MENU
klinika

Nga Mero Baze

SHBA e kishte vetëm me Berishën, por Evropa e ka dhe me PD e Berishës

30.05.2022 - 20:07

Të gjithë ata që justifikuan veten brenda Partisë Demokratike se vendimi i SHBA kundër Sali Berishës ishte vendim i lobuar dhe nuk kishte lidhje me Partinë Demokratike, kanë tani shansin të përballen me vendimin kundër Partisë Demokratike, jo më nga SHBA, por nga Partitë Popullore Evropiane.

Vendimi i sotëm që delegacionit të Partisë Demokratike i hiqet e drejta e votimit në Kongresin e Partive Popullore, është hapi i parë i një spiraleje edhe më të rëndë që tani pret Partinë Demokratike për shkak të Sali Berishës.

Nëse vendimi i SHBA kundër Berishës dhe familjes së tij për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë, ishte një vendim që prekte vetëm Berishën dhe familjarët e tij, përshkallëzimi që po merr ndëshkimi i PD për shkak të Berishës, është shumë herë më i rëndë se sa vendimi i SHBA.

Një vit pas ndëshkimit amerikan, e vetmja gjë e mirë që ka ndodhur për të shpëtuar Partinë Demokratike, ka qenë vendimi i Lulzim Bashës për të shkëputur fatin e PD nga fati i Sali Berishës.

Duke e ndjerë këtë rrezik, Sali Berisha ngriti në këmbë llumin e PD për të mbajtur peng PD dhe për të mos e lënë të vetëm përballë SHBA, pa mbrojtjen politike të saj.

Kjo ka bërë që pas një viti, përveç Berishës, të kemi të ndëshkuar të madh edhe PD-në.

Tani të gjithë ata që mendonin se po shpetonin PD nga Lulzim Basha, duke ja ofruar Berishëve si robinë, kanë rastin të shikojnë se si po përdhunon Berisha, PD-në, për hallin e tij.

Të deleguarit e tij në Kongresin e Partive Popullore janë sot pa të drejtë vote, ndërkohë që presin vendimin e Gjykatës në Tiranë. Madje dhe më keq akoma për Berishën, deri tani të vetmes që nuk ja kanë revokuar ende votën, duket se është Jorida Tabaku.

Akoma më keq, sipas paralajmërimeve që ka bërë zyrtari më i lartë politik i CDU në raportet me EPP, Gunther Krichbaum, nëse Berisha do të tentojë të mbajë kreun e PD, ajo do të jetë një parti e përjashtuar nga Partitë Popullore dhe izoluar nga çdo partner evropian.

Pra ndëshkimi evropian për Berishën vetëm sa ka filluar dhe është shumë herë më i rëndë se ai amerikan. Është i rëndë dhe i pamëshirshëm, pasi ai nuk ndëshkon vetëm Berishën, por dhe llumin që shkon pas tij dhe që tenton të marrë peng PD.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN