Kampionët në fuqi të NBA janë një fitore larg finaleve të play-off. Milwaukee Bucks fitoi 110-107 ndaj Boston Celtics në gjysmëfinalen e pestë në Konferencën e Lindjes, duke udhëhequr 3-2 serinë e takimeve.
Një tjetër ndeshje e mirë e Giannis Antetokounmpo, autor i 40 pikëve e 11 rebound, lider në fushë për ekipin e Bucks. Në kahun tjetër, Tatum realizoi 34 pikë e Brown 26, por që nuk mjaftuan për të fituar.
Në Konferencën e Perëndimit, skuadra e Memphis Grizzlies mposhti thellë 134-95 Golden State, duke rihapur garën për një vend në finale. Të gjithë prisnin që Warriors të fitonin e dilnin në finale, por vendasit bënë një paraqitje të shkëlqyer.
7 lojtarë të Memphis realizuan mbi 10 pikë, ndërkohë që te Golden State mungoi lideri, në një ditë të keqe dhe larg asaj që pritej, ku Stephen Curry realizoi vetëm 14 pikë, si rrallë ndonjëherë. Gjithsesi, Warriors udhëheqin 3-2 serinë e gjysmëfinaleve, mjafton një fitore.