MENU
klinika

Nga Lutfi Dervishi

Një president zjarrfikës?!

03.06.2022 - 21:21

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Bajram Begaj me shumë gjasë do të jetë Presidenti i tretë i brenda 20 viteve të fundit që ulet në karrigen e kryetarit të shtetit pas një karrierë ushtarake!

Sidomos sot u diskutuan dhe u bënë “të sigurta” kandidatura që mund të cilësoheshin “provokim”

Profili i deritanishëm i kandidatit të propozuar i ngjan më shumë kandidaturës së një presidenti zjarrfikës. Një siguri mund ta shprehim që në fillim: Shefi i Shtabit të Përgjithshëm nuk ka gjasë që të ndezë zjarre! Por në një vend si Shqipëria vatrat e zjarrit i krijon kushdo, kudo dhe kurdohere, atje ku pritet dhe atje ku s’ta pret mendja. Vatra më e fundit është ajo e zjarrit antipresidencial, që dogji tre raunde votimi dhe që duket nuk ka për t’ia dhënë votëbesimin presidentit të ri. Nëse do t’i shuajë dot këto zjarre Bajram Bega, këtë do ta tregojë koha. Zjarrin e parë, zjarrin antipresidencial e ka tek dera. Këtu do të jemi dhe do ta vëzhgojmë!

Përveç rolit “zjarrëfikës” kandidatura e shefit të shtabit të përgjithshëm rikthen modelin e kandidatit jashtë politikës!

Duket se faza në të cilën po kalon vendi kërkon një kandidaturë që ka mbajtur një distancë higjenike nga politika e ditës, një kandidaturë që dëshmon ndershmëri dhe sensin e lartë të detyrës- gjë të cilën ushtarakët e kanë në ADN – në e tyre!

Kandidatura e zgjedhur ofron befasi për shkak se nuk është diskutuar në tavolinat mediatike dhe rrjetet sociale! Nuk është person që njihet në publik për mendimet dhe idete që ka lidhur me çështjet dhe sfidat që përballet vendi.

Pavarësisht se Presidenti nuk ka kompetenca ekzekutive, ai ka një pushtet që është i shpërdoruar mes aktorëve politik- të rinj dhe të vjetër – pushtetin e shembullit personal dhe pushtetin e fjalës!

Si do t’a përdorë Presidenti i ri këtë pushtet? Çfarë do të ofrojë për publikun dhe për audiencën e huaj?

Ushtarakët janë mësuar me rregullin, ligjin dhe hierarkinë!

Si do të sillet “ushtaraku” nëse menjëherë pas përfundimit të ceremonisë do të tentojnë t’a trajtojnë si noter të ekzekutivit?

Një kandidaturë e pastër nga akuzat dhe me distancë nga politika jep premisat për të përsëritur suksesin në detyrë të “ushtarakëve” Moisiu dhe Nishani!

PS dhe kryeministri kishin rastin të zgjidhnin një kandidaturë të shkëlqyer sepse i kanë votat dhe nuk kanë asnjë presion.

Koha shumë shpejt do të dëshmojë për zgjedhjen që kanë bërë sot!

Ndërsa sa i përket opozitës nuk duket se ka argumenta për të bojkotuar dhe për të mos votuar kandidaturën e Bajram Begajt!

Së fundmi, por jo për nga rëndësia! Kryeministri këtë proces e mbajti në heshtje deri në sekondën e fundit. Dhe edhe vetë i zoti punës e mori vesh i fundit bashkë me publikun. Heshtja më shumë se ndaj opinionit publik duket se ishte ndaj “oligarkëve” dhe “opinionistëve” që këtë radhë dolën jashtë loje me parashikimet dhe të ndjerit që gjërat e rëndësishme në këtë vend i vendosim ne!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN