MENU
klinika

Policia blindon qytetin

Atentati që tronditi Shkodrën, viktima pjesë e fisit Bajri

03.06.2022 - 10:23

Gazetari Senad Nikshiqi sjell të tjera detaje për News24 dhe BalkanWeb, lidhur me ngjarjen e rëndë që ka tronditur mëngjesin e sotëm Shkodrën.

Autorë ende të paidentifikuar nga policia, ka shtënë me armë drejt objektivit të tyre Naim Bajrit, në një distancë relativisht të afërt, duke e lënë të vdekur dhe duke plagosur punëtorin e tij, Astrit Zenelin, që ndodhej bashkë me të në kafe në momentin e ngjarjes.

Bajri ka qenë duke konsumuar kafen e mëngjesit pranë dyqanit të tij në lagjen Rus, ndërsa sipas dëshmive të para, mësohet se ai ka qenë një person i qetë dhe nuk rezulton i përfshirë në ngjarje të mëparshme kriminale.

68-vjeçari është pjesë e fisit të njohur Bajri, me emra të shumtë të përfolur dhe të skeduar nga policia. Kujtojmë se në vitin 2001 atij i kanë vrarë të birin, Indrit Bajri, por paraprakisht mendohet se këto ngjarje nuk lidhen me njëra-tjetrën.

Forca të shumta policia dhe prokurori i Shkodrës kanë mbërritur në vendngjarje dhe po vijojnë punën për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të këtij atentati.

Disa minuta pas vrasjes, policia ka gjetur edhe një automjet të djegur në një tjetër lagje të Shkodrës, që mendohet se u përket autorëve.

Kujtojmë se kjo lagje është një zonë mjaft e populluar, për shkak se ndodhet tregu i fruta perimeve dhe markata e peshkut, por për fat të mirë atentati sot nuk ka rrezikuar kalimtarë të rastit.

Sa i përket të plagosurit, deri më tani raportohet se gjendja e tij shëndetësore është stabël dhe ndodhet nën monitorimin e mjekëve, por priten orët në vijim për të mësuar nëse ndodhet jashtë rrezikut për jetën.