“Më ndihmon, të përqendrohem. Më ndihmon të ul tensionin gjatë procesit të ndërveprimit dhe gjithashtu, më ndihmon të komunikoj më zë më të ulët, dhe kjo është një gjë e mirë” – ishte kjo përgjigjja e Kryeministrit, pyetjes së një gazetari gjerman, se pse ai vizatonte zakonisht, gjatë bisedave në zyrë ose konferencave ndërkombëtare.
Në fakt, nuk është Rama, i vetmi politikani që “shkarravit” gjatë një takimi formal.
Historia ka njohur të tjerë liderë botërorë, si Xhorxh Bush, Xhimi Karter, apo dhe Adolf Hitleri e kishin një zakon të tillë. Siç duket, as Jozef Stalini, udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik, nuk i ka shpëtuar tundimit…
Historiani Sergey Radchenko, pjesë e “Kissinger Center”, ka publikuar në Twitter, fotografinë e shënimeve të Stalinit, në një takim me një delegacion shqiptar. Nuk bëhet e ditur, se cilët ishin pjesëmarrësit e tjerë, por ajo që bie në sy është se, “shënimet” e Stalinit janë në fakt, vizatime dhe fraza të shkëputura.