Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka është pritur ngrohtësisht në Paris nga Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ku ka vizituar nga afër edhe zyrat e reja të FIFA-s.
Në kuadër të finales së Champions League në kryeqytetin francez, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar pati mundësinë të takonte nga afër edhe Presidentin e FIFA-s, i cili e priti në një takim ku u diskutua rreth projekteve të ardhshme mbi futbollin.
Në një intervistë të shkurtër për FIFA-n, Presidenti Duka rrëfen detaje nga takimi, ndërsa vlerëson edhe ndërtimin e zyrave të reja në Paris, duke e cilësuar si një vendim të drejtë që i afron federatat anëtare më shumë me njëra-tjetrën. Gjithashtu, kreu i FSHF-së flet edhe për bashkëpunimin me FIFA-n dhe mbështetjen që institucioni botëror i futbollit i ka dhënë Shqipërisë për zhvillimin e kësaj loje në vendin tonë.
Pikat kryesore të bisedës me Presidentin Infantino – Ishte në fakt një vizitë në zyrat e FIFA-s në kuadër të ndeshjes finale të Champions League, por gjithashtu një takim surprizë me Presidentin e FIFA-s në zyrat e reja në Paris.
Biseda gjatë takimit me Presidentin ishte rreth futbollit, mbi ngjarjet e fundit, zhvillimet e FIFA-s si dhe projektet e reja që FIFA ka për të ardhmen, për zhvillimin e futbollit në botë. Pa dyshim që ishte një suprirzë dhe kënaqësi e madhe për ne të kishim edhe një bisedë më të ngushtë dhe më pak formale, ose konfidenciale me Presidentin, Z. Gianni Infantino.
Avantazhet e zyrave të reja të FIFA-s në Paris – Kjo ishte një nga gjërat që diskutuam edhe me Presidentin. Gjithashtu e diskutova këtë gjë edhe me Kenny Jean-Marie më parë dhe ishte një vendim shumë i mirë i FIFA-s për të pasur zyrat në Paris, pasi është shumë i aksesueshëm për federatat anëtare dhe mendoj se ky vendim është marrë për t’u afruar më shumë me anëtarët sesa për komoditetin e zyrtarëve. Kështu që për mua, ky është një nga vendimet më të drejta që është marrë.