Para se Meta të firmoste në territorin e konsullatës shqiptare të Stambollit dekretin për lirimin e Bajram Begajt nga detyra ushtarake, dukej se bashkëpunimi Berisha-Meta ishte solid. Koalicioni Shtëpia e Lirisë u krijua dhe funksionoi pa fërkime në zgjedhjet e 6 marsit (ndryshe nga zgjedhjet e 25 prillit, kur mosdakodësia mes Pd-së e LSI-së i dha në pjatë PS-së mandate në qarqet Berat, Durrës, Gjirokastër e ndoshta Korçë).
Por pas firmës së Metës në Stamboll, pati një shkembim zjarri retorik mes Berishës e Metës, që u pasua nga një vizitë e Metës në ambasadën amerikane dhe pjesëmarrjen e dy eksponentëve të LSI-së në festën e 31-vjetorit të PS-së. Mbetet të shihet se çdo ndodhë deri në vjeshtë, kur PD-ja të zhvillojë zgjedhje “primare” brenda saj, për të përzgjedhur kandidatët për kryebashkiakë. Bash në atë kohë do të testohet edhe niveli i bashkëpunimit Berisha-Meta…
Për zgjedhjet e 6 marsit, LSI-ja nuk paraqiti kandidatë të saj – thjesht përkrahu kandidatët e Foltores. Por për zgjedhjet e ardhshme lokale krijimi dhe funksionimi i koalicionit të Berishës me Metën nuk do të jetë më aq i lehtë – ky i fundit do të kërkojë që në disa bashki të paraqesë kandidatë të LSI-ës, që pret të përkrahen në terren nga simpatizantët e Foltores.
Nuk pritet që LSI-ja të kërkojë bashki ku PD-AN mori vjet më 25 prill më shumë se 50% të votave. Gjithashtu, nuk pritet që LSI-ja të kërkojë Shkodrën, për simbolikën që ka.
Më e mundshme është që LSI-ja të synojë ato bashki ku asnjëra nga tre partitë kryesore nuk arriti të marrë mbi 50% të votave vjet (bashkitë e pangjyrosura në tabelën më poshtë). Gjithashtu LSI-ja të kërkojë bashki ku ka patur rezultate të mira tradicionalisht (Berat, Skrapar, Poliçan, Dropull, Delvinë, Këlcyrë, Memaliaj, Gjirokastër, Bulqizë etj.).
Dhe pikpyetja e madhe do të jetë nëse Berisha do ti hapë krahun Metës në ndonjë nga bashkitë e mëdha si Durrësi, Fieri e Korça. Marrëveshje Rama-Meta për pak u prish më 2015, pikërisht sepse LSI-së nuk iu dha asnjë nga qytetet e mëdha. Ajo marrëveshje rezistoi atëherë vetëm sepse LSI-ja kishte ministritë kryesore në pushtetin qendror. Ndërsa këtë vjeshtë Berisha dhe Meta do jenë të dy larg pushtetit…