Ndonjëherë simptomat e sëmundjeve të rënda janë krejtësisht të papërfillshme dhe më shpesh ne nuk u kushtojmë vëmendje të mjaftueshme atyre. Një shembull i tillë është dhimbja e kokës pasi kemi ngrënë. Kjo lloj dhimbjeje koke mund të tregojë disa sëmundje si diabeti, alergjitë dhe reagimet ndaj substancave toksike. Kur diabeti dhe problemet e tjera që lidhen me funksionin e pankreasit janë shkaktarë të kësaj simptome, atëherë ka një çrregullim në sekretimin e insulinës gjatë vakteve, e për këtë arsye shfaqen hiperglikemia ose hipoglikemia.
Kjo çon në atë që quhet “uri e trurit”, që pasohet me dhimbje koke. Sipas mjekëve të klinikës “Mayo”, shkak i dhimbjes mund të jetë edhe përbërja e ushqimit. Dhimbja e kokës mund të shfaqet për shkak të reaksioneve alergjike ndaj disa ushqimeve. Gjithashtu, truri mund të reagojë me dhimbje ndaj shtimit të substancave toksike në gjak, të cilat sot gjenden në sasi gjithnjë e më shumë në ushqim. Përveç kësaj simptome, ka edhe shenja të tjera në dukje të parrezikshme që mund të tregojnë diabetin, si dobësia në duar dhe këmbë, etja ekstreme e të tjera.
Diabeti konsiderohet si një nga sëmundjet endokrine më të zakonshme të jetës moderne. Me përparimin e sëmundjes, në organet e pacientit krijohen ndryshime të pakthyeshme dhe më së shpeshti preken sistemi vaskular dhe nervor, veshkat, si dhe retina. Me kalimin e kohës, diabeti mund të dëmtojë zemrën, enët e gjakut, veshkat, sytë dhe nervat.