MENU
klinika

Nga Lorenc Vangjeli

Edi Rama e Albin Kurti, dy të dënuar që të duan njëri-tjetrin

13.06.2022 - 13:38

Ky vit nuk do të bëjë ndryshim nga viti i shkuar dhe me gjasë, edhe nga viti që do të vijë. Në fillim do të botohet fatura e një lokali nga jugu i Shqipërisë, të cilën, një turist nga Veriu i Shqipërisë, do ta paguajë me kursin francez të këmbimit të pulës vendase. Qytetari nga Prishtina apo Prizreni, nga Gjakova apo Peja do të tregojë se për tre kafe dhe një ujë pa gaz ka paguar plot 19 euro për një kamarier nervoz, por që i ka shpjeguar me arrogancë protestës së tij se kaq janë çmimet dhe se nuk duhet ta zgjaste më tej muhabetin. Madje do t’i tregonte dhe historinë e një gruaje amerikane që këtë verë, në një restorant në Mikonos, në Greqi, kishte paguar nja 800 euro për një këmbë topalle gaforreje duke ju kërcënuar me të vërtetën mesdhetare: “qejfi paguhet, vlla!”.

Pastaj vëllai, shqiptar nga Kosova do të shkruajë në Facebook se po për tre kafe dhe një ujë pa gaz, një shqiptar i Shqipërisë pagoi vetëm 7 euro. Kaq do të mjaftojë edhe këtë vit që patriotët e kësaj dhe asaj ane të vijëzës së kufirit, të nisin një betejë epike shqiposh të llojit: “Kush jeni ju dhe kush jemi ne, ne ju ndihmuam kur ju dogji serbi, ju nuk kishit as qen për të kërkuar nën rrënoja tërmeti; nëse nuk ju pëlqen, mos hajdeni në det se nuk dini as not, mos e çilni gojën ju që nuk e keni njoft’ as topin e futbollit; kështu i ka çmimet gjithë evropa, kur ne kemi parë Evropë me sy, ju hanit me lugë ushqimin e maceve!”, e kështu me rradhë, me fjalët që nuk ndjekin më logjikën dhe me logjikën që llahtaris edhe vetë fjalët.

E gjithë kjo zulmë marrëzie do të zhvillohet nën sfondin e pandryshueshëm të Sali Berishës që e tregon me gisht Edi Ramën si argat të Vuçiçit, me shokët e Edi Ramës që do t’i thonë Albin Kurtit dhe Non Grata-s se janë marksistët e fundit në rajon dhe me vetë Ramën dhe Kurtin që e shohin njëri-tjetrin me shpinë të kthyer nga njëri-tjetri. Të dy të bindur se i kanë ardhur gjuhës shqipe dhe shqiptarëve si bekim Perëndie, se janë fat për të gjithë ata që flasin shqip dhe se tjetri është vetëm violinë e dytë në orkestrën kakofonike të shqiptarëve.

Ka diçka serioze që nuk shkon në marrëdhëniet zyrtare mes Tiranës dhe Prishtinës. Diçka që kujton marrëzinë ende të pavarrosur përfundimisht të gjuhës zyrtare të komunizmit të dikurshëm enverist që përmendte “vëllezërit kinezë dhe miqtë nga Kosova!” dhe ligjërimin ilegal të Kosovës së dikurshme që e quante Hoxhën, kishën dhe xhaminë e vetme të shqiptarisë.

Gjuha formalisht korrekte e politesës politike mes dy palëve në qeverisje, takimet e përbashkëta dhe zotimet për të mbajtur zotimet e marra, reflektojnë në mënyrën më të shëmtuar ndarjen partiake mes palëve. Albini nuk është hiç i lumtur që në Tiranë qeveris Rama, kurse Rama nëse do të kishte mundësi të votonte në Prishtinë, me siguri që do të votonte kundër Albinit. Vetë Albini, në një ekskursion grotesk e bëri një gjë të tillë në Tiranë pranverën e vjetshme, kur më pak elegant se një elefant nervoz, hyri në magazinën plot qelqurina delikate të politikës lokale këtej kufirit, duke thyer e deformuar çdo normë elementare të vetë politikës. Kur humbi, nuk u zemërua me shpurën nga Tirana që urrejtjen e tyre ndaj Ramës ja dhanë qelepir si dashuri për atë vetë, por u inatos me ramën që fitoi zgjedhjet.  Kryeneç dhe i ngurtë, ende duke u endur në retë e opozitarizmit, Kurtit nuk po i  zenë këmbët dhe’ nga pesha e pushtetit, shpesh duke bërë fiks atë për të cilën ai mallkonte paraardhësit e tij në qeverisjen e Kosovës. Në Tiranë ai u mund nga mendjemadhësia klasike e Ramës, që as nuk priti t’i kërkojnë ndjesë dhe as ja ndjeu për ndikimin minimalist të Albinit në Tiranë. Por gjithashtu Rama nuk priti që të hynte në shtëpi për të larë plaçkat e pista të divergjencave me të, por e sulmoi elefantërisht në sy të miletit drejtues të Ballkanit.

Fraza e jashtëzakonshme e Albinit që Perëndimi “…duhet të ndihmojë Serbinë të çlirohet nga Kosova” vlen t’i kthehet pas në një formë tjetër po kaq të rëndësishme: “Perëndia duhet ta ndihmojë që të çlirohet nga armiqësia me kryeministrin shqiptar!”. Sot, për shkak të vullnetit të shqiptarëve të Shqipërisë, ky kryeministër quhet Edi Rama dhe ai vetë, nuk ka asnjë mundësi që ta ndryshojë këtë vullnet.

Dy kryeministrat shqiptarë janë të dënuar të bashkëpunojnë. Ata dhe ambicjet e tyre vetjake janë shumë të vegjël për të luajtur keq me njëri-tjetrin, janë shumë të përkohshëm përballë interesit të përjetshëm të këtij vendi që shtrihet simetrikisht në dy anët e Drinit. Humori i tyre nuk ka pikën e rëndësisë përballë këtyre interesave. Etika dhe estetika vetjake, emocionet dhe pasionet e ndryshme që i ndajnë, janë shumë pak përballë asaj shumice dërmuese e të heshtur shqiptarësh, vullneti i të cilëve nuk ju kërkon atyre të bëjnë mrekullira, por thjesht të jenë udhëheqës normalë të kësaj hapësire të përbashkët. Kësaj hapësire që është shumë më e madhe se të dy të marrë së bashku.

Nuk ka pikën e interesit për askënd nëse Edi e Albini nuk e duan njëri-tjetrin, nëse duhen apo urrehen. Edhe pse ngjyrat partiakë në të dy anët e vijëzës së kufirit shpesh janë të mjaftueshme për të vizatuar tiparet e tradhëtarit edhe në portrete heronjsh,

Modestia, një virtyt që i pari nuk e njeh si koncept dhe i dyti e shpërdoron duke e shndërruar në mendjemadhësi, duhet të jetë mesazhi që ata duhet ta ndajnë në raport me shqiptarët. Sepse pavarësisht retorikave triumfaliste, ata vazhdojnë të jenë qytetarët më të varfër të rajonit.

Ndarja mes dy kryeministrave është në thelb më pak sesa duket në sipërfaqe: ajo ka të bëjë me distancën mes dëshirës dhe mundësive, humnerën mes shpresës në opozitë dhe zgjimit në pushtet, mes romantizmit të fjalëve dhe realizimit të ashpër gjeopolitik praktik.

Edi Ramën e kanë dashur në Prishtinë si çdo politikan tjetër të Tiranës. Albin Kurtit ja dhanë veresie dashurinë nga Tirana. Bashkëpunimi i tyre, i kushtëzuar nga rrethana, forca e faktorë shumë më të mëdhenj se ata, është e vetmja gjë që mund të bëjnë së bashku.

Rama e Kurti nuk nuk duhet të jenë medoemos miq! Ata janë të dënuar të jenë partnerë!

Këtë aksiomë elementare bashkëjetese pa dashuri duhet ta kuptojnë gjithë maskarenjtë e padobishëm, të gjithë idiotët anonimë të rrjeteve sociale, të gjithë horrat e katundeve respektive, por dhe sazexhinjtë e gallatës që fryjnë dhe frymëzojnë ndarje.

Për fatin e mirë edhe të vetë sllavëve të Jugut, Ish-Jugosllavia ka vdekur përfundimisht. Nuk ka Open Ballkan që t’i hapë arkivolin të treturit. Nuk ka asnjë shans që Tirana të shndërrohet në Beogradin e vogël, njëlloj siç mungojnë shanset që një aks gjeopolitik e llogjik nga Tirana në Prishtinë ta bëjë Beogradin më të vogël sesa është.

Nuk ka rëndësi kush ka hedhur gurin i pari drejt tjetrit. Tani e rëndësishme është që të kuptohet se këto gurë po ngrejnë me ngulm kriminal një mur krimi në Morinë. Çfarë mund të duket sot e mot si një faturë lokali në jug të Shqipërisë që e paguan padrejtësisht një shqiptar i Veriut të Shqipërisë, çfarë mund të shihet si një foto delikate e publikuar pa delikatesë nga dorë presidenciale, është në fakt fotoja dhe fatura dramatike që duhet të paguajnë të gjithë shqiptarët së bashku për marrëzinë e madhështisë së rreme. Të gjallët në Tiranë e në Prishtinë duhet t’u ruhen statujave që ju ngrenë në ngjallje servilët e shumtë, duhet të ruhen nga spaletat e dashurisë që ata dinë t’u qepin verbërisht prijësave: historikisht armiqtë më të egër të prijësve shqiptarë kanë qenë dashuritë dhe statujat e rreme. Historia përdor tjetër lloj mermeri gjithmonë!

Vrasja e Martin Canit pranë shkollës ‘Fan Noli’

Caktohet data e seancës gjyqësore ndaj autorit 14-vjeçar

Grabitja e miliona eurove në Rinas

GJKKO dënon me 18 vite burg Talo Çelën

“Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ja morën të dyja”

U vra me thikë në zemër, nëna e 14-vjeçarit mesazh në protestën për të birin