Kosova ka shënuar 23 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.
Më 12 qershor 1999, trupat e para të misionit të NATO-s, KFOR, u futën në territorin e Kosovës duke i dhënë kështu fund një lufte gati dyvjeçare.
Një varg aktivitetesh u zhvilluan në Kosovë përfshirë homazhe tek varrezat e dëshmoreve si dhe ceremoni të tjera në të cilën morën pjesë zyrtarët e shtetit të Kosovës.
Në Bllacë, pikën kufitare në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se futja e trupave të NATO-s në Kosovë i kishte dhënë fund vrasjes dhe dëbimit të shqiptarëve.
Ajo tha se Kosova ka ndërtuar miqësi me SHBA-në dhe shtetet anëtare të NATO-s të cilat kontribuuan në çlirimin dhe bërjen shtet të Kosovës.
“Kosova ka bërë hapa përmbajtjesor drejtë të ardhmes euro-atlantike, duke qenë një shtet i dominuar nga rinia, përpjekja jonë e vazhdueshme është që Kosovën ta shndërrojmë në vend ku ata e krijojnë dhe kanë perspektiven e tyre, këtë po e bëjmë çdo ditë, potenciali i rinisë kosovare është i jashtëzakonshëm, andaj atyre duhet t’u jepet dhe t’u krijohet mundësia”, theksoi presidentja Osmani.
Ndërkohë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se Qeveria e Kosovës po punon në adresimin e së kaluarës dhe krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë.
Në ceremoni ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili pas ceremonisë që u zhvillua në Bllacë të Hanit të Elezit shkroi në Twitter se trupat e KFOR-it sollën paqen në Kosovë.
“I nderuar që festova sot Ditën e Paqes në kufirin e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, përkrah zyrtarëve të Kosovës dhe anëtarëve të komunitetit diplomatik. 23 vjet më parë këtu, shumë kosovarë u kthyen në shtëpi. NATO solli stabilitet dhe prosperitet për Kosovën dhe rajonin”, shkroi Hovenier në Twitter.
23 vjet më parë, më 12 qershor 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë. Paraprakisht nisur bombardimet e NATO-s kundër që zgjatën 78 ditë.
Pas sulmeve ajrore bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe trupat serbe u tërhoqën nga Kosova./REL/