MENU
klinika

Mero Baze

Mund të ishit me Metën dhe Berishën në të njëjtin seminar

16.06.2022 - 20:16

Disa javë më parë, mes shumë njoftimeve në email ishte dhe një njoftim në spam, që më ftonte të aplikoja për të qenë pjesëmarrës vullnetar në Forumin e IX në Baku, një konferencë e organizuar nga një shoqatë jo fitimprurëse e quajtur “Nizami Ganjavi”, për nder të një poeti të madh azerbajxhanas. Kushti i vetëm ishte të ishe mbi 16 vjeç.

Natyrisht që e lashë në spam, por mu kujtua sot ndërsa pashë disa postime të Sali Berishës që kishte marrë pjesë në këtë Seminar, bashkë me presidentin Ilir Meta.

Do të isha edhe unë në një seminar me Ilir Metën dhe Sali Berishën dhe hajt t’i sqaroja çfarë doja aty dhe që nuk më kishte dërguar Edi Rama për t’u prishur takimin.

Forumi i sivjetmë dukej që ishte i varfër dhe ndër pjesëmarrësit mbi 16 vjeç, i vetmi njeri në pushtet ishte Ilir Meta.

Ky kishte marrë me vete dhe Sali Berishën, për të cilin nuk di nëse kishte bërë këtë aplikimin free që më ka ardhur dhe mua në spam, apo e ka paraqitur Ilir Meta si pjes të stafit.

Debatet kishin qenë të vakëta sipas faqes së Forumit në internet, dhe folësi më i rëndësishëm ishte Ilir Meta.

Shpresoj mos të jetë nxituar të ketë paguar para, se ka pas mundësi të ishte falas.

Por me sa duket stresi i izolimit dhe mospërfilljes ndërkombëtare ka bërë punën e vet.

Një president që për pesë vite është izoluar nga çdo zyrë e Perëndimit dhe një person “non grata”, i cili gëzohet dhe kur i kthejnë përgjigje kortezie nga zyrat e protokollit letrave të pafundme të tij, më në fund kanë bashkuar hallet e tyre për t’u dukur sikur i kanë zgjidhur në Baku.

Dhe zgjidhje me sa duket quajnë faktin që seminari i OJQ azere quhej “Forumi i IX ndërkombëtar i paqes”. Kjo i bën të ndjehen persona me rëndësi botërore.

Por në fakt janë nxituar. Në Shqipëri janë disa OJQ të rëndësishme ndërkombëtare, me emra impresionues, si për shembull, Asambleja Botërore e Paqes, apo disa të tjera të ngjashme.

Dhe ata shpesh ndajnë dekorata apo karta anëtarësie. Bëjnë dhe konferenca. Më lirë u kishte shkuar të paguanin ndonjë konferencë të tyre.

Dhe dukeshin më të përfillur, se nga emri duken më të rëndësishme.

Mund ta kenë parasysh për herë tjetër. Ka kohë deri më 24 korrik. Se pastaj do nisë lufta për të përmbysur pushteti dhe nuk kanë kohë të merren me mbështetjen ndërkombëtare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN