MENU
klinika

Lufta e Vlorës

“Në vitin nëntëqindnjëzetë, Selami ç’i mblodhi djemtë”

05.06.2022 - 13:01

        Nëse Kongresi i Lushnjës ishte diplomacia, gjashtë muaj më vonë, kishte ardhur koha për të marrë pushkët dhe për të fituar atë që, në gjuhën e historiografisë quhet “Pavarësia e Dytë shqiptare”. Për këtë qëllim patrioti Osman Haxhiu, thirri më 29 maj 1920, kuvendin e Barçallasë, që me rreth 200 delegatët nga të gjithë fshatrat e Labërisë, zgjodhi Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare, Komisionin e Luftës me 12 anëtarë dhe Këshillin e Luftës me 30 anëtarë, sikurse komandantët e çetave të të gjithë fshatrave.

Lufta e Vlorës më 1920 ose “Lufta e Njëzetës” ishte një seri betejash mes forcave të Italisë dhe patriotëve shqiptarë për zotërimin e qytetit te Vlorës. Lufta zgjati tre muaj dhe ishte një lëvizje e madhe për të mbrojtur qytetin e Vlorës, nga copëtimi total qe do i bënin pushtuesit italianë.

Në këtë lufte duhet përmendur kapedani Hodo Zeqiri qe ka qene nje nder heronjte e udheheqesit legjendarë te kesaj lufte. Në 3 shtator 1920 pas shumë luftimesh të pabarabarta forcat shqiptare hynë fitimtare në qytetin e Vlorës duke i detyruar pushtuesit italianë të largoheshin, jo vetëm nga rrethi i saj por edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini.

Në Baçalla, të Dukatit në 29 maj 1920, u mblodhën rreth 200 burra të krahinës së Vlorës, për t’i dhënë përgjigje aneksimit të Vlorës nga Italia. Ata vendosën t’u përgjigjen edhe fyerjeve të ushtarëve italianë që në 28 nëntor 1919 e lidhën Flamurin Kombëtar në bisht të qenit. Ata donin t’u përgjigjeshin edhe atyre ushtarëve italianë të ndodhur në postë-komandat italiane, në shumicën e fshatrave të Vlorës, që u kërkonin labëve vajzat për të bërë dashuri, e pa pranueshme për mentalitetin e kohës dhe të labit. Ata i jepnin përgjigje edhe konspiracive që u ngritën ne Konferencën e Paqes; sipas këtyre konspiratorëve Vlora i jepej Italisë. Në Vlorë ishin përqendruar rreth 20.000 trupa italiane.

Përballë gjeneralëve të sprovuar, u renditën gjeneralët pa diplomë, të fshatrave të Vlorës, por që në zemrat e tyre kishin dipllomën e së drejtës, së mbrojtjes dhe të patriotizmit. Në Baçardha u morën një seri vendimesh të rëndësishme. U vendos t’u shpallej luftë forcave italiane në Vlorë, dhe krahina e Vlorës të bashkohej me pjesën tjetër të Shqipërisë. U zgjodh një këshill ushtarak prej 35 vetësh, i cili emëroi një komandant të luftës dhe zgjodhi një shtab prej 12 vetësh. Komandanti nuk duhej të bënte pjesë në këtë shtab i cili u quajt ”Komiteti Mbrojtja Kombëtare” ose si thirrej në popull “Komisjoni”. Vendimet e “Komitetit” ishin të detyrueshme për komandantin. Komandant u zgjodh major Ahmet Lepenica.

Këshilli zgjodhi anëtarë të “Komitetit” 1)Osman Haxhiu 2) Qazim Kokoshi- Vlorë 3) Alem Mehmeti-Tragjas 4) Beqir Sulo Agalliu-Vlorë 5) Ali Beqiri- Velçë 6) Murat Miftari-Tërbaç 7) Hamit Selmani-Dukat 8) Hysni Shehu-Sevaster 9)Myqerem Hamzarai-Kaninë 10) Sali Bedini-Armen Qazim Koculi-Kocul. Këta të 12 zgjodhën kryetar të “ Komitetit” Osman Haxhiun .

Pas luftimeve të ashpra u çlirua Kota dhe Drashovica, komanda dhe qendra u vendos në Drashovicë. Pas disa polemikave u caktua Qazim Kokoshi prefekt. Një nga problemet më të rëndësishme të luftës ishte furnizimi me ushqime dhe municion. Xhafer Bej Ypi, Prefekti i Beratit, vendosi t’i sjellë deri në lumë pranë Selenicës të gjitha ndihmat e qeverisë. Kryeministri Sulejman Delvina dhe ministri i brendshëm Ahmet Zogu ishin dy njerëzit më të fuqishëm, që përkrahën pa rezerva Luftën e Vlorës. Sali Bedini bëri organizimin e Vllehëve të zonës, të cilët me në krye Kol Kitën, me karvanet e kuajve e shpinin furnizimin në magazinat e Llakatundit, Picarit, Lubonjës dhe prej andej në Kotë ku merrej në dorzim nga Ali Gjiriti dhe Izet Borshi.

Përfaqësues i luftës pranë qeverisë ishte ministri fuqiplotë Spiro Jorgo Koleka dhe përfaqësues në shtetin grek me qendër në Korfuz, Hamza Isai. Himara kishte përfaqësues të saj Naqe Konomin. Spitali në Kotë drejtohej nga Dr. Sezai Çomo dhe për mjekimet pëdoreshin mjekët italianë të zënë robër dhe dy amerikanë që kishin ardhur për ndihmë. Me ilaçe furnizonin farmacitë e Rexhep Hitos, Syrja Bej Libohovës, Fadil Kotonit, Nazif Halites dhe Kryqi i Kuq Amerikan. Në Vajzë u grumbulluan robërit dhe komandant i kampit të robërve ishte vendosur Rexhep Sulejmani. U vendos që Piaçentinit t’i dërgohej ultimatumi; tekstin e përgatiti Avdul Kuçi; u dorëzua nga Mehmet Selimi (Mallkeq) i shoqëruar nga Halim Laze (Kaninë) dhe Adem Aliko (Vranisht). Përkthimin e bëri Ulise Bozo i cili shërbeu si ndërlidhës ndërmjet shqiptarëve dhe italianëve.

Ngjarjet e Vlorës u pasqyruan në gazetën “Drita” të Veli Harshovës Gjirokastër, “Kuvendi” “Dielli” të Bostonit etj. Shoqëria “Vatra” e Amerikës dërgoi “Bandën” e shoqërisë së bashku me trupat vullnetare. Bandën e drejtonte muzikanti Thoma Nasi. Nuk mbetën pas as fetarët në këtë luftë, ku spikasin Babai Teqes Tepelenës Ahmet Turhani Baba Xhaferi Përmet, Don Marku, At Shtjefën Gjeçovi, myftiu Osman Muka, etj. Një rrol të veçant pati edhe Xhovani Valencia, arbresh magazinier në Panaja, i cili u dorëzoi magazinat shqiptarëve.

Fitorja që arriti populli shqiptar në Luftën e Vlorës të vitit 1920, pati jehonë në arenën ndërkombëtare. Shtrohej pyetja: si është e mundur që një popull i vogël, i varfër e i paarmatosur, të ndeshej e të fitojë ndaj një fuqie të madhe siç ishte Italia. Shembulli i Shqipërisë vështirë se mund të gjente shpjegim në teoritë e kohës. Ai tregonte qartë, se një fuqi e vogël kur para saj shtrohej çështja për mbijetesë, gjen rrugët e mundësitë për të arritur fitoren, çka duhet të ndikojë te përfytyrimi që duhet të kenë Fuqitë e Mëdha për këtë vend. Italia u ndesh në Shqipëri me një vendosmëri të lartë të popullit për të ruajtur pavarësinë, çka i zbehu synimet e strategjisë italiane në drejtim të Shqipërisë. Arritjet e qeverisë së Tiranës që shmangën rrezikun e një Fuqie të Madhe si Italia, duke kombinuar diplomacinë me forcën, ishin tepër domethënëse e mbresëlënëse. Këto arritje të mbështetura në mobilizimin total të popullit shqiptar për mbijetesën e kombit, patën ndikimin e vet në prirjen e Fuqive të Mëdha për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare.

Për vlerat që ka, për trimëritë dhe heroizmat, lufta e Vlorës ka frymëzuar një letërsi të pasur. Botohen për të romane, tregime, vëllime me poezi e këngë popullore. Tërheq vëmendjen romani i shkrimtarit të shquar Petro Marko “Ultimatumi”. Edhe titulli që ka është tepër domethënës: kryengritësit marrin kurajën të kërcënojnë komandën italiane. Interes të veçantë paraqesin për Luftën e Vlorës këngët popullore. Fillimet e tyre i gjejmë që gjatë ditëve të kryengritjes, për t’u bërë pjesë e pandarë e folklorit popullor ndër vite. Gjatë mbrëmjeve luftëtarët me këngë shprehnin entuziazmin e tyre, forcën, besimin dhe gatishmërinë për të luftuar dhe fituar. Këngët për Luftën e Vlorës janë thurur e kënduar jo vetëm në Vlorë e në territoret përreth, por edhe në shumë krahina të tjera të vendit, shprehje kjo e shtrirjes së saj, e qindra e mijëra vullnetarëve që vinin nga këto krahina. Pavarësisht se u zhvillua në një hapësirë lokale, ajo mori karakter mbarëkombëtare... djemtë çi mblodhi Selami / o djem se iku vatani.

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Akademiku Rexhep Qosja leksione politikës në Kosovë e Shqipëri

Është harruar populli! Gënjeshtra dhe mashtrimi po sundojnë


“Luna Park”, me Adriana Matoshi dhe Nik Xhelilaj

Drama shqiptare, në Festivalin e Filmit në Selanik

“Ç’janë këto veshje, këto bizhuteri, këto këngë?!”

Refleksionet e shkrimtarit të njohur, për festivalin e 11-të

Mundësi për të aplikuar në Guinness

Për Darkën e Lamës përgatitet flija 2-metërshe