MENU
klinika

Analiza e New York Times

Lufta në Ukrainë po komplikohet dhe Amerika nuk është gati

21.05.2022 - 09:32

Senati miratoi një paketë ndihme urgjente prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën të enjten, por një grup republikanësh kritikojnë shpenzimet. Lufta po hyn në një fazë të re dhe të ndërlikuar, POR mbështetja e vazhdueshme dypartiake nuk është e garantuar.

Avril Haines, drejtori i inteligjencës kombëtare, paralajmëroi Komitetin e Senatit për Shërbimet e Armatosura kohët e fundit se muajt e ardhshëm mund të jenë të paqëndrueshëm.

Konflikti midis Ukrainës dhe Rusisë mund të marrë “një trajektore më të paparashikueshme dhe potencialisht shkallëzuese”, tha ajo, me gjasat në rritje që Rusia mund të kërcënojë të përdorë armë bërthamore.

Këto janë kosto të jashtëzakonshme dhe rreziqe serioze, dhe megjithatë ka shumë pyetje që Presidenti Biden ende nuk i ka dhënë përgjigje për publikun amerikan në lidhje me përfshirjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara në këtë konflikt.

Në mars, ky bord argumentoi se mesazhi nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj për ukrainasit dhe rusët duhet të jetë: Pavarësisht se sa kohë duhet, Ukraina do të jetë e lirë.

Ukraina meriton mbështetje kundër agresionit të paprovokuar të Rusisë dhe Shtetet e Bashkuara duhet të udhëheqin aleatët e saj të NATO-s për t’i demonstruar Vladimir Putinit se aleanca Atlantike është e gatshme dhe e aftë t’i rezistojë ambicieve të tij revanshiste.

Ky synim nuk mund të ndryshojë, por në fund, ende nuk është në interesin E Amerikës që të përfshihet në një luftë gjithëpërfshirëse me Rusinë.

Dhe synimet dhe strategjia e SHBA-së në këtë luftë janë bërë më të vështira për t’u dalluar, pasi qëllimet e misionit duket se kanë ndryshuar.

A po përpiqen, për shembull, Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë për t’i dhënë fund këtij konflikti, nëpërmjet një zgjidhjeje që do të lejonte një Ukrainë sovrane dhe një lloj marrëdhënieje midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë?

A është zhvendosur qëllimi i administratës në destabilizimin e Vladimir Putinit apo largimin e tij?

A kanë ndërmend Shtetet e Bashkuara të bëjnë përgjegjës Putin si kriminel lufte? Apo është qëllimi për të shmangur një luftë më të gjerë?

Pa qartësi në këto pyetje, Shtëpia e Bardhë jo vetëm që rrezikon të humbasë interesin e amerikanëve për të mbështetur ukrainasit – por gjithashtu rrezikon paqen dhe sigurinë afatgjatë në kontinentin evropian.

Amerikanët janë galvanizuar nga vuajtjet e Ukrainës, por mbështetja popullore për një luftë larg brigjeve të SHBA-së nuk do të vazhdojë pafundësisht.

Momenti aktual është një moment i çrregullt në këtë konflikt, gjë që mund të shpjegojë hezitimin e Presidentit Biden dhe kabinetit të tij për të vendosur objektiva.

Një fitore vendimtare ushtarake për Ukrainën ndaj Rusisë, në të cilën Ukraina rifiton të gjithë territorin që Rusia ka kapur që nga viti 2014, nuk është një objektiv realist.

Megjithëse planifikimi dhe luftimet e Rusisë kanë qenë çuditërisht të ngadalta, Rusia mbetet shumë e fortë dhe Putin ka investuar shumë në pushtim për t’u tërhequr tani.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO janë tashmë të përfshira, ushtarakisht dhe ekonomikisht.

Pritahmëritë jorealiste mund t’i zhysin  ata gjithnjë e më thellë në një luftë të kushtueshme dhe të zgjatur.

Rusia, sado e goditur dhe e paaftë, është ende një superfuqi bërthamore me një despot të paqëndrueshëm, i cili ka treguar pak prirje drejt një zgjidhjeje të negociuar. 

Deklaratat e fundit luftarake nga Uashingtoni – deklarata e Presidentit Biden se Putin “nuk mund të qëndrojë në pushtet”, komenti i Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin se Rusia duhet “dobësohet” dhe premtimi i kryetares së Dhomës, Nancy Pelosi, se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin Ukrainën “derisa të arrihet fitorja” – nuk i ndihmojnë aspak negociatat.

Në fund, janë ukrainasit ata që duhet të marrin vendimet e vështira: ata janë ata që luftojnë, vdesin dhe humbasin shtëpitë e tyre nga agresioni rus, dhe janë ata që duhet të vendosin se si mund të duket fundi i luftës.

Nëse konflikti çon në negociata reale, do të jenë udhëheqësit ukrainas ata që do të duhet të marrin vendimet e dhimbshme që do të kërkojë çdo kompromis.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë demonstruar se do të mbështesin luftën e Ukrainës. Dhe sido që të përfundojë lufta, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj duhet të jenë të përgatitur për të ndihmuar Ukrainën të rindërtohet.

Por teksa lufta vazhdon, Biden duhet t’i bëjë të qartë edhe presidentit Volodymyr Zelensky dhe popullit të tij se ka një kufi se sa larg do të shkojnë Shtetet e Bashkuara dhe NATO për t’u përballur me Rusinë.

Është e domosdoshme që vendimet e qeverisë ukrainase të bazohen në një vlerësim real të mjeteve të saj dhe se sa më shumë shkatërrime mund të përballojë Ukraina.

Përballja me këtë realitet mund të jetë e dhimbshme, por nevojitet.

Sfida tani është të ndalet euforia, dhe të përqendrohet në përcaktimin dhe përfundimin e misionit.

Mbështetja e Amerikës për Ukrainën është një test për pozicionin saj në botë në shekullin e 21-të dhe Biden ka një mundësi dhe një detyrim për ta përcaktuar.

Burimi: The New York Times

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Të qëndrojë apo të largohet nga Ukraina?

“The Times”: Dilema hamletiane e Zelenskyt

Propozimi ‘bombë’ i SHBA-së për Turqinë

“Dërgoni në Ukrainë sistemin raketor rus!”