MENU
klinika

Paralajmërojnë mbyllje të pikave të shitjes

Shoqata e Naftëtarëve në Kosovë me kërkesa për Qeverinë

09.06.2022 - 13:17

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka kundërshtuar propozim vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës për caktimin e një marzhe të re të fitimit për shitësit e naftës dhe derivateve të saj. Ata po kërkojnë të ulë akcizën e naftës dhe uljen e TVSH-së.

Mes tjerash nëse nuk merret parasysh ky propozim, kanë kërkuar të caktohen marzhat e fitimit siç kanë propozuar ata, për shitësit me shumicë 3% dhe shitësit me pakicë prej 12%.

Në të kundërtën siç thanë ata do të kërkojnë kompensim për humbjet e shkaktuara që nga 1 marsi, kur Qeveria caktoi marzhet e fitimit ose edhe mbylljen e të gjitha pikave të derivateve në të gjithë territorin e Kosovës.

Nga takimi i sotëm që pati Shoqata e Naftëtarëve u mor vendimi që t’i dërgohen Qeverisë së Kosovës kërkesat që kanë.

Ministria e Ndërmarrësisë, Industrisë dhe Tregtisë pritet të marrë një vendim që do të ulë çmimin e naftës. Nga kjo bëhet e ditur se fitimi i shitësve me pakicë do të jetë deri në 10 centë e i shitësve me shumicë 2 ose 3 centë.

Më 1 mars kjo ministri kishte nxjerrë vendim për marzhën e fitimit të shitësve me pakicë prej 6% dhe atyre me shumicë 4%.

Në Kosovë nafta aktualisht shitet për 1.82 centë, çka MINT thotë se është i nevojshëm ky vendim.