MENU
klinika

Deputeti gjerman flet për DW

“Vendimi për Kosovën nuk duhet të lihet në dorë të Beogradit”

18.05.2022 - 09:40

Deputeti gjerman, Knut Abraham bën thirrje për mbështetje të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe kërkon një nismë politike franko-gjermane për liberalizimin e vizave.

Knut Abraham: Kërkesa është bërë një javë përpara takimit ministror, më 20 maj në Torino. Dhe pyetja që ka rëndësi tani është nëse qeveria italiane, që ka kryesinë e radhës, do të arrijë ta fusë këtë pikë në rendin e ditës për mbledhjen e së premtes. Ky do të ishte rasti ideal. Sigurisht koha është shumë e shkurtër. Por kandidatura ishte diçka pozitive. Nëse aplikimi nuk hyn në rend të ditës, aplikimi do të mbetet. Kosova më pas duhet të promovojë intensivisht te partnerët në muajt e ardhshëm në mënyrë që pas një viti, kjo kandidaturë të trajtohet me sukses.

Në një mesazh të mëparshëm në media sociale ju keni kërkuar nga Gjermania që ta mbështesë kërkesën e Kosovës në mënyrë pro-aktive. Çfarë mund të bëjë më shumë Gjermania?

Për fat të mirë, qeveria gjermane është shprehur qartë se mbështet kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Dhe ky është vërtet një lajm i mirë. Ky është një vazhdim logjik i politikës që ka udhëhequr edhe Angela Merkel. Dhe kjo politikë tani duhet të përkthehet në hapa konkretë. Për momentin, kjo do të thotë, për shembull, që qeveria federale të punojë me partnerët italianë për ta futur këtë temë në axhendë. Dhe përtej kësaj, dhe jam gjithashtu i sigurt se do të ndodhë, qeveria federale do dhe duhet ta mbështesë aplikimin dhe të promovojë në vazhdimësi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Gjermania ka qenë në mëdyshje deri më tani, thuhet në një analizë të shoqatës European Stability Initiative, botuar në fillim të javës. A është e vërtetë?

Gjermania e ka shprehur qartë qëndrimin e saj pro kandidaturës. Por dëgjoj se është e rëndësishme për qeverinë federale që të vazhdojë dialogu i normalizimit. Por, njëra nuk mund të jetë kusht për tjetrën. Pra, nuk mendoj se theksi për normalizimin e dialogut do të thotë se Gjermania mund të jetë skeptike për kandidaturën. Mendoj se qeveria federale dëshiron ta bëjë të qartë se pret që të dyja palët të bëjnë përparim në dialogun e normalizimit. Unë besoj se ishte një ide e mirë që të silleshin të dyja palët këtu në Berlin, në Tegel, në një tryezë. Kam dëgjuar se takimi nuk i përmbushi pritshmëritë. Megjithatë, ishte mirë që u zhvillua. Unë besoj se dialogu duhet të vazhdojë, por nuk duhet të jetë kusht për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ky vendim nuk mund t’i lihet Beogradit. .

E ngjashme është edhe qasja për liberalizimin e vizave. Ka zëra që thonë se edhe ky proces po bëhet peng i dialogut.

Liberalizimi vizave duhet të ndodhë. Kjo është shpresa dhe pritshmëria ime absolute. Kosova ka kohë që i përmbush kriteret. Tashmë nevojitet një iniciativë politike për të arritur përfundimisht këtë qëllim të rëndësishëm. Besoj se ka një shans, veçanërisht pas zgjedhjeve në Francë. Këtu po i bëj thirrje qeverisë gjermane dhe franceze për ta zgjidhur përfundimisht këtë çështje. Kosova i ka bërë detyrat e shtëpisë. /DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!