Shërbimet evropiane të inteligjencës kanë bërë një analizë që vlerëson se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, po përpiqet të ndërmarrë hapa për të shtyrë shkëputjen nga Rusia, por edhe për të siguruar lëshime nga Perëndimi.
Dokumenti, i klasifikuar si “sekret”, është përgatitur nga disa agjenci për nevojat e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), në krye të të cilit është shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë ka pasur qasje në këtë dokument, i cili analizon hapat e ardhshëm që do t’i ndërmarrë Vuçiç në politikën e tij balancuese.
Sipas inteligjencës evropiane, pushtimi rus i Ukrainës i ka nxjerrë probleme Vuçiç sa i përket balancës së pushtetit, duke reduktuar hapësirën e manovrimit të Serbisë në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë.
Çfarë mund të bëjë Vuçiç?
“Për të zbutur presionin e madh të Perëndimit në lidhje me sanksionet, presidenti Vuçiç planifikon të bëjë lëvizje të ndryshme, ndërkombëtare dhe vendore, për të parandaluar implikimet negative për Serbinë, por kryesisht për të ruajtur fuqinë e tij politike”, thuhet në dokument.
Sipas tij, ka shumë gjasa që Vuçiç të shtyjë sa më gjatë formimin e Qeverisë së re të Serbisë, duke e përdorur atë si pretekst për mosvendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.
Zgjedhjet në Serbi janë mbajtur më 3 prill, ndërsa Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka ndërmarrë asnjë sanksion kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Beogradi zyrtar arsyetohet se po mban një qëndrim të tillë për të “mbrojtur interesat jetike të vendit”.
Në zgjedhjet e prillit, Partia Përparimtare Serbe e Vuçiçit ka fituar 120 ulëse në Kuvendin e Serbisë, nga 250 sa ka gjithsej. Për formimin e Qeverisë nevojiten së paku 126 ulëse.
Sipas dokumentit të BE-së, Vuçiç, me gjasë, pritet të zbatojë një “politikë të hapave të vegjël” për ta afruar Serbinë me Perëndimin.
Qëllimi është të shtyhet shkëputja përfundimtare nga Rusia dhe të përdoret ndryshimi i ardhshëm i drejtimit të politikës së jashtme për të siguruar sa më shumë koncesione politike dhe ekonomike për Serbinë.
Roli i Kishës Ortodokse Serbe në rast të shkëputjes nga Rusia
Dokumenti i BE-së vlerëson se Kisha Ortodokse Serbe do të luante një rol kyç nëse Serbia vendos të kthehet kah Perëndimi.
Thuhet se patriarku Profirije – i afërt me presidentin serb – do të luante një rol të rëndësishëm në pranimin e politikës pro-perëndimore të Serbisë nga popullata.
“Donacionet bujare shtetërore për Kishën Ortodokse Serbe do ta ndihmojnë Profirijen që ta bindë klerin në këtë drejtim”, thuhet në dokument.
Shtohet se zgjedhja e Kishës për të mos marrë anë në luftën në Ukrainë, e ka lehtësuar situatën për Vuçiçin, duke i krijuar një hapësirë të caktuar për t’u distancuar nga Rusia.
Përfitimet e Vuçiçit nga e djathta
Shërbimet evropiane të inteligjencës vlerësojnë se Vuçiç, në një periudhë të ardhshme, do të përpiqet ta shfrytëzojë opozitën e djathtë pro-ruse në Parlament si justifikim për mosmiratimin apo shtyrjen e vendimeve të vështira në politikën e jashtme.
“Vuçiçit i konvenon prania e një opozite të tillë, sepse i mundëson t’i paraqitet Perëndimit si politikan i moderuar”, thuhet në dokument.
Serbia, aleate e Rusisë në njërën anë, është edhe vend kandidat për anëtarësim në BE, në anën tjetër.
Komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht i bën thirrje që të ndjekë regjimin e sanksioneve kundër Rusisë. Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se nuk mund të ketë të ardhme evropiane për shtete që mbajnë kontakte me presidentin rus, Vladimir Putin. /REL