Shumica e atyre që mbushin sot sallën e Parlamentit në Shqipëri, vijnë nga “fusha” të ndryshme. Pak prej tyre vijnë nga rrethet akademike, nga sallat e bibliotekave dhe brezpasbrezi intelektualë. Shumica e tyre, kanë ardhur në politikë, me xhaketa, pantallona dhe këpucë “Gabi”, dhe sot nuk u afrohesh dot sepse veshja e tyre kushton sa 3 vjet pagë e një pensionisti mesatar. Drejtimin monstruoz jetës parlamentare këtij vendi, ja dhanë ata që erdhën në pushtet pas 22 Marsit 1992. Ata mësuan në bodrumet e ambasadave hiletë, pazaret, ata importuan nga jashtë të parët format dhe mënyrat perfekte si vidhet paraja e popullit, pasuria e popullit, si privatizohen pasuritë kombëtare, si shiten esetet kombëtare, etj….
Dhe avazi vazhdoi edhe me ardhjen e atyre që fituan pushtetin pas 1997. Edhe ata i shtrinë pazaret në Parlament, në tryeza partish, në sofra ambasadorësh, bënin sikur “nxeheshin” me Sali Berishën, shaheshin dhe ndesheshin me fyerje dhe kërcënime. Donin me patjetër që mes tyre të ishin ambasadorët. Çdo gjë zgjidhej me praninë e ndërkombëtarëve. Vitet rrodhën, dhe dy partitë e mëdha nuk mbahet mënd të kenë rënë dakort pa “shkulur veshin” nga ambasadorët e huaj në Tiranë. Kjo ka ndodhur kur i miratua Kushtetuta e re, kjo ka ndodhur kur bëheshin protestat e dhunshme dhe rrëmbehej institucioni shtetit, kjo ka ndodhur kur nuk njiheshin zgjedhjet nga PD-ja, kur caktohej data e re e zgjedhjeve, kur zgjidhej presidenti i ri, kur dilnin rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme. Kudo do të duhej të ishin ambasadorët. Si askund tjetër, ata (ambasadorët) do ti gjeje në seli partish, Parlament, ministrira, drejtorira, madje edhe në komisariate. Ilir Meta po e mbaron mandatin e kreut të shtetit, ndaj dhe duhet të gjendej një emër mes palëve.
Asgjë e keqe nuk vjen nga tryezat e përbashkëta mes partive politike. Atje rrihen mendimet, dalin problemet, sheshohen mosmarrëveshjet, dalin emrat, seleksionohen derisa del dhe emri i duhur i atij që do të votohet për kryetar shteti. Por nuk ndodh asnjëherë kjo. Kaq e thjeshtë është, aq të ndërlikuar e bëjnë. Dhe kush ? Ata pra, që erdhën nga askundi, u futën në lista deputetësh, mbushën xhepat me para dhe pasuri, dhe sot i thonë vehtes “politikanë”. Shtyjnë ditët, muajt dhe vitet derisa u mbaron mandati, dhe sërish i jargaviten kryetarit për të qenë “pjesë e listës”. Me kallëpe të tilla, kurrë nuk do të arrish as bashkëpunimin, dhe as rezultatin e duhur të tryezave politike, as për presidentin, dhe as për probleme të tjera që lidhen me vendimarrjen e politikës. Në Shqipëri, është nevojë urgjente çlirimi i politikës nga mediokriteti, dhe kjo duhet të nisë pikërisht nga hartimi i listave për deputetë. Ata që ne i quajmë “ligjvënës”, duhet të kalojnë në filtra të shumtë, (derisa të futen në listat e kandidimit) të cilat të përcaktojnë aftësinë e tyre mendore, psikike, dhe formimin e tyre arsimor. Eshtë themelore të bëhet kjo gjë, për faktin sepse ai (deputeti) është pasqyra e votuesit, shtetit dhe nivelit ku ndodhet sot politika në Shqipëri.
Një deputet, nuk mund të paramendojë pazare kur është pjesë e komisioneve parlamentare, dhe as nuk mund të bëhet pengesë me dashje, kur vota e tij përcakton fatin e një institucioni kaq të rëndësishëm, siç është ai i Presidentit të Republikës. Vendi nuk mund të rrijë asnjë ditë pa kreun e shtetit, sepse një grup diletantësh, kanë mandatin e deputetit dhe e keqpërdorin për pazare personale. Kjo gjë duhet të marrë fund, për të thyer përfundimisht mendimin dhe mentalitetin e të bëri “karrierë politike” me mandatin e deputetit.