Në Shqipëri, parlamenti dogji dhe raundin e tretë të votimit për presidentin e ri, në mungesë të një kandidature. Kryetari i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj, tha se ishte një shans I humbur për t’i dhënë legjitimitetin e duhur institucionit ët kreut të Shtetit, duke fajësuar për këtë socialistët. Këta të fundit fajësuan demokratët të cilët sipas tyre nuk shfrytëzuan mundësinë për të propozuar një emër. Në dy raundet e fundit socialistët nuk kanë asnjë pengesë për të zgjedhur një emër të propozuar prej tyre, duke qenë se mjafton shumica e thjeshtë e deputetëve.
Për herë të tretë parlamenti u mblodh vetëm për të respektuar formalisht procedurën, duke konstatuar mungesën e një kandidati për president. Në sallë mungonte një numër i madh deputetësh demokratë, kryesisht ajo pjesë që kishte mbështetur angazhimin e kryetarit të grupit Enkelejd Alibeaj në procesin për zgjedhjen e kreut të Shtetit.
Zoti Alibeaj tha më vonë se shumica nuk i qëndroi marrëveshjes, për të cilën siç u shpreh, kishte dhënë dakortësinë. Sipas tij, u dëshmua se deklarimet e sociaistëve për një president mbi palët kishin qenë një hipokrizi. “Humbëm një rast për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve një institucion i cili do të duhet të kishte legjitimitetin e palëve, që do të ishte garancia që më vonë të ishte i tillë, sa herë të kishte joshje, shantazhe, do të ishte sfida politike, për aq sa presidenti i Republikës ka, të qëndronte në mënyrë serioze, në lartësinë e detyrës”
Por nga ana e tij, kryetari i grupit socialist, Taulant Balla, fajësoi demokratët që nuk paraqitën qoftë dhe një emër në të paktën dy raundet e fundit. Tanimë ata mund të zgjedhin të vetëm presidentin e ri të vendit, duke qenë se në dy raundet e mbetura, mjafton shumica e thjeshtë prej 70+1 deputetësh. Pavarësisht kësaj, zoti Balla u shpreh se “ne do vazhdojmë të kërkojmë komunikim dhe dialog me të gjithë deputetët e grupeve parlamentare të opozitës, për të siguruar një mbështetje sa më të madhe dhe konsensuale për zgjedhjen e presidentit”.
Socialistët pritet të mbledhin kryesinë për të diskutuar mbi kandidatin e mundshëm dhe më pas grupin parlamentar. Me gjasë ata do të kërkojnë që votimi në raundin e katërt të zhvillohet në kufirin maksimal të kohës, të hënën e ardhshme, edhe sepse, kryeministri Edi Rama, ka fluturuar drejt New York-ut. Shqipëria merr më 1 qershor presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe ai pritet të drejtojë një ditë më pas debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi llogaridhënien ndërkombëtare.
Ndërsa do të duhet të zgjedhë presidentin e ri të vendit, parlamenti mbajti sot një minutë heshtje në nderim të ish kreut të Shtetit Bujar Nishani, i cili u nda nga jeta të shtunën. Trupi i tij pritet të mbërrijë nesër nga Gjermania, ku ai gjendej i shtruar në spital prej disa javësh./VOA