Deri më sot nuk kam parë të rrihet asnjë politikan i opozitës. Deri më sot nuk kam parë të dhunohet publikisht, dhe burgoset ndonjë kryetar partie që bën opozitarin në këtë vend. Atë e bëri vetëm një dhe i vetëm. Ishte dhe mbetet Sali Berisha, “kryedemokrati” që me xhupzinjtë e SHIK-ut, dhe forcat policore-speciale, i theu brinjët dhe dhëmbët opozitarëve, edhe pse ata u ngritën për një të drejtë të madhe, siç është vjedhja e votës në 28 Maj 1996.Dolën në rrugë për të protestuar, dhe u gjakosën dhe rrahën barbarisht sikur të ishin hasëm, dhe jo njerëz të një gjaku dhe një gjuhe.
Por Berisha, sot pas afro 20 e ca vitesh, e mohon, dhe e quan vehten “engjëll, njeri i urtë, që bën opozitë me mjete demokratike”, madje kërkon edhe pushtetin. Pamjet janë rrënqethëse edhe sot e kësaj dite tek i shikon se si tërhiqeshin zvarrë nga civilët me xhupa të zinj, anëtarësia, gjithë kryesia e Partisë Socialiste, gjithë emrat e saj kryesorë, që drejtonin protestën e drejtë paqësore. U lëshuan rrugëve, rrugicave dhe bulevardit të Tiranës, turmat e mbështetësit e Sali Berishës, ata që me dy gishtat lart, rrahën dhe gjakosën Edi Ramën, Erion Braçen, Servet Pëllumbin, etj, etj, madje nuk kursyen as gazetarët e huaj, pasi ata vendas i kishin rrahur me kohë. Kjo pra ishte tablloja e shkurtët e asaj kohe terrori, për cilindo që thoshte “poshtë Sali Berisha” apo “fitore Partia Socialiste”.
Ishte koha e antivlerave, ishte koha e vandalizmave, në një rend të ri që u vendos në Shqipëri, dhe që ne kujtuam se quhej “demokraci”. Prezantim më negativ të demokracisë, nuk do ta bënte as Hitleri në vitet e para të pushtetit. Por ja që sot, Berisha shtiret si “i urti”, që denoncon krimin, korrupsionin, qeverisjen e keqe, etj..etj,kurse Edi Rama na qenkësh “Gogoli”, ai i bën të gjitha, “dhunon opozitën, dhunon median, dhunon shoqerinë civile”, etj…Ndonjë që vjen pas 30 apo 40 vitesh në Shqipëri, do ta kishte besuar Sali Berishën, apo dhe ndonjë që ka ardhur rrallë tek ne. Por askush nga ne që jetojmë këtu, askush nga shqiptarët që i kanë të gjalla në memorje ato skena makabre të viteve të pushtetit të Partisë Demokratike, nuk harron dhunën, arrestimet, burgosjet, apo dhe vrasjet nga xhupzinjtë e shtetit, në emër të partisë. Askush nga ne nuk harron, se si arrestoheshin, rriheshin apo dhe merreshin peng nga makina pa targa të ish-SHIK-ut famëkeq, gazetarët, apo digjeshin zyra dhe redaksi gazetash, pasi kishin kurajon të shkruanin kundër PD dhe Berishës.
Por sërish, Berisha e quan vehten “i urti”. Por e beson njeri thua ? Vetëm Edi Rama, pasi erdhi në pushtet në 2013, vendosi standardet europiane në këtë vend. Institucioni mori hijen e vet, zyrtari mori “ryben” dhe rëndësinë e tij, ligji zbatohet për cilindo njëlloj. Dhuna ndaj politikanit, opozitarit, gazetarit, qytetarit, dhe kujdo tjetër, nuk ekziston. Ligji ka sanksionet e veta për cilindo që e shkel, kurse Policia e Shtetit dhe drejtësia e re, kanë një formatim të ri ndaj zbatimit të ligjit, korrekt dhe të zbatueshëm ndaj kujdo që e shkel atë. Në demokraci, dhuna verbale dhe fizike ndaj kundërshtarit, duke shfrytëzuar postin dhe pushtetin, përbën një qasje reale ndaj një diktature të re.
Ajo ka ndodhur gjithmonë kur në pushtet ka qenë Partia Demokratike dhe Sali Berisha. Ky rrezik, po tenton tu afrohet sërish shqiptarëve,por me rafinacione të tjera,pikërisht nga njeriu që sa ishte në pushtet, e zbatoi në praktikë dhunën ndaj kundërshtarëve, si mjetin e vetëm që njeh për të qëndruar gjatë në krye të vendit. Se kush është “Gogoli” dhe “i urti” në këtë vend, shqiptarët e kanë mësuar përmes një qeverisje të përgjegjshme në 9 vitet e fundit, dhe nuk mendoj dhe besoj se do të gabohen më, edhe në përzgjedhjet e tjera kur të vijë dita e votimit.