Publikohen dokumentet e institucionit të Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili, pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës.
Nga: Dashnor Kaloçi
Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, iu dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”.
Pasburgimi, në papunësi deri në shembjen e regjimit komunist, me emërimin si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al.
Dokumenti me akt-akuzën ndaj të pandehurit Myrteza Bajraktari, i hartuar nga Prokurori i rrethit të Tiranës, Asaf Kondi, dërguar për gjykim, Gjykatës Popullore të rrethit Tiranës
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
PROKURORIA E RRETHIT
Tiranë, më 5.1.1971
Seksioni i IV-të
Nr. 500 Prot.
GJYKATËS POPULLORE TË RRETHIT TIRANË
T I R A N Ë
Bashkangjitur po ju dërgojmë për gjykim çështjen e të pandehurit Myrteza Bajraktari, akuzuar në bazë të nenit 73 të Kodit të Procedurës Penale të R.P.Sh.
Për karakterin e saj sekret, kërkojmë që gjyqi ndaj tij të zhvillohet me dyer të mbyllura.
PROKURORI I RRETHIT
Asaf Kondi
Aprovohet
Prokurori i rrethit të Tiranës
Asaf Kondi
AKT – AKUZË
Kundër të pandehurit Myrteza Bajraktari, akuzuar për kryerjen e krimit të agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor që parashikohet në nenin 73/1 të Kodit Penal.
Organet e Sigurimit të Shtetit me sanksionim të Prokurorit të Përgjithshëm, në datën 12 Nëntor 1970, arrestuan të pandehurin Myrteza Bajraktari, mbasi duke filluar prej kohësh dhe deri ditën e arrestimit, i brumosur me ideologji borgjeze dhe nacionaliste, bën agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, në drejtime të ndryshme.
Nga zhvillimi i hetimeve, rezulton:
I pandehuri Myrteza Bajraktari me pikëpamje nacionaliste dhe kundërshtar i sistemit socialist, duke filluar nga vitet 1963-1964, kërkon që në Republikën Popullore të Shqipërisë, të trajtohej si njeri i privilegjuar, ndryshe nga të gjithë emigrantët kosovarë që ndodheshin këtu.
Ai shprehte se gjoja, Partia dhe Pushteti Popullor i trajtonin keq kosovarët në Shqipëri dhe nuk interesoheshin për të drejtat e popullit kosovar. Me kalimin e kohës, i pandehuri Myrteza Bajraktari, futet më thellë në këto mendime dhe, thotë shprehje të ulta, në drejtim të forcave partizane që gjatë luftës shkuan në ndihmë të popullit kosovar.
Dëshmitari Xhevair Hasa, lidhur me këtë, thoshte: “Myrtezai më ka thënë që unë erdha në Shqipëri, që të ndihmoj për çlirimin e Kosovës kurse këta, më internuan menjëherë dhe nuk e ndihmojnë popullin kosovar.
Ai theksonte se: brigadat partizane shqiptare që erdhën në Kosovë, nuk na çliruan, por në bashkëpunim me brigadat jugosllave, na robëruan”. Gjatë kohës që qëndron në Seman, dhe mbasi krijon besim të plotë tek dëshmitari Xhevair Hasa, i pandehuri Myrteza Bajraktari i flet hapur atij, kundër Partisë dhe Pushtetit Popullor.
Për këtë, ky dëshmitar thotë: “Gjatë bisedave që kemi bërë në atë kohë me Myrtezain ky, më thoshte se: regjimi komunist në Shqipëri, është i poshtër dhe se këtë popull e mban nën sundimin e forcës. Po kështu për rinin, thoshte se ajo nuk ka asnjë lloj dëfrimi”.
Nga viti 1965, i pandehuri Myrteza Bajraktari e nxit dëshmitarin Xhevair Hasa, që të bënte lutje për t’u kthyer në Jugosllavi. Mbasi Xhevairi e bën lutjen, Myrtezai e porosit që kur të shkonte atje, t’ju thoshte disa të njohurve të të pandehurit, që ky i fundit, gjoja vuante në internim në Shqipëri dhe ata të interesoheshin për tërheqjen e tij nga Shqipëria për në Turqi.
Për realizimin e këtyre porosive, i pandehuri Myrteza Bajraktari, i jepte Xhevairit dhe disa parulla identifikuese. Ky i pandehur i brumosur me këto mendime e pikëpamje në fundin e 1965 bën lutje për të shkuar në Turqi. Kur dëshmitari Halit Llazana, e këshillon që të tërhiqte këtë lutje, i pandehuri i thotë: “Më mirë të përfundoj si vagabond në Turqi, sesa të vuaj në Shqipëri”.
Në vitin 1966, të pandehurit me bursë nga shteti i jepet e drejta për të vazhduar studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Gjatë kësaj kohe i pandehuri në vend që të hiqte dorë nga kjo veprimtari, e shtoi më tepër atë, duke bërë biseda me natyrë armiqësore.
Lidhur me këto, i pandehuri Kapllan Resuli, përveç të tjerave deponon: “Në fillimin e vitit 1969, jam takuar me Myrteza Bajraktarin në shtëpinë e tij dhe më pas dolëm të dy pazarit. Ai më tha që para disa javësh autoritetet shqiptare, kishin marrë një grup kosovarësh dhe pa bërë lutje ata, i kishin dorëzuar në kufi tek autoritetet jugosllave. Si unë dhe Myrtezai, nuk ishim dakord për këtë trajtim që ju bëhej kosovarëve”.
Për gjoja keqtrajtimin e emigrantëve kosovarë në Shqipëri ky, kishte biseduar me dëshmitarët Ram Buçolli e Adem Istrefi. Kështu p.sh., dëshmitari Adem Istrefi, shpjegon: “Nga trajtimi i keq që na bëhej në Seman, thoshte Myrtezai, mua m’u çmend dhe shoku me të cilin kisha ardhur nga Jugosllavia. Merre me mënd, theksonte Myrtezai, sesa e rëndë ishte për familjen e tij, kthimi i tij nga Shqipëria në atë gjendje”.
I pandehuri Myrteza Bajraktari, shpif dhe trillon në drejtim të vijës politike parimore që ka ndjekur e ndjek Partia jonë për çështjen e Kosovës. Kështu në një bisedë që i pandehuri ka bërë me dëshmitarin Ram Buçolli, i është shprehur atij, se gjoja Shqiperia asnjëherë nuk ka qenë e interesuar për çlirimin e Kosovës.
Se gjoja qeveria shqiptare para vitit 1948, denonconte tek qeveria jugosllave të gjithë kosovarët që vinin në Shqipëri dhe tregonin për krimet e kryera nga jugosllavët. Dhe si pasojë e këtyre të gjithë ata, dorëzoheshin tek jugosllavët të cilët i burgosnin ose i pushkatonin.
Në verën e vitit 1970, kur i pandehuri Myrteza Bajraktari mbaroi studimet e larta dhe caktohet në Berat, e shton akoma dhe më tepër inatin e tij ndaj Partisë pasi, me persona të ndryshëm, bisedon dhe i thotë që gjoja emërimi i tij në Berat nuk ishte i drejtë, pasi regjimi i Enver Hoxhës nuk kishte besim tek kosovarët dhe i emëron ata nëpër rrethe të ndryshme, duke mos i lënë që të punojnë në dikastere qendrore.
Këto shprehje armiqësore i pandehuri u’a ka bërë në kohë dhe rrethana të ndryshme dëshmitarit Adem Istrefi dhe të pandehurve Faslli Ramadani e Kapllan Resuli. Pak kohë përpara se të arrestohej i pandehuri Kapllan Resuli, i pandehuri Myrteza Bajraktari, i shkon atij në shtëpi dhe gjatë një bisede Kapllani, i ka thënë atij që të lexonte të ashtuquajturin “program e statut të Frontit Nacional – çlirimtar të Kosovës”.
Ky program kishte si qëllim, ngritjen e kosovarëve kundër Partisë e Pushtetit Popullor në Shqipëri. I pandehuri Myrteza, njihet me përmbajtjen e këtij materiali, duke e lexuar. Megjithëse i pandehuri Myrteza Bajraktari nuk e ka pranuar fajësinë, veprimtaria armiqësore e tij, provohet plotësisht nga thëniet e dëshmitarëve: Xhevair Hasa, Ram Buçolli, Adem Istrefi, Halit Llazana, dhe nga deponimet e të pandehurve, Faslli Ramadani e Kapllan Resuli.
Duke u mbështetur për sa më sipër:
I pandehuri Myrteza Bajraktari, i biri i Fahriut dhe i Remzijes, i datëlindjes 1933, lindur në Gostivar të Jugosllavisë, dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, i martuar, me një fëmijë, pa parti, i padënuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, me origjinë shoqërore qytetar i mesëm, arrestuar në 12 Nëntor 1970.
AKUZOHET SE:
Ka zhvilluar agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, krim ky që parashikohet nga neni 73/1 i Kodit Penal. Konform nenit 204 të Kodit të Procedurës Penale, Akt – Akuza së bashku me dosjen hetimore nr. 15270, t’i përcillet Prokurorisë për gjykim e të pandehurit Myrteza Bajraktari.
Akt – Akuza, u përpilua në qytetin e Tiranës. datë 10.4.1971.
Hetuesi Elham Gjika
Akt Akuzën e mora në 4.5.1971
I pandehuri Myrteza Bajraktari
Dokumenti me vendimin e hetuesit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Elham Gjika, për dërgimin e një letre të Myrteza Bajraktarit, dërguar Enver Hoxhës, për ekspertim grafik pranë Laboratorit Qendror Kriminalistik
V E N D I M
“MBI CAKTIMIN E EKSPERTIT GRAFIK”
Në Tiranë, më 15 shkurt 1971. Unë hetuesi i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, mbasi studiova materialet në ngarkim të pandehurit Myrteza Bajraktari.
K O N S T A T O V A:
Se gjatë kontrollit të banesës së të pandehurit, në korrespondencën e tij është gjetur dhe një letër, e cila fillon me fjalët “Sekretarit të Partisë së Punës së Shqipërisë” dhe mbaron me fjalët “E katërta”. Është një fletë e shkruar në dy faqet me bojë pelikan.
Duke marrë parasysh rëndësinë që ka ky material për çështjen dhe për të vërtetuar se ai është shkruar nga i pandehuri Myrteza Bajraktari, konform nenit 167 -168 të Kodit të Procedurës Penale
V E N D O S A:
Që letrën e mësipërme, së bashku me dorëshkrimet e këtij të pandehuri, që fillon me fjalët: “Quhem Myrteza Bjraktari” dhe mbaron me fjalët: “Studimet i mbarova në vitin 1970”, t’ia dërgoj Laboratorit Qendror të Kriminalistikës, për ekspertim grafik.
Para ekspertit, të shtroj pyetjen:
Nëse letra është shkruar nga i pandehuri Myrteza Bajraktari.
H E T U E S I
ELHAM GJIKA
Dokumenti me akt-ekspertimin grafik të letrës së Myrteza Bajraktarit, dërguar Enver Hoxhës, i hartuar nga eksperti kriminalist, Neshat Tozaj, i Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Punëve të Brendshme
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
LABORATORI QENDROR KRIMINALISTIK
Tiranë, më 17.2.1971
A K T Nr. 31
(Ekspertim grafik dorëshkrimi)
Nga dega e Hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme, me vendim, datë 15.2.1971, të hetuesit Elham Gjika, na është dërguar për ekspertim grafik.
Një letër që i dërgohet shokut Enver Hoxha.
Dorëshkrimi i të pandehurit, Myrteza Bajraktari.
Nga ekspertimi, kërkohet:
Nëse letra e dërguar shokut Enver Hoxha, është shkruar nga i pandehuri Myrteza Bajraktari.
Këqyrja dhe ekzaminimi kriminalistik i materialeve:
Shkrimi, objekt ekspertimi, paraqitet në një flet letër kancelarie të ilustruar. Përmbajtja e kësaj letre, fillon me fjalët: “Shokut Enver Hoxha, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të P.P.SH-së, Tiranë”, dhe mbaron me fjalët: “nuk duan të na shohin surratin këtu në Tiranë, – E katërta”.
Kjo letër është shkruar me stilograf me një shkrim të madh, të shtrirë, të pjerrët, nga e majta, të lidhur mirë. Shkrimi është i lirë, me shkallë përpunimi të përparuar, pa shenja maskimi dhe paraqet një shkallë karakteristikash të rralla e të qëndrueshme, tërësia e të cilave individualizon atë.
Modelet e shkrimit të Myrteza Bajraktarit, janë marrë në letër të bardhë, të shkruara me stilograf, me shkrim të lirë, të pamaskuar. Ky dorëshkrim është marrë në prani të hetuesit të çështjes, i cili ka bërë vërtetimin përkatës në fund të letrës.
Ky shkrim është i vlefshëm për t’u përdorur në cilësinë e materialit krahasues për këtë çështje.
Nga studimi u nxorën karakteristikat e përgjithshme dhe ato të veçanta për letrën dhe për modelin e shkrimit të Myrteza Bajraktarit dhe nga krahasimi i tyre, rezulton se ato përputhen plotësisht, si me shenjat e përgjithshme, ashtu dhe ato të veçanta, të cilat konsistojnë në ndërtimin e elementëve të së cilës shkronjë të marrë.
Më poshtë, po parashkruajmë, karakteristikat e veçanta që janë më tipike për këtë shkrim:
Bashkim pa shkëputur dorën në ndërtimin dhe lidhjen e shkronjave.
Ndërtimi ka karakteristikë të shkronjës “q”.
Fillimi sipër djathtas, i ovales në plotësimin e shkronjave “q” dhe “ë”.
Pjesa përfundimtare e shkronjës “k” vjen në formën e shkronjës “ç”.
Përputhje e karakteristikave të përmendura më sipër e të tjera, të pa përshkruara në akt, si dhe mungesa e karakteristikave të kundërta lidhur me pyetjen e shtruara përpara ekspertimit, të arrijmë në përfundimin se:
K O N K L U Z I O N
Letra në emër të Myrteza Bajraktarit, drejtuar shokut Enver Hoxha, e përshkruar në këtë akt, është shkruar nga vetë Myrteza Bajraktari. Memorie.al
Eksperti kriminalist
Neshat Tozaj
Vijon numrin e ardhshëm