd Shqipërisë i ka dhënë frutet e saj. Sepse nga një sondazh që zhvillova sapo filloi seria e foltoreve të Berishës vjet në shtator, më rezultoi se vetëm 1/3 e votuesve të djathtë ishin simpatizantë të tij.
Teksa popullariteti i rritur i Berishës brenda elektroatit të djathtë është konfirmuar edhe nga sondazhe të tjerë të publikuara së fundmi, dilema është se sa popullaritet ka ai në elektoratin e gjerë. Një pyetje specifike e Barometrit të fundit të Euronews Albania i jep një përgjigje të drejtpërdrejtë kësaj dileme.
Pyetja e Barometrit ishte konkretisht “SA DAKORD JENI ME SHPREHJEN: ‘SALI BERISHA DUHET TË TËRHIQET NGA POLITIKA?’”. Nga përgjigjet e të anketuarve rezultonte se vetëm 30% e shqiptarëve duan që Berisha të vazhdojë të jetë aktiv në politikë.
Ky përbën një problem afatgjatë për PD-në. Në qoftë se në zgjedhjet e pranverës së ardhshme ajo udhëhiqet nga një politikan që vetëm 30% e shqiptarëve duan ta shohin ende aktiv në politikë, gjasat për fitore mbeten të kufizuara vetëm në disa zona tradicionale të djathta. Dhe një dështim në zgjedhjet e ardhshme lokale do të ishte një ogur i keq për betejën finale elektorale të 2025-ës…
Sidoqoftë, Berisha duket më se i vendosur që, përderisa ka përkrahjen e shumicës së elektoratit të djathtë, ta marrë kontrollin e plotë të PD-së. Pavarsisht se kjo gjë mund ta lërë partinë e tij në minorancë edhe në zgjedhjet e ardhshme…