Njësoj si edhe javën e kaluar, deputetët socialistë dhe demokratë nuk do të kenë asnjë emër në tavolinë për të votuar për President.
Partia Demokratike u tërhoq të premten nga procesi për zgjedhjen e kreut të shtetit në raundin e dytë me akuzën ndaj maxhorancës se prishi marrëveshjen e arritur ditën e mërkurë. Ora 16:00 ishte afati i fundit për të depozituar kandidatët në protokollin e Kuvendit, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Në fakt një gjë e tillë është paralajmëruar nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Në prononcimin për mediat javën e kaluar, Rama tha se PS nuk i ka 84 vota, ndaj deri në raundin e tretë nuk do të propozojë asnjë emër. Kjo u konfirmua të mërkurën që shkoi edhe nga kreu i Grupit Parlamentar dhe numri dy i PSsë. Në fakt, në raundin e dytë dhe të tretë u vendos që kandidaturat të propozohen nga opozita, konkretisht nga një pjesë e grupit të PD-së.
“Palët bien dakord paraprakisht për kriteret e përzgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kriteret e dakordësuara publikohen menjëherë; opozita parlamentare propozon 4 kandidatë për President të Republikës, që vijnë në mënyrë proporcionale nga fusha të ndryshme, të cilat paracaktohen në kriteret e caktuara sipas pikës 1. Këto propozime paraprakisht i nënshtrohen konsultimit publik; maxhoranca përzgjedh 2 kandidatë që gëzojnë besimin më të madh”, thuhej në tri pikat e para të marrëveshjes së dakordësuar publikisht në Kryesinë e Kuvendit ditën e mërkurë.
Por duket se procesi mbeti në gjysmë dhe një gjë e tillë, mesa duket, ishte parashikuar nga lidershipi i demokratëve.
Në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar, propozuan emrat e tyre vetëm një pjesë e vogël deputetësh. Ndërkohë, nuk patën asnjë emër për President as Enkelejd Alibeaj, as Gazment Bardhi e as Jorida Tabaku.
E ndërsa grupi opozitar po priste edhe dy emrat e aleatëve dhe më pas t’i nënshtroheshin një votimi brenda grupit për të zgjedhur 4 kandidaturat që do t’i dërgonin PS-së, Alibeaj njofton anulimin e mbledhjes, me pretendimin se PS kishte shkelur pikën 4 të marrëveshjes.
Maxhoranca tha se ishte e gatshme të diskutonte kandidaturat që sjell opozita dhe nëse do ta shikonte ndonjë kandidaturë të përshtatshme, do ta votonte, por nuk pranoi të firmoste kandidaturën që propozonte PD, pra që kandidatura të shkonte në Parlament me vota të përbashkëta.
TËRHEQJA
Për kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeajn, mosfirmosja e kandidatit që propozon PD, përbën shkelje të marrëveshjes dhe, sipas të njëjtit dokument, nëse ka prishje të njëanshme të dakordësisë, opozita tërhiqet.
“Një komision i përbërë nga 6 anëtarë: 3 shumica parlamentare dhe 3 pakica parlamentare, shqyrtojnë 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej kandidatëve. Kandidatura e përzgjedhur i nënshtrohet votimit në seancë plenare. Kjo procedurë përsëritet për çdo raund, ku skualifikohen kandidatët që nuk janë përzgjedhur sipas pikës 2, dhe kandidati që nuk ka marrë mbështetjen në seancë plenare.
Shkelja e njëanshme e rregullave të procedurës i njoftohet zyrtarisht shumicës parlamentare dhe publikohet menjëherë. Në rast të mosriparimit të shkeljes, ose në rast të shkeljes së përsëritur të tyre, opozita parlamentare tërhiqet nga pjesëmarrja e mëtejshme në proces, duke treguar publikisht edhe shkakun”, thuhet në dokumentin e Alibeajt që ai pretendon se është shkelur.
Ndërkohë, burime për gazetën “Panorama” bëjnë me dije se opozita do të rikthehet në tryezën e negociatave me kushtin që Partia Socialiste të bashkëvendosë me opozitën firmat e deputetëve të PS-së me deputetët demokratë.
Kjo javë është mundësia e fundit që të ketë një kandidaturë konsensuale, pasi në raundin e 4-t dhe të 5-të, kreu i ri i shtetit zgjidhet me 71 vota në Parlament, çka i jep mundësi maxhorancës ta zgjidhë vetëm me deputetët e saj.