Kombëtarja shqiptare ka vijuar stërvitjen në Durrës në kuadër të ndeshjeve të Ligës së Kombeve. Çdo gjë ka shkuar mirë deri tani dhe nuk ka pasur probleme.
Në konferencën e sotme për shtyp ishin të pranishëm Sokol Cikalleshi dhe Nedim Bajrami. Të dy kuqezinjtë vunë theksin në ndeshjen e parë me Islandën më 6 qershor në transfertë, sfidë e cila vlen dyfish, pasi nëse kalohet me sukses, vijnë më të karikuar për ndeshjen me Izraelin më 10 qershor. Nedim Bajrami theksoi:
Skuadra dhe konkurrenca – “Jemi një skuadër miks me eksperiencë dhe të ri. Ky faktor është shumë i mirë për ne. Konkurrenca është normale në futboll, çdo lojtar duhet të luajë dhe jashtë fushës flasim dhe qëndrojmë bashkë të gjithë.”
Liga e Kombeve – “Ta fillojmë Ligën e Kombeve me rezultat pozitiv, të stërvitemi shumë mirë dhe të japim maksimumin gjithmonë.”
Empoli dhe e ardhmja – “Ky është sezoni i parë në Serinë A dhe më ka ecur shumë mirë për mua dhe Empolin sepse kemi qëndruar në elitën e futbollit italian. Nuk e di se çfarë do të ndodhë pas Kombëtares, është herët për me fol për të ardhmen”, përfundoi Nedim Bajrami.