MENU
klinika

Ndikimi

A luajnë rol pijet me ëmbëlsues në vetëvrasjen e adoleshentëve?

26.05.2022 - 18:10

*Pije me ëmbëlsues (soft drinks) – një pije që zakonisht përmban ujë (shpesh të gazuar), një ëmbëlsues dhe një aromë natyrale dhe/ose artificiale.

Vetëvrasja është shkaku i katërt kryesor i vdekjes midis 15-29-vjeçarëve në mbarë botën dhe shkaku i dytë kryesor i vdekjes midis 10-34-vjeçarëve në SHBA. Faktorët e rrezikut të studiuar zakonisht për vetëvrasjen e adoleshentëve përfshijnë depresionin, ngjarjet stresuese, fatkeqësi kronike, reduktim i aktivitetit fizik dhe faktorë gjenetikë. Mendohet se dieta gjithashtu luan një rol të rëndësishëm.

Studimet e kaluara në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme kanë raportuar se konsumi i pijeve “të ëmbla” lidhet shumë me vetminë, sjelljet sedentare, peshën jo të shëndetshme, sjelljet agresive, shëndetin e dobët mendor dhe vetëvrasjen tek adoleshentët. Të rinjtë e të gjithë botës, përfshirë SHBA-në, kalojnë një kohë të konsiderueshme duke u ulur dhe duke pirë pije joalkoolike, por të gazuara dhe/ose me ëmbëlsues. Një studim i kohëve të fundit hulumtoi lidhjen midis konsumimit të këtyre pijeve dhe të qenit joaktiv – me rrezikun e vetëvrasjes në SHBA.

Studimi fillimisht përcaktoi nëse subjektet plotësuan rekomandimet e OBSH-së për aktivitetin fizik (domethënë, sa nga shtatë ditët e fundit subjektet ishin fizikisht aktivë për një total prej të paktën 60 minutash në ditë), kohën para ekranit të kompjuterit dhe kohëzgjatjen e gjumit të natës. Studimi vlerësoi nëse subjektet plotësonin të tre kriteret ose nëse ata plotësonin të paktën dy nga kriteret, ose asnjë nga tre kriteret.

Studimi gjithashtu mori në konsideratë rolin e faktorëve demografikë si mosha, seksi, raca dhe BMI. Kërkimi përfshiu të dhëna nga pesë anketa të fundit 10-vjeçare (2011, 2013, 2015, 2017 dhe 2019) të nxënësve të klasave 9 deri në 12 dhe në fund përfshiu një total prej 73,074 adoleshentë. 88% e këtyre subjekteve ishin mbi 15 vjeç, 50% ishin meshkuj dhe rreth 28% ishin mbipeshë ose obezë.

Studimi gjithashtu mori në konsideratë sjellje specifike dietike, të tilla si marrja e perimeve, frutave, qumështit dhe konsumimi i përditshëm i mëngjesit.  Simptomat depresive u përcaktuan duke pyetur subjektet nëse, gjatë 12 muajve të fundit, ata janë ndjerë ndonjëherë të trishtuar ose të pashpresë për dy javë ose më shumë rresht, saqë kjo i ka penguar nga pjesëmarrja në aktivitetet e tyre të zakonshme.

Ndikimet negative të konsumit të “soft drinks”

Frekuenca e konsumimit të pijeve me ëmbëlsues lidhej në mënyrë të konsiderueshme me përhapjen e ideve vetëvrasëse, duke bërë një plan vetëvrasjeje dhe tentativën për vetëvrasje. Si për djemtë ashtu edhe për vajzat, lidhja ishte më e madhe kur konsumimi i këtyre pijeve ishte më i madh se tre pije në ditë.

Vajzat që raportuan se konsumonin pije vetëm 1 ose 2 herë në ditë kishin një rrezik në rritje të ideve vetëvrasëse. Dhe ndryshe nga djemtë, vajzat nuk treguan asnjë lidhje statistikisht domethënëse midis përmbushjes së udhëzimeve të lëvizjes 24-orëshe dhe vetëvrasjes. Përmbushja e udhëzimeve të lëvizjes ishte më e rëndësishme për djemtë në lidhje me cënueshmërinë ndaj vetëvrasjes.

Për fat të mirë, djemtë kishin një prevalencë më të lartë të përmbushjes së udhëzimeve të lëvizjes. Por, ndryshe nga vajzat, mosplotësimi i të gjitha rekomandimeve të udhëzimeve të lëvizjes rriste ndjeshëm rrezikun e ideve për vetëvrasje dhe tentativave për vetëvrasje tek djemtë.

Në përgjithësi, rezultatet e këtij studimi theksojnë rëndësinë e reduktimit të konsumit ditor të pijeve të pashëndetshme për parandalimin e vetëvrasjes tek adoleshentët – dhe kjo duket të jetë veçanërisht e vërtetë për djemtë që nuk bëjnë gjumë të mjaftueshëm ose aktivitet fizik të përditshëm.

Burimi: Psychology Today