MENU
klinika

Tirana!..

Kadare lë Parisin

31.05.2022 - 14:18

          Shkrimtari shqiptar që tanimë i përket botës, njofton kthimin në Shqipëri. Kadare, braktis ditët e zhurmshme pariziane, pas disa dekadash në Francë, për t’u rikthyer në Tiranë. Shkrimtari e la Shqipërinë, që po shkëputej me zor nga regjimi komunist, në tetorin e vitit 1990, pak kohë pas hapjes së ambasadave. Por, prania në zhvillimet kulturore dhe politike në vend, u përcoll njëlloj intensive dhe me shumë interes, nga ana e tij.

“Nuk ka qenë një zgjedhje e atypëratyshme. Ka qenë një zgjedhje e ngadaltë, e padallueshme mirë. Kështu ka qëlluar. Më është dukur se këtu do ta them më mirë atë që mund të thosha për çdo rast, për rastet e lumtura ose të dëshpëruara të jetës. Në të gjitha rastet, më është dukur se do të isha i përshtatshëm në këtë formë që jam”, – ka thënë Kadare, në një intervistë për mediet.

Pyetjes se, si i duken shqiptarët sot, mjeshtri i përgjigjet me ekuilibrin karakteristik: “Disa herë besoj se jemi, disa herë jo. Por, koha do ta tregojë”.

Gjeti rastin po ashtu, të vlerësojë edhe kontributin e Arshi Pipës, në njohjen e veprës së tij në botë. Mosmarrëveshjet e të shkuarës, mes dy njerëzve të letrave, tashmë janë të tejkaluara, për shkrimtarin e madh.

“Zakonisht për përkthyesin thuhet se, në një farë mënyre e tradhton veprën. Ne shkrimtarëve disa herë na pëlqen, disa herë nuk na pëlqen. Por nuk kemi të drejtë… Arshi Pipa ka përkthyer “Kronikë në gur” në anglisht. Kemi pasur marrëdhëniet tona të zakonshme, mes shkrimtarëve. Kam mendim të mirë për Arshi Pipën, megjithëse kjo mund të tingëllojë pak e habitshme, ngaqë ne, në shtypin letrar, kemi pasur acarime mes nesh. Por, kjo është e zakonshme, nuk ka asgjë për t’u habitur. Zakonisht, njerëzit presin që “plasi ndonjë sherr mes shkrimtarëve e ta ndjekim sa është interesant”. Arshi Pipa ka bërë një përkthim që është shpërndarë kudo në botë. Falë këtij përkthimi, por edhe përkthimeve të tjera, vepra ime është njohur në shumë vende, në të gjitha vendet e botës”, – thotë Kadare.

“Nuk kam pasur konflikte me përkthyesit e mi. Kam qenë i kënaqur që edhe një përkthyerës si Arshi Pipa, me të cilin, disa herë në botën letrare kemi pasur polemika, jo fort dakord me njëri-tjetrin për disa gjëra, nuk kam asnjë pakënaqësi që ai është marrë me veprën time, aq më tepër urrejtje. Përkundrazi, kam pasur falënderim që ky njeri i shquar i kulturës shqiptare i ka kushtuar një pjesë serioze të jetës së tij, përkthimit të këtyre veprave. Ju do të prisni që unë të bëja ndonjë vërejtje për të, ju them sinqerisht, nuk e kam për arsye mirësjelljeje… Përkundrazi, kam mirënjohje që ky zotëri është marrë gjithë këto vite, me një nga romanet e mi. Dhe ia ka dalë. Nuk di ç’të them për vërejtjet që i janë bërë, për ato secili mund të japë mendimin e vet”./Konica.al